"Arrest në burg" Delijorgjit, Y. Pinarit dhe D. Minxhollit.
TIRANE- Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës pranoi sot kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për të caktuar një masë të re për tre të akuzuarit si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i “Alba Demil”, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin e fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec, Dritan Minxholli do të mbahen në arrest me burg teksa prokurori heton ndaj tyre për akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës të më shumë se dy personave.
Fillimisht, Pinari, Delijorgji dhe Minxholli u akuzuan për veprën penale të “shkeljes së rregullave plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Afro katër muaj pas ngjarjes tragjike të 15 marsit , ku humbën jetën 26 persona, prokuroria ngriti ndaj tyre një akuzë tejet të rëndë, atë të vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës të më shumë se dy personave.
Në këtë moment, lindi nevoja e vendosjes së një mase të re sigurie ndaj tre të akuzuarve. Prokuroria e Përgjithshme iu drejtua Gjykatës së Lartë, por kjo e fundit, pak ditë më parë, vlerësoi se nuk ishte kompetencë e saj shqyrtimi i kësaj kërkese, duke e dërguar kështu çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë. Sot kjo gjykatë mori në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli u vunë në pranga tri ditë pas tragjedisë së Gërdecit, ku nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, u plagosën 300 të tjerë, si dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre, nën akuzën e “shkeljes së rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive”.
Për tragjedinë e 15 marsit është nën hetim dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të cilit pak muaj më parë Parlamenti, me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme i hoqi imunitetin e deputetit.
(s.g/BalkanWeb)