E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja që abortoi 15 herë

Është një histori e rrallë dhe shumë e dhimbshme që ka ndarë thellësisht opinionin publik amerikan. Para disa ditësh, shtëpia botuese amerikane "Random House" ka publikuar "Impossible Motherhood"s ("Mëmësia e pamundur"), ku shkrimtarja portorikane rrëfen se ka abortuar 15 herë brenda 16 vjetëve.
Irene, që sot është 40 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve, shpreson që autobiografia e saj të ndihmojë shoqërinë amerikane, që të hapë një debat serioz mbi temën e abortit. Por pavarësisht qëllimit të saj, ajo frikësohet se mos lëvizja amerikane "pro-life" mund ta përdorë si shembull negativ për të kërkuar shfuqizimin e ligjit për ndërprerje të shtatzënisë.
Një jetë tragjike
Para se të publikohej libri i Vilar, faqja e rrjetit amerikan "Abc" e prezantoi paraprakisht. Shkrimtarja vendosi të mos e promovonte personalisht veprën, sepse i frikësohej reagimit negativ të një pjese të madhe të shoqërisë amerikane. Në faqet e para të librit shkrimtarja ripërshkon edhe një herë fëmijërinë e saj. Flet gjithashtu edhe për njerëzit të cilët kanë qenë pjesë e rëndësishme e jetës së saj tragjike. E para është gjyshja, e famshmja Lolita Lebron, një nga personalitetet më të shquara të Partisë Nacionaliste të Porto Rikos, që për 25 vjet jetoi në një burg amerikan pasi kreu një sulm terrorist kundër disa anëtarëve të Kongresit; pastaj e ëma e Irene, e cila vrau veten kur shkrimtarja ishte 8 vjeçe, dhe në fund janë dy vëllezërit e droguar. Fëmijëria në Porto Riko, karakterizohet nga kujtimi i programit të sterilizimit që u krye në vitet ‘70 nga amerikanët mbi gratë vendase. Edhe e ëma e Irene-s, kur ishte 33 vjeçe, u detyrua t‘i nënshtrohej histerektomisë, heqjes së mitrës. Pas vdekjes së të ëmës, Irene u transferua në Amerikë. Në moshën 15-vjeçare u regjistrua në një kolegj në Një Hempshajër dhe pas pak kohësh ra në dashuri me një profesor 50-vjeçar, me të cilin edhe u martua. Burri, me karakter autoritar kishte një ndikim të madh mbi Irene-n dhe i nguliti në kokë idenë se me lindjen e fëmijëve dëshira seksuale shuhet. Kur vajza zbulon se është shtatzënë për herë të parë, menjëherë vendos ta ndërpresë shtatzëninë. Marrëdhënia e Irene-s me burrin e saj karakterizohej nga dhuna, tentativat e vetëvrasjes dhe vetëgjymtimit.
Ndryshimi
Me kalimin e viteve Irene mbetej vazhdimisht shtatzënë, por vendoste të abortonte. Siç shkruan edhe vetë shkrimtarja, historia e saj është një lloj vetëndëshkimi dhe tek ajo zhvillohej "varësia ndaj abortit", që dëmtonte shëndetin e saj mendor. "I pija rregullisht kontraceptivët, por ndonjëherë nuk dëshiroja. Nuk i pija për disa ditë, ose një muaj". Sa herë që Irene zbulonte se kishte mbetur shtatzënë ndihej e frikësuar dhe e emocionuar në të njëjtën kohë. Vitet kalonin dhe Vilar i bënte abortet njëri pas tjetrit. Pas disa vitesh erdhi ndryshimi. Pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe ngordhjes së qenit të saj të dashur, Irene vendos t‘i japë fund martesës së dhunshme dhe të pakuptimtë. Ndahet nga i shoqi dhe pas pak muajsh takon një njeri të ndjeshëm dhe të sinqertë. Vendos që të rimartohet dhe të shkruajë një libër për të treguar ndryshimin e saj. Pikërisht, ndërsa shkruante kapitujt e parë të historisë, zbuloi se ishte sërish shtatzënë dhe për herë të parë arriti ta çonte në fund shtatzëninë, diçka që në të kaluarën i dukej e pamundur.
Pendesë dhe shpresë
Sot Irene e di që ka qenë me shumë fat. Pjesa më e madhe e femrave që abortojnë më shumë se një herë, pësojnë dëme të mëdha në mitër dhe kjo do të rrezikonte seriozisht mundësinë për të pasur fëmijë në të ardhmen. "E imagjinoj që do më të quajnë një vrasëse fëmijësh, ndërkohë që fundamentalistët që luftojnë kundër abortit mund të më përdorin si shembull të keq", deklaron shkrimtarja 40-vjeçare për rrjetin "Abc".
Gjithsesi, Irene e di që nuk është vetëm: "Gjysma e femrave amerikane që e kanë ndërprerë shtatzëninë më 2004-n (sipas statistikave e kanë bërë 1,5 milionë), e kishin bërë edhe më parë", shkruan ajo. "Pothuajse 20 për qind ka abortuar dy herë në jetë, ndërsa 10% tre ose më shumë herë". Sipas autores, libri mund t‘i ndihmojë femrat: "E di që nuk mund ta zgjidh dilemën e veprimeve të mia, shkruan ajo në parathënien e librit. Megjithatë, premtimi im për lexuesin është se tashmë e kam kuptuar gabimin tim, varësinë ndaj abortit, faktin që isha vazhdimisht e hidhëruar, radiografinë e një deliri dhe frikën që kisha për t‘u bërë nënë. Ndërsa shkruaja këtë vepër, zbulova se isha shtatzënë. Nuk besoj se do të kisha qenë në gjendje të lindja, pa reflektimin dhe përgjegjësinë që ky libër më lejoji që të zhvilloja. Vajza ime u bë koherenca që dallohet nga masa e turpshme e 35 viteve që unë kam lënë pas. Dëshiroj që ky libër t‘u japë një shpresë të gjitha femrave, që për motive të ndryshme, e kanë provuar eksperiencën e abortit".

Frika
Irene, që sot është 40 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve, shpreson që autobiografia e saj të ndihmojë shoqërinë amerikane, që të hapë një debat serioz mbi temën e abortit. Por pavarësisht qëllimit të saj, ajo frikësohet se mos lëvizja amerikane "pro-life" mund ta përdorë si shembull negativ për të kërkuar shfuqizimin e ligjit për ndërprerje të shtatzënisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›