E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të bëhet gjithçka për shtrirjen e internetit në çdo qelizë shqiptare

31-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha kërkon nga ministritë përkatëse zgjidhjen emergjente të disa problemeve të ngritura nga banorët e Urës Vajgurore, në bashkëbisedimin e zhvilluar me ta

Këshilli i Ministrave miratoi dje Planin Kombëtar për Zhvillimin e Broadbandi-t. Në fjalën e tij, kryeministri Sali Berisha, i cili e veçoi këtë vendim si një ndër më të rëndësishmit e rendit të ditës u shpreh se progresi i Shqipërisë në fushën dixhitale është sot një nga realitet më të prekshme. Kryeministri shpjegoi se ky plan ka dy qëllime madhore, njëri prej të cilëve është që Shqipëria të jetë vend lider në rajon, për teknologjinë e informacionit. “Progresi i Shqipërisë në fushën dixhitale është një nga realitet më të prekshme sot. Disa nga praktikat dixhitale të vendit, ndodhi që të jenë të parat që të instalohen në ndonjë vend, siç ishte prokurimi elektronik, por të tilla janë dhe praktika në sistemin e drejtësisë, në sisteme të tjera. Faktikisht Shqipëria ka një listë të gjatë shërbimesh që ofron në praktikën dixhitale, nga prokurimet dhe tek e fundit që inauguruam sot, pagesa elektronike në dogana, një arritje e madhe kjo që i kursen kohë bizneseve. Por shmang edhe korrupsionin. Ky plan ka dy qëllime madhore. Qëllimi madhor i tij është Shqipëria vend lider në teknologjinë e informacionit në rajon. Pra mbi këtë platformë, zbatimin e saj qëndrojnë infrastruktura e domosdoshme dixhitale që Shqipëria të lartësojë pozicionin e saj dhe të marrë një vend lider në teknologjitë e larta të informacionit, si në aplikimin brenda vendit, por dhe eksportin  e tyre. Ky plan bën të mundur shtrirjen  e përdorimit të internetit në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, institucionet publike, private cilatdoqofshin ato. Ky plan bën të mundur që qytetari shqiptar të marrë internet të cilësisë më të larta, të shpejtësisë më të madhe, të spektrit më të gjerë. Ky plan bën të mundur që shqiptarët të marrin internet me koston më të ulët se sa vende të tjera përreth. Ky plan bën të mundur që qytetarët shqiptarë të kenë të gjitha shërbimet në celularin e tyre, sikundër bën të mundur shërbimin e One stop Shop për të gjitha shërbimet në mbarë vendin. Pra siç konstatoni programin tonë për 4 vitet që vijnë ne po e miratojmë para zgjedhjeve, në tërësinë  e tyre, sepse koha është më e çmuara dhe nuk mund të pritet, përkundrazi duhet të bëjmë gjithçka për miratimin e tij sa më të shpejtë”- u shpreh kryeministri Berisha.
Gjithashtu, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha veçoi vendimin për “Përcaktimin e procedurave të shënjimit të naftës bruto dhe të nënprodukteve të naftës. Duke folur mbi këtë vendim, kryeministri u shpreh se “Kjo praktikë që fillon me njërën prej teknologjive më të mira që ekzistojnë do të parandalojë abuzivitetin real të përzierjeve të karburanteve të dëmshme, pasi ky lloj shënimi qartëson çdo lloj manipulimi që mund të bëhet me karburantin dhe kjo është një arritje e madhe”.
Më tej, kryeministri u ndal edhe në disa vendime të tjera për transferime pronash, si dhe kërkoi nga ministritë përkatëse marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e disa problemeve të ngritura nga qytetarët e Urës Vajgurore, në bashkëbisedimin e djeshëm që kryeministri pati me ta. “Janë disa transferime pronash në komuna dhe bashki të ndryshme. Janë disa zgjidhje që i jepen për banorët, për strehimin  e tyre 300 familjeve në Kamëz që për arsye madhore kanë lëvizur nga zonat e tyre ku banonin. Qeveria merr përsipër një sistemin të tyre në përputhje me kushtet dhe mundësitë. Por tani kemi një problem, në Urën Vajgurore ka ndodhur dhe ata banorët me shumë të drejtë më ngritën. Janë një seri banesash që nga viti 1997 është bërë një diskriminim i qartë në trajtimin e tyre. Prandaj kjo çështje do të ngrihet me shpejtësi në qeveri dhe të marrë zgjidhjen e duhur. Sikundër ministri Ruli, problem serioz i tyre është Osumi që po jua gërryen tokën. Prandaj në mënyrë emergjentë të bëhet projekti dhe unë u angazhova që të vendosim sepse kudo toka është e çmuar, por në Berat dhe aty ku e punojnë është tre herë më e çmuar, prandaj duhet të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur atë tokë. Gjithashtu janë një numër shumë i madh legalizimesh të cilat kalojnë për të marrë tapitë. Miratohet marrëveshja e hidrokarbureve me kompaninë San Leon, e cila është një kompani shumë optimiste për sasira në bilionë gazi dhe naftë në detin Adriatik, afër Durrësit”- theksoi kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›