E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojaxhi, në krye të Inspektoratit të Ndërtimit

Vendimi pritet të zyrtarizohet shumë shpejt nga Këshilli i Ministrave

Kryeinspektori i ri i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të jetë ish-drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergji Bojaxhi. Burimet nga Kryeministria bëjnë të ditur se në mbledhjen e ardhshme të qeverisë pritet edhe emërimi zyrtar i Bojaxhiut, si dhe shkarkimi i drejtorit aktual të INUK-së, Hekuran Hoxhalli. Emërimi i Bojaxhiut në këtë detyrë, vjen në një moment kur Inspektorati Ndërtimor ka pësuar ndryshime të shumta ligjore, për të forcuar rolin dhe kompetencat e tij. Nga ana tjetër, në situatën aktuale të kontradiktave mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, për ndërtimet në sheshin “Skënderbej”, Gjergji Bojaxhi pritet të ketë një rol të veçantë në debat si kryeinspektor i këtij institucioni. Ish-drejtori i KESH-it, Bojaxhi, aktualisht është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, forum ky i zgjedhur në muajin dhjetor nga ana e Kuvendit të selisë blu.

Po kështu, Bojaxhi kandidoi edhe për postin e kryetarit të PD-së, në Tiranë, që tashmë e mban deputeti demokrat, Aldo Bumçi. Ndonëse nuk arriti të jetë fitues në këtë garë, Bojaxhi shfaqi përpara demokratëve një strategji të qartë për sa i përket organizimit të PD-së në Qarkun e Tiranës. Por, nga ana tjetër, ai u kandidua nga PD në një vend jo të sigurt në listën e kandidaturave për deputet në Qarkun e Tiranës dhe për pasojë nuk arriti të merrte mandatin e deputetit. Gjergj Bojaxhi nuk e ka mohuar asnjëherë ambicien për të qenë pjesë e drejtimit në partinë më të madhe në pushtet. Madje emri i tij është përfolur edhe si një nga kandidaturat e mundshme të demokratëve në zgjedhjet lokale për Bashkinë e Tiranës. Burimet nuk ngurojnë ta përmendin edhe emrin e tij krahas atij të ministrit aktual të Punëve të Brendshme, Lulzim Basha, si ndër kandidatët e mundshëm përballë përfaqësuesit të Partisë Socialiste.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›