E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ardhurat për frymë, vetëm 50 USD

Rritja e çmimeve rrit numrin e familjeve të varfra.

 Në Shqipëri, rritja e çmimeve ka një efekt negativ më të madh se në çdo vend tjetër, pasi edhe të ardhurat janë në nivele goxha të ulëta, gati 50 dollarë për frymë. Vetëm pak ditë më parë ekspertët e Bankës Botërore deklaruan se, një rritje prej 5 për qind e ushqimeve mund të rrisë nivelin e varfërisë me 2 deri në 3 për qind. Në fakt, çmimet e disa mallrave si drithëra dhe karburante janë rritur në të gjitha tregjet, por në vende si Shqipëria ndikimi mund të jetë veçanërisht i ndjeshëm, sepse konsumi i artikujve ushqimorë përbën pjesën më të madhe të konsumit të tyre. Sipas ndërkombëtarëve, shumë familje shqiptare ndodhen vetëm shumë pak larg kufirit ndarës të varfërisë. Kështu një rritje e vogël çmimeve i sjell ata në nivelin e varfërisë. Ndërkohë, sipas ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si pasojë e situatës së vështirë që është krijuar në shumë vende të botës, rritja ekonomike do të ulet me 0.3 për qind. Më të rrezikuara janë vendet e vendet e reja të Evropës, ku bëjnë pjesë ato vende që nuk janë anëtarësuar ende në BE. Këtu përfshihet edhe vendi ynë. Sipas FMN-së, rritja ekonomike në vendet e reja të Evropës pritet të zbutet nga 5.5 % në 2008 dhe 5.2 % në 2009, nga 6.9 % që ka qenë në vitin 2007. Përballë një situatë të tillë, ku rritja e çmimeve të mallrave ushqimore duket se nuk ka të ndaluar, ekspertët e Bankës Botërore i kanë rekomanduar qeverisë që të ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, në mënyrë që të përballojë këtë krizë botërore të çmimeve të ushqimeve. Ata i kanë këshilluar qeveritë e Rajonit që të ndihmojnë shtresat më të dobëta të popullsisë në përballimin e këtyre problemeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›