E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kambo Marshall" kërkon ulje dënimi 90 ditë në gjykatë

TIRANË- Ish-bosi i firmës piramidale "kambo marshall" kërkon sërish ulje dënimi nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Ylli Kambo nuk ka hequr dorë nga kërkesa për ulje dënimi për të disatën herë megjithëse ka dështuar në tentativat e mëparshme.


Njëri prej ish-bosëve më të dëgjuar të firmave piramidale që zhvilluan aktivitetin e tyre kriminal në vitin 1997 në vendi tonë i është rikthyer dyerve të gjykatës me kërkesën e ripërsëritur për të ulur dënimin. Numri i çështjes është 415 dhe kërkesa është regjistruar në gjykatën e Tiranës në datën 2 shkurt 2009. çështja është hedhur në short dhe gjyqtari që do të gjykojë këtë kërkesë është Altin Abdiu. Pritet që në ditët e ardhshme të gjykohet kërkesa e ish-bosit të firmës piramidale.

Disa javë më parë në këtë gjykatë është regjistruar kërkesa e Ylli Kambos për pavlefshmëri absolute të akteve administrative dhe konkretisht të dy vendimeve të dënimit të tij që janë marrë në vitet 1998 dhe 2001.

Ai pretendon se gjatë zhvillimit të proceseve ai ka qenë jashtë shtetit dhe prokurori i çështjes nuk i ka dërguar fletë-thirrje për ta vënë në dijeni lidhur me to. Në të njëjtën kërkesë, ish-bosi i firmës piramidale akuzon se ai është gjykuar pa prezencën në seancat gjyqësore të një avokati mbrojtës dhe kjo i ka dëmtuar seriozisht proceset, madje duke i bërë ato të pavlefshme. Bazuar në këto kërkesa, Ylli Kambo, deklaron se është duke u mbajtur padrejtësisht në burg dhe kërkon nga gjykata e kryeqytetit që të lirohet. Sipas gjykatës, Ylli Kambo u arrestua në shkurt të vitit 2003 në Rumani dhe u ekstradua në Shqipëri një vit më pas, për të vuajtur dënimin me 7 vjet burg për "vjedhjes në shuma të mëdha me anë të mashtrimit" nga ana e Gjykatës së Apelit në Tiranë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›