Tiranë, nisma Një qytetar një pemë vijon para Presidencës

Eagle
Mobile shpall 2010-ën Vitin e Mjedisit
English Version
Tiranë, 5 Shkurt NOA - Për të dytin vit
radhazi, kompania celulare Eagle Mobile sha i është bashkuar nismës së
suksesshme të Bashkisë së Tiranës, Një qytetar një pemë, duke kontribuar në
mbjelljen e 25 pishave të buta, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, para
Presidencës.
Kompania celulare Eagle Mobile ka shpallur
2010-ën Vitin e Mjedisit. Pas projektit mjaft të suksesshëm social Në Ndihmë
të Fëmijëve Jetimë Eagle ka çelur këtë vit me një tjetër projekt shumë të
rëndësishëm me impakt social. Viti i Mjedisit ka nisur me mbjelljen e 25
pemëve pisha të buta në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Përkujdesja e kësaj kompanie për mjedisin ka
nisur që në vitin 2009, ku në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, u mbollën 38
pisha të buta.
Në këtë eveniment merrnin pjesë Kryetari i
Bashkisë z. Edi Rama, zv. Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile z. Bulent
Dorttepe, si dhe drejtues të tjerë të kompanisë dhe institucionit të Bashkisë
Tiranë.
Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile Bulent
Dorttepe dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, së bashku me drejtues të
tjerë të lartë të Kompanisë dhe institucionit të Bashkisë, janë angazhuar
fizikisht gjatë mbjelljeve.
Z. Dorttepe gjatë këtij aktiviteti ka theksuar
se nuk është hera e parë që Eagle Mobile jep kontribut për mjedisin dhe shtoi
se Jemi të kënaqur që bashkëpunojmë me Bashkinë e Tiranës, - tha Dorttepe.
Ky është projekti i parë social për vitin
2010, ku po mbështesim mbjelljen e 25 pemëve në bulevardin kryesor të Tiranës.
Eagle deklaron vitin 2010 Vitin e Mjedisit. Kjo është fusha kryesore ku Eagle
do të përqendrohet këtë vit. Dëshirojmë të japin shembullin dhe mbështetjen
tonë për të mbrojtur mjedisin, mjaft jetik për të gjithë. Prandaj dhe sot jemi
këtu me drejtuesit e Eagle Mobile që japin shembullin e mirë, - tha Dorttepe.
Ne mbështetëm në 2009-ën Fëmijët Jetimë dhe
po e përmbyllim me sukses këtë iniciativë. Bursat tona të akorduara për fëmijët
jetimë do të vazhdojnë. U bëjmë thirrje edhe kompanive, bizneseve dhe aktorëve
të tjerë të shoqërisë shqiptare për të dhënë kontributin e tyre këtë vit për
mjedisin. Le ta ndryshojmë, sepse kështu do të ndryshojmë për mirë jetën tonë,
- shtoi z. Dorttepe.
Ndërsa kryetari i Bashkisë z. Edi Rama tha se
është kënaqësi dhe inkurajim i jashtëzakonshëm që me fillimin e sezonit të ri
vendosim një gur të ri në murin e traditës së angazhimit të të gjithëve për një
Tiranë më të gjelbër dhe të pastër, me përfshirjen e kompanive dhe individëve
që marrin pjesë në këtë nismë.
Është kënaqësi dhe inkurajim i
jashtëzakonshëm që me fillimin e sezonit të ri të mbjelljeve, ne të vendosim
një gur tjetër në murin e traditës së angazhimit të gjithëve për një Tiranë më
të gjelbër, më të pastër, për një Tiranë më cilësore, me përfshirjen e
kompanive dhe të individëve që marrin pjesë në këtë nismë, duke i dhënë një
përmasë angazhimi komunitar dhe qytetar, kësaj përpjekjeje e cila ka filluar të
japë frytet e saj të kënaqshme, në një kryeqytet ku përmasa e gjelbër jo vetëm
është shtuar ndjeshëm, por tani është bërë edhe e dukshme, duke bërë që të
gjithë ata që e vizitojnë Tiranën pas disa vitesh, apo për herë të parë, të
shprehin surprizën se ky qytet është një qytet i cili tashmë është i pastër, i
cili tashmë bëhet përditë e më i gjelbër, - u shpreh Kryebashkiaku Rama, në
praninë edhe të përfaqësuesve të kompanisë Eagle Mobile.
Sigurisht ka ende shumë për të bërë, - tha më
tej Rama, - por dhjetëra mijëra pemët dhe rrënjët e drurëve apo shkurreve
dekorative që ne kemi mbjellë, janë një bazë e shkëlqyer për të vazhduar e
shkuar përpara dhe për të parë tanimë qartë në horizont një Tiranë europiane, e
cila është edhe një Tiranë e gjelbër.
Angazhimi
i kompanive ka filluar të japë frytet e saj të kënaqshme në një kryeqytet ku
për masa e gjelbër është bërë e dukshme. Sigurisht ka shumë për të bërë por
pemët dhe gjelbërimi janë një bazë e shkëlqyer për të parë një Tirana të pastër
dhe Evropiane, - ka përfunduar Rama.
Projekti mbi mjedisin do të konsistojë në një
bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe partnerë të tjerë të shoqërive civile,
ndërkohë që një rëndësi të veçantë do të ketë bashkëpunimi me mediat, që ka të
bëjë me ndërgjegjësimin e publikut mbi mjedisin.
Kompania Eagle Mobile që në fillimin e
aktivitetit të saj ka qenë mjaft e ndjeshme ndaj çështjeve me impakte të
rëndësishme sociale. Kjo kompani për herë të parë ndërmori projektin Biznesi
në ndihmë të fëmijëve Jetimë, ku me ftesë të saj u përfshinë 25 biznese të
tjera për të kontribuuar sipas mundësive dhe mënyrave të veta.
Ndërkohë Eagle Mobile do të vazhdojë të
mbështesë me bursat e akorduara të studimit 20 fëmijët jetimë për studime të
mesme dhe të larta.
***
Nisma e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës ka
gjetur përkrahje të gjerë në komunitetin kryeqytetas, por janë të shumta edhe
kompanitë private, shoqatat jo fitimprurëse, agjencitë, bizneset e mëdha dhe të
vogla, donatorë vendas e të huaj, shoqëritë e ndryshme të cilat në mënyrë
vullnetare janë bërë pjesë e kësaj iniciative, duke kontribuar në shtimin e
hapësirave të gjelbra në kryeqytet.
Përmes këtij aksioni qytetar, të gjithë këto subjekte,
por edhe vetë banorët e Tiranës synojnë të japin ndihmesën e tyre në pastrimin
e ajrit, uljen e ndotjes dhe krijimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm, në
funksion të rritjes së cilësisë së jetës në komunitet.
Një qytetar-një pemë është më shumë se të
mbjellësh pemë, është një thirrje për veprim e cila synon gjithashtu të ndikojë
pozitivisht, në rritjen e vlerave të komunitetit e rivitalizimin e tyre, duke
nxitur njëkohësisht ndjeshmërinë dhe pjesëmarrjen qytetare në këto nisma.
e.r/NOA
English Version