E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Abuzime me fondet e ndihmës”

 

BLEDAR HOTI

Kryeministri Sali Berisha akuzon anëtarët e këshillave bashkiake për abuzime me fondet e ndihmës sociale për ta ndarë atë ndërmjet tyre. Akuza e kreut të qeverisë erdhi dje në mbledhjen e zhvilluar dje për reformimin e sistemit të ndihmës sociale dhe luftën kundër mjerimit. Duke u fokusuar në problemin e rëndë të abuzimeve, shpërdorimeve dhe informalitetit në sistemin e ndihmës sociale, Kryeministri Berisha dhe Ministri i Financave, Ridvan Bode, veçuan faktin se janë gjetur këshilla ku të gjithë këshilltarët janë futur në ndihmë ekonomike duke e ndarë atë mes tyre, dukuri kjo e papranueshme. “Kjo dhe të tjera raste abuzimi, sjellin nevojën e kontrollit më të madh të skemës dhe bashkëpunimit të nëpunësve të ministrisë dhe komunitetit në këtë drejtim”, u tha në mbledhje. Kryeministri Berisha theksoi se “ndihma ekonomike duhet të përfshijë të gjitha detyrimet që familjeve në nevojë u lindin me shtetin dhe të cilave nuk kanë mundësinë t’u përgjigjen, si shkollimi, librat, bursat për fëmijët, energjia dhe të gjitha aspektet e tjera të jetesës së tyre që nuk përballohen dot prej familjeve në nevojë”. “Nuk duhet të ketë më asnjë pengesë ekonomike për familjet e varfra për të shkolluar fëmijët e tyre, u shpreh Kryeministri Berisha. Mendimet e ekspertëve të pranishëm ishin më tepër në drejtim të rishikimit tërësisht të skemës dhe programeve të ndihmës ekonomike, rëndësisë së digjitalizimit të listës së personave në ndihmë ekonomike dhe atyre me aftësi të kufizuar, fleksibilitetit më të madh në kriteret përcaktuese të kërkuara për përfitimin e ndihmës ekonomike, shqyrtimit të kuadrit ligjor në bazë  të drejtësisë sociale, një rishikim dhe rihartim të programit të punësimit me interes komunitar me fokus te këto kategori në nevojë, si dhe domosdoshmërinë e një kontrollueshmërie më të lartë të skemës së ndihmës sociale ndaj kategorive përfituese. “Janë shumë familje në zonat rurale, të cilat nuk sigurojnë dot bukën, çfarëdo që të bëjnë dhe që nuk kanë kushte që të prodhojnë produkte të tjera apo të blejnë bukën, ndaj duhet t’u sigurohet atyre gruri mbi bazën e kritereve të caktuara”, tha Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›