E Diel, 1 Nëntor 2026

Të Pathënat e Komunitetit Ndërkombëtar

29/05/2005  Këto zgjedhje duhet të jenë sipas standardeve ndërkombëtare dhe jo si zgjedhjet e tjera. Kështu i tha Priebe, me zërin e Evropës, Fatos Nanos. Një deklaratë e tillë kaloi pothuajse pa u ndjerë në median shqiptare, si thjesht një më shumë në pafundësinë e deklaratave të bëra nga komuniteti ndërkombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Në fakt, ajo thotë shumë më tepër sesa çdo deklaratë tjetër. Jo si zgjedhjet e tjera – do të thotë të deklarosh haptas se proceset e kaluara zgjedhore nuk kanë qenë sipas standardeve ndërkombëtare, ose të lira dhe të ndershme. Një deklaratë kaq e drejtpërdrejtë, nga një institucion që shquhet mbi të gjitha për paqartësi, është si shqetësuese ashtu edhe shpresëdhënëse. Eshtë shpresëdhënëse, pasi pranohet haptas që zgjedhjet e mëparshme nuk ishin të lira dhe të ndershme, çka mund të interpretohet si një mesazh i fortë se zgjedhje të tilla nuk do të pranohen më.

Nga ana tjetër kjo deklaratë përbën edhe shqetësim, pasi, nëse zgjedhjet e kaluara nuk ishin të lira dhe të ndershme, atëherë natyrshëm shtrohet pyetja, përse u njohën ato nga komuniteti ndërkombëtar? Që natyrshëm ndiqet nga pyetja tjetër; nëse komuniteti ndërkombëtar më shumë se njëherë i ka pranuar zgjedhjet, që nuk janë zhvilluar sipas standardeve ndërkombëtare, përse duhet të besojmë se nuk do ta bëjë përsëri. Aq më tepër kur midis stabilitetit dhe demokracisë, nga faktori ndërkombëtar i është dhënë gjithmonë përparësi stabilitetit. Po të kemi parasysh që nëse zgjedhjet e arëdhshme mund të shkaktojnë shumë destabilitet, nëse nuk janë të lira dhe të ndershme, atëherë është mëse e natyrshme të arrijmë në konkluzionin se përballë destabilitetit që do të shkaktonte mosnjohja e zgjedhjeve jo të ndershme, komuniteti ndërkombëtar do të preferonte parasëgjithash stabilitetin, duke i njohur zgjedhjet edhe nëse ato nuk do të jenë tërësisht të lira dhe të ndershme. Pas 3 korrikut, kjo do të jetë akoma më e lehtë, pasi, në fund të fundit, në këto palë zgjedhje përfshirja e të dyja partive kryesore ka qenë e tillë saqë është vështirë që fajin t'ia faturosh njërës apo tjetrës palë. Kjo do të thotë se, në rast se zgjedhjet nuk do të jenë të rregullta, mund të ketë një fajësim të të dyja palëve njësoj dhe rrjedhimisht njohje të rezultatit të zgjedhjeve.

Fatëkeqësisht, komuniteti ndërkombëtar ka një përvojë të gjatë në këtë drejtim. Kështu, ndonëse në zgjedhjet parlamentare të 2001 u deklarua se kishte probleme serioze, përsëri rezultati i tyre u pranua me logjikën se Partia Socialiste kishte fituar, ndonëse më pak sesa ajo pretendonte. Një logjikë e mbushur me kontradiksione, pasi, së pari, njihte një palë zgjedhje që pranoheshin se ishin manipuluar, dhe së dyti, sepse pretendohej se ishte llogaritur saktë përqindja e manipulimit, ndonëse kurrë nuk u tha se si u bë diçka e tillë. Por, edhe sikur kjo përqindje të ishte llogaritur mjaft saktë, është krejt e pakuptimtë të pranosh legjitimitetin e një parlamenti, ku votojnë vazhdimisht parlamentarë të fabrikuar dhe jo të zgjedhur. Ky qëndrim sa qesharak aq dhe i pandershëm, u bë për hir të stabilitetit. Në fakt, ai prodhoi më shumë destabilitet dhe i dha dritën jeshile shpartallimit të zgjedhjeve lokale të 2003-it.

