E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programet sociale, si do të kontrollohen përfituesit

Por dhënia e ndihmës ekonomike nga shteti do të monitorohet si duhet për të shmangur abuzimet. Kjo, pasi jo pak familje e kanë përfituar atë edhe kur nuk e kanë merituar.

Gjithçka është përcaktuar në ndryshimet që ka pësuar vendimi "Për procedurat e kryerjes së kontrollit të ndihmës ekonomike, të pagesës së aftësisë së kufizuar dhe shërbimeve shoqërore". Sipas Ministrisë së Punës, e cila i ka propozuar, me anë të këtyre ndryshimeve synohet rritja e forcës goditëse të kontrollit ndaj personave dhe institucioneve që tentojnë apo nuk zbatojnë rregullat ligjore. Kjo në procesin e zbatimit të programeve të mbrojtjes sociale, të përfitimit të familjeve nga programi i ndihmës ekonomike, të përfitimit të personave me aftësi të kufizuar, si edhe zbatimit të legjislacionit në fushën e shërbimeve që ofrohen për grupet në nevojë. Do të jetë Inspektorati i Ndihmës Ekonomike, në nivel qendror dhe rajonal, i cili do kontrollojë zbatimin e detyrimeve ligjore për dhënien e informacionit në kohë dhe cilësi në çdo bashki/komunë nga institucionet qendrore. Vendimi i djeshëm përcakton gjithashtu masat e sanksionet që do të zbatojë autoriteti kontrollues lidhur me shkeljet e rregullave. Ato variojnë nga dhënia e gjobës, vërejtje me shkrim, propozim për largim nga puna dhe propozim për fillimin e procedurave nga autoriteti kompetent, për punonjësit që kanë abuzuar me detyrën. Sipas Ministrisë së Punës, këto masa do të rrisin autoritetin dhe efikasitetin e organeve kontrolluese, duke krijuar mundësi për parandalimin e rasteve abuzive. Deri tani kontrolli lidhur me zbatimin e detyrimeve për dhënien e këtij informacioni nuk ka qenë objekt i punës së inspektoratit apo të auditit. Kjo shpesh ka krijuar mundësinë e krijimit të hapësirave të përfitimit të padrejtë nga programet dhe skemat sociale për njerëzit në nevojë, që zbatojnë bashkitë/komunat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›