E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekseni: Elbasani sështë më ai i fazës së parë

Nga Elton Karaj

Mbrojtësi kryeqytetas Ardi Sekseni pohon se futbollistët janë mjaft të motivuar për ta ngjitur ekipin në tabelë gjatë fazës së dytë

Tek Elbasani gjërat kanë filluar të lëvizin disi dhe duket se ekipi do të jetë më mirë se fazën e parë. Verdheblutë pritet të shfaqen ndryshe në fazën e dytë të kampionatit, që do të fillojë në muajin shkurt. Është e qartë se ata kanë një detyrë mjaft të vështirë për të bërë, nisur nga fakti se duhet të rikuperojnë shumë pikë për të qenë në 5-shen e parë.

Sekseni Mbrojtësi me eksperiencë i Elbasanit, Ardi Sekseni, mendon se faza e dytë do të flasë në favor të ekipit të tij, pasi, sipas tij, tashmë mbizotëron një frymë e re dhe grupi i futbollistëve kërkon të bëjë më të mirën: Faza e parë tregoi se Elbasani kaloi një periudhë të keqe, që u reflektua me humbjet në ndeshjet në transfertë, por tani them se gjërat kanë ndryshuar.

Kemi lënë gjithçka pas krahëve dhe jemi të përqendruar te faza e dytë. Shohim vetëm përpara dhe besoj se çdo gjë do të shkojë mbarë për ekipin tonë. Jemi dyfish të motivuar dhe synojmë të jemi patjetër në 5-shen e parë në fund të kampionatit. Këtë do ta arrijmë vetëm duke punuar shumë dhe duke fituar çdo ndeshje, sepse të gjitha do të jenë si finale për ne, – është shprehur për Sportin shqiptar mbrojtësi Seksesni. Ai pranon më tej se Elbasanit i duhen disa përforcime cilësore për të përballuar sfidat e fazës së dytë, që do të jenë më të vështira.

Kuptohet që ekipi ka nevojë për disa lojtarë të tjerë cilësorë, në mënyrë që grupi të jetë i kompletuar. Afrimi i disa lojtarëve cilësore do të na ndihmonte për ta rritur nivelin e lojës dhe për të marrë pikët që na duhen. Mendoj se jemi në kohë për ti rikuperuar pikët që kemi lënë jashtë fushe. Tani shpresojmë të na ndihmojë edhe fati, pasi në futboll duhet të kesh edhe pak fat, ka përfunduar kryeqytetasi Ardi Sekseni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›