Policia angleze: Sekuestrimi i 1.5 tonëve kokainë, 5 emrat e shqiptarëve
LONDËR - Besnik Alla, Xhovan Gripski, Fabiol Beqiri, Behar Dika dhe Elton Dika janë pesë emrat e parë të zbuluar nga ana e Scotland Yard lidhur me arrestimet e dy ditëve më parë në anijen me 1.5 tonë kokainë. Sipas zëdhënëses për shtyp të Policisë angleze, Ema Taylor, mësohet se këta persona janë arrestuar disa muaj më parë, përpara kapjes së sasisë së kokainës, pasi ata ishin në vëzhgim për një kohë të gjatë. Sipas saj, në makinën tip “Bently” me të cilën udhëtonte Behar Dika, ishin vendosur përgjues duke regjistruar kështu të gjitha bisedat e tij, si dhe duke monitoruar lëvizjet. Nga ana tjetër bëhet e ditur se emrat e tjerë të shqiptarëve të arrestuar nuk publikohen për arsye hetimi. Bashkë me shqiptarët e arrestuar, mësohet se janë dhe tre shtetas britanikë, ku dy prej tyre janë me origjinë pakistaneze.
Superaksioni për bllokimin e anijes
Dy ditë më parë u njoftua bllokimi i një anijeje me 1.5 tonë kokainë, e cila kapte shifrën e rreth 400 milionë paundve. Bllokimi i saj u bë 200 milje larg brigjeve britanike dhe lidhur me këtë aksion u vunë në pranga 150 persona, midis tyre dhe 13 shqiptarët, të cilët dyshohen si pjesë e këtij trafiku, i cili i ka rrënjët që nga Kolumbia dhe me destinacion përfundimtar tregun londinez. Gjatë këtij aksioni morën pjesë agjentët e Policisë spanjolle, të Scotland Yard-it dhe agjencisë kundër luftës së krimit të organizuar “SOCA”. Ata kishin rënë në gjurmët e kësaj anijeje qëkur ajo ishte ankoruar në brigjet e Trinidadit dhe menjëherë lindën dyshimet lidhur me të. Sipas banorëve të Trinidadit, anija mund të ketë qëndruar disa javë në ujërat e këtij shteti, por ata nuk kanë parë ankorimin e saj në tokë.
Emrat e 5 shqiptarëve të arrestuar
Besnik Alla
Xhovan Gripski
Fabiol Beqiri
Behar Dika
Elton Dika
28 Dhjetor 2009