E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajzat që nuk mundën "të preknin" hënën

Kjo është historia e Jerrie, ëndrra e saj dhe e të gjitha mikeshave që do të shkonin në Hënë, një ëndërr që Amerika e shndërroi në një odise. Kjo është një histori e vjetër e gjysmëshekulli më parë, e cila është zbuluar së fundmi, për shkak të mefshtësisë së mashkullit. Është historia se si shkenca në 1959-n ishte përgatitur të hidhte atë hap të vogël për njeriun, por të madh për njerëzimin, të cilin do ta përmbushte më mirë dhe më shpejt një femër, por që për shkak të mentalitetit të epokës nuk mundi. Megjithatë, duket qesharake që katër vjet më vonë rusët dërguan në orbitë Valentina Tereshkova-n.
Ai problem që Huston e ka mbajtur për vite të fshehtë, tani është zbuluar me publikimin e një studimi i "Usa Today" mbi "Advance in Phisiology Research". Në vitin 1959 kishin filluar "ethet" e hapësirës. Më 1957-n rusët lëshuan "Sputnik" satelitin e parë në orbitë. Gjërat duheshin bërë shpejt dhe shkencëtarët ishin të bindur se femrat ishin më të shkathëta se meshkujt, për t‘u dërguar në hapësirë. Testeve të cilave iu nënshtruan 19 kandidatë ishin të njëjtët që kolegët meshkuj po ndiqnin për misionin "Mercury". Randolph Lovelance, doktori shkencëtar i NASA-s i vendosi përballë njëri-tjetrit dhe në fund krahasoi rezultatet: femrat që kishin fituar testin ishin 13 nga 19. Ndërsa meshkujt 18 nga 32. Tashmë ky ishte një triumf.
Më e zonja ishte Jerrie Cobb, një vajzë shumë e vendosur dhe simpatike. I kaloi testet me rezultate më të larta se meshkujt. Revista "Life Magazine" e përzgjodhi mes 9 femrave të vetme në 100 personat më të rëndësishëm të Amerikës dhe i bëri një album prej dive. Edhe mikesha e saj, Gene Nora Jessen, premtonte shumë për hapësirën.
Gjithsesi, në këtë çështje ka një "POR". Në fillim të 1960-s, në Amerikë, në katër gra punonte një. Femrat kishin të drejta dhe liri të plotë. Nëse donin të merrnin diçka hua ose të blinin ndonjë pronë, duhej t‘u merrnin leje burrave. Por cilët ishin ata që donin t‘i dërgonin në hapësirë? Misioni i vitit 1962 u anulua dhe çështja përfundoi në Kongres, ku fjalën e mori John Glenn: "Janë burrat ata që luftojnë dhe drejtojnë aeroplanët". Ndërkohë, doktor Lovelace vazhdonte të punonte në fshehtësi, të studionte dhe të mblidhte të dhëna. Në vitin 1964 "Civil Rights Act", hoqi diskriminimin në punë, të bazuar mbi gjininë dhe llojin, por ishte tepër vonë. Misioni ishte lënë kaq shumë në harresë saqë kur NASA deshi të riprovonte, eksperimentet u përsëritën edhe një herë nga fillimi. Ishte viti 1978 dhe gruaja e parë amerikane që do të shkojë në hapësirë, Sally Ride, do të arrijë në orbitë vetëm më 1983-in.
Po Jerrie? Ish-heroina e revistës "Life Magazine" fluturoi mbi Amazonë, punoi si vullnetare dhe u nominua për çmimin "Nobel për Paqen". Gene Nora bëri xhiro në të gjithë Amerikën me librin e saj "Fluturimi përrallor i tre muskutierëve". "Kur më thanë se do të bëhesha pjesë e NASA-s, u lumturova. Megjithatë, dëshpërimi më i madh ishte kur u detyrova ta lija: gjendesha përtokë në të gjitha kuptimet".
"Ato teste të zbuluara vetëm sot, ende të rebelojnë", thotë Margaret Weitekamp, e cila ka shkruar edhe një libër për programin hapësinor femëror, titulli i të cilit është shumë domethënës dhe kuptimplotë: "Right Stuff, Wrong Sex". Ishin personat e duhur, por gjinia e gabuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›