Te Kalmari asnjë ofertë për Etrit Berishën
Portieri kosovar Etrit Berisha shpreson që në afatin e janarit të transferohet nga Kalmari te ndonjë skuadër e Serie A të Italisë. Por, klubi suedez Kalmar ende nuk është kontaktuar për Berishën nga ndonjë klub italian. Këtë e ka bërë të ditur të shtunën menaxheri i Kalmarit, Svante Samuelsson. “Asnjë klub italian nuk më ka kontaktuar lidhur me Etrit Berishën. Gjithsesi e di që klubet kanë përcjellë ndeshjet e Etritit me përfaqësuese”, ka thënë Samuelsson për gazetën suedeze “Barometern”. Gardiani i Shqipërisë, Berisha ka edhe një vit kontratë me Kalmarin. Berisha ka bërë të ditur se interesim për të ka treguar Bologna. “Kam folur me menaxherin tim që më ka thënë se Bologna është e interesuar. Por, nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë Berisha. Ai për Kalmarin ka regjistruar 78 paraqitje në kampionatin e Suedisë. “Nuk e di nëse do të largohem tani. Kam edhe një vite kontratë me Kalmarin. Por nëse shoh se është një ofertë e mirë dhe një klub që më përshtatet, mund të ndodh që të largohem nga Kalmari”.
