Të ardhurat dytësore të Nënë Terezës, 450 milion lekë
Kirurgjia dhe Onkologjiku mbledhin më shumë të ardhura. Sipas rregullit paratë do të investohen në spital
Të ardhurat dytësore të spitalit, ashtu siç është parashikuar edhe nga reforma e shëndetësisë, ashtu siç është “reklamuar” edhe nga drejtuesit e sektorëve të shëndetësisë, duhet të investohen. Për më shumë se si do të administrohen ato, si do të shpërndahen dhe në çfarë mase do të fitojë secili “zë” do të vendoset nga strukturat drejtuese. Konkretisht Qendra Spitalore universitare “Nënë Tereza” për shkak të frekuentimit nga të “parregulltit”, ata që nuk kanë libreza shëndetësore dhe janë të detyruar të paguajnë pranë arkës së spitalit ka përfituar një shumë të konsiderueshme parash, ose siç quhen ndryshe në gjuhën zyrtare të ardhura dytësore.
Të gjitha këto para do të shkojnë për investime, shpërblime, paga për mjekët, apo edhe rikonstruksione e reablitime. Ata që vendosin për gjithçka janë specialistët dhe drejtuesit të cilët më mirë se çdo kush e dinë se ku “pikon” çatia.
Të ardhurat dytësore përgjatë 11 muajve, gati një vit, në 2009 janë 45 milion lekë të reja ose 450 milion lekë të vjetra.
Nga konsultat pa rekomandim, për të gjithë ata që nuk kanë zbatuar sistemin e referimit dhe nuk kanë zbatuar rregullat, janë përfituar mbi 2 milion lekë të reja në formën e të ardhurave dytësore. Faturat formale të spitalit francez kanë kapur shifrën e mbi 5 milion lekë të rejave. Ky është fondi i akumuluar nga ky shërbim në formën e të ardhurave dytësore.
Pothuajse të njëjtën shifër ka grumbulluar edhe shërbimi i patologjive në QSUT. Sipas analizës vjetore të këtij spitali rezulton se kirurgjia ka akumuluar rreth 7 milion lekë të reja për shkak të faturave që kanë paguar pacientët që nuk zotërojnë librezë ose nuk e kanë zbatuar sistemin e referimit, sipas rregullave të vendosura nga politikat shëndetësore.
Pediatria dhe Infektivi kanë vjelë nga të pasiguruarit 2 dhe 3 milion lekë të reja. Neuropsikiatria ka grumbulluar 3 milion lekë të reja, onkologjia, shërbimi i tumoreve ka vjelë mbi 6 milion lekë të reja. Ortopedia dhe kardiokirurgjia janë shërbime të cilat kanë përfituar më pak se 1 milion lekë në formën e të ardhurave dytësore. Po ashtu edhe shërbimi i radiologjisë nuk ka arritur ta kapë shifrën e 1 milion lekëve.
Të ardhura dytësore nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor janë mbi 5 milionë lekë dhe totali i fondit të mbledhur nga të pasiguruarit që kanë marrë shërbim në QSUT shkon në 450 milion lekë të vjetra ose 45 milion lekë të reja.
#