Letërsia, programe orientuese për vepra që nxënësi nuk i njeh
Ka mbërritur tashmë nëpër shkollat e mesme të Kukësit programi orientues i letërsisë për provimet me zgjedhje. Në ditët e ardhshme do të ndodhë e njëjta gjë edhe për programet orientuese të lëndëve të tjera, ndërsa koha deri në qershor do të shërbejë si periudhë përgatitore për nxënësit për lëndët e provimeve, sipas zgjedhjes që bëjnë. Deri këtu çdo gjë duket normale. Por nxënësit maturantë të shkollës së mesme në Bicaj pretendojnë se programi orientues i letërsisë i penalizon, në një farë mënyre, pasi siç tregojnë ata dhe siç shihet në program, ka një numër tekstesh që ata nuk i njohin dhe për pasojë mund të rrezikojnë cilësinë e notës përkatëse.
Nxënësit
Maturantja Elda thotë se programi orientues ka tekste të tilla që, siç thotë ajo, nxënësit as i kanë lexuar dhe as kanë mundësi që t’i gjejnë. Të tillë janë disa tituj të rinj si “Krishtlindje në Neë York” i I. Kadaresë nga libri “Ca pika shiu ranë mbi qelq”, tituj nga D. Agolli (“Kali plak”) nga libri “Pelegrini i vonuar”. Maturantja tjetër, Jetmira, thotë se nëse në provimin e maturës të bie t’i përgjigjesh një pyetjeje për një vepër të palexuar, kjo do të thotë që nxënësi të mos ketë mundësi të përgjigjet. “Si të përgjigjem për një vepër të palexuar? Ministria së bashku me programin le të na dërgonte edhe tekstet përkatëse, kështu tani, ne ndjehemi të penalizuar”, thotë Jetmira, duke shtuar se ka udhëtuar në qytetin e Kukësit për të gjetur në bibliotekën publike veprat e dhëna, por nuk i ka gjetur. Shqetësimi për mungesën e teksteve të paracaktuar në program përbën emëruesin e përbashkët për krejt shkollën Bicaj, e ndoshta edhe për shkolla të tjera. Një maturant tjetër, Fisniku, thotë se poeti i madh Poradeci nuk është tërësisht i njohur për ta. Madje në program është vënë poezia “Mbarim vjeshte”, që nuk përfshihet në tekstin e letërsisë dhe përderisa libra të Poradecit nuk gjenden, si ta kuptojnë ata përmbajtjen e veprës. “Nuk di si do bëjmë, këtu nuk ka as bibliotekë dhe as librari” thotë Fisniku.
Mësuesi specialist
Edhe për mësuesit ekziston ky problem, pra mosgjetja në bibliotekat publike, aq më pak të shkollës, e një libri të caktuar. Mësuesi i letërsisë, Trandafil Shehu, thotë se mungesa e botimeve letrare në bibliotekat tona ndikon negativisht në formimin e përgjithshëm të nxënësit, për më tepër, në provimet me zgjedhje. “Një nxënës në provimin e Maturës Shtetërore bën një analizë të plotë të tekstit të dhënë kur ai ka lexuar librin e plotë të autorit, nuk është i mjaftueshëm një fragment i veprës, edhe kur ky fragment ndodhet në tekstin e letërsisë”, thotë Shehu. Ai thotë se nxënësit duhet t’i lexojnë domosdo këto vepra letrare për të kuptuar veçoritë e stilit të autorit, gjuhën artistike, idetë etj., dhe vetëm atëherë nxënësi është në gjendje të nisë analizën. Në tërësi nxënësit e grupuar në reagimin për përmbajtjen e programit orientues të letërsisë ishin nxënës të 10-ve, gjë që u pohua edhe nga mësuesit. Mësues të tjerë pohojnë me gjysmë zëri këtë fakt, duke menduar se mos po prishin punë me ata të ministrisë që kanë dërguar programin. “Synimi është që të gjitha veprat e futura në program të lexohen nga nxënësit, por ku t’i gjejmë ato, bibliotekat tona janë tepër të varfra”, thotë mësuesi.
Edhe Drejtoria e Arsimit në Kukës e njeh si shqetësim mungesën e librit në bibliotekat publike. Inspektorja Farie Zeneli i bashkohet idesë që shteti duhet t’i dërgojë nxënësit, jo programin, por edhe librin, pasi siç tha ajo, bibliotekat e shkollave paraqesin mangësi. Edhe një program i vetë dikasterit të arsimit për librin artistik etj., ka synuar pajisjen me libra vetëm në shkollat relativisht të mëdha. “Kemi pajisur me libra të ndryshëm, sidomos ato që përfshihen në programet mësimore, vetëm shkollat që kanë mbi 600 nxënës, siç është shkolla e mesme e Kukësit dhe ndonjë shkollë tjetër. Por shkolla e Bicajve nuk i ka 600 nxënës”, tha inspektorja.
Shkolla e mesme në Bicaj ka rreth 450 nxënës, ndërsa matura e sivjetshme ka tre paralele me 84 nxënës. Një pretendim tjetër i nxënësve maturantë të kësaj shkolle ka të bëjë me ditën e provimeve me zgjedhje. “Ndoshta nuk e dëgjon askush zërin tonë, por nuk e quajmë normale të zhvillojmë në të njëjtën ditë, p.sh., edhe provimin e biologjisë edhe atë të kimisë, nuk mund të ruajmë të njëjtin kualitet gjatë gjithë kohës në dy provime”, thotë një maturante.
#