Edhe në këtë vit, sikurse edhe sot, komuniteti ndërkombëtar u lodh së përsërituri se zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme, por diçka e tillë nuk ndodhi. Dhe nuk kish si të ndodhë ndryshe kur mesazhi që u dha me zgjedhjet e 2001-it ishte mjaft i qartë; edhe rezultati i zgjedhjeve të komprometuara njihet. Kështuqë, ndonëse presioni i komunitetit ndërkombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme është pozitiv, ai nuk të ngroh shumë, po të kemi parasysh të kaluarën e afërt – zgjedhjet lokale të 2003, që, ndonëse u kritikuan, përsëri u parnuan. Mbase kësaj radhe është ndryshe, dhe ndërkombëtarët janë të vendosur që në Shqipëri të shohin zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse vërtet është kështu, atëherë kjo duhet deklaruar haptas.

“Ne nuk do të njohim rezultatin e një procesi zgjedhor të komprometuar!!!”. Kjo duhet të jetë deklarata e komunitetit ndërkombëtar, dhe jo “zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme”, gjë për të cilën të gjithë bien dakord, të paktën në teori. E vetmja mënyrë për të ndaluar manipulimin elektoral është që ta bësh të qartë që në fillim të procesit se, një rezultat i dalë nga një proces elektoral i manipuluar nuk do të njihet. Vetëm kështu mund të dekurajohet dëshira për manipulim, që, sikurse tregojnë një sërë dukurish kohët e fundit, nuk është në rënie, por në rritje. Vetëm kështu i jepet një mesazhi i qartë atyre që duan të manipulojnë se e kanë të kotë, pasi rezultati nuk do të njihet, nëse ata do të prishin procesin. Vërtet që nuk ka ndonjë garanci që me një deklaratë të tillë zgjedhjet do të jenë automatikisht të lira dhe të ndershme, por në këtë mënyrë ofrohet shumë më tepër garanci që në zgjedhjet e ardhshme do të ketë shumë më pak tendencë për manipulim.

Kështu, mënyra më e mirë për të dekurajuar manipulimin në zgjedhjet e 2003 do të ishte mosnjohja e zgjedhjeve të komprometuara të 2001, përsëritja e tyre. Duhet bërë e qartë që, nëse një proces elektoral është i komprometuar, atëherë ai duhet të përsëritet. Shpesh përsëritja e zgjedhjeve është kundërshtuar si shumë e kushtueshme, një argument që është më shumë në nivelin e justifikimit të mbajtjes së pushtetit. Kosto financiare e përsëritjes së një procesi elektoral është qesharake, në raport me koston që prodhon mbajtja e një pushteti jolegjitim. Nëse zgjedhjet parlamentare të 1996 do të ishin përsëritur më herët se 1997, Shqipëria do të kishte kaluar një tranzicion me kosto më të ulët. Kjo vlen edhe për të gjitha zgjedhjet e mëpasshme, të cilat kanë prodhur një pushtet gjithnjë e më të korruptuar, gjithnjë e më larg nevojave të elektoratit dhe kështu po i kushtojnë Shqipërisë integrimin në BE dhe po rrezikojnë vetë demokracinë e brishtë shqiptare. Përball këtyre fenomeneve, kosto e përsëritjes së zgjedhjeve është e neglizhueshme.

Deklarimi haptas se rezultati i dalë nga një palë zgjedhje të parregullta, qofshin këto parregullësi politike apo teknike, nuk do të njihet nga komuniteti ndërkombëtar (në fund të fundit ç'rëndësi ka nëse 150 000 votuesve u hiqet e drejta për të votuar politikisht apo teknikisht?), është garancia dhe presioni më i madh për një proces të rregullt elektoral më datë 3 korrik. Në fund të fundit, zgjedhjet në Shqipëri certifikohen nga ndërkombëtarët, të cilët duan apo s'duan, janë bërë pjesë e pandashme e këtij procesi. Ka ardhur koha që përveçse t'u kërkojnë aktorëve politikë shqiptarë të jenë të përgjegjshëm, të marrin edhe ata përgjegjësitë e tyre. Të kenë guximin, sipas parimeve bazë të demokracisë, të deklarojnë se nuk do të njohin zgjedhje të parregullta, kushdo qofshin arsyet apo faktorët. Ky do të jetë edhe hapi i parë drejt proceseve të rregullta elektorale në Shqipëri, që si për dreq u prishën nga shqiptarët, por u dashkan ndrequr nga të huajt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›