Përurohet sistemi i e-doganave - hap drejt transparencës

Berisha garanton biznesin: S’do heqim dorë nga ulja e taksave - Edi Rama ka modelin e shtypjes së biznesit, injorant nga taksat
“Garantoj biznesmenët se ne nuk heqim dorë nga ulja e taksave, por pas kaq vitesh jemi më të bindur se ulja e mëtejshme e taksës është rruga më e sigurt e suksesit të biznesit, e punësimit të shqiptarëve si dhe për zhvillimin e shpejtë të Shqipërisë”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, gjatë përurimit të sistemit elektronik të doganave, një investim me vlerë 80 mijë dollarë. Kreu i Ekzekutivit tha se në 4 vitet që vijnë qeveria do bëjë gjithçka për t’u shndërruar në një vend lider në rajon në teknologji si dhe do të rrisim në mënyrë shumë më të madhe transparencën e të gjitha shërbimeve në vend. Berisha tha se “në një hark kohor të shkurtër 6 vjeçar, të ardhurat në këtë vend, me filozofinë e taksave të ulëta, kanë qenë 9.2 miliardë dollarë më shumë”. “Nëse të ardhurat janë rritur në mënyrë kaq të ndjeshme është sepse në një proporcion më të madh janë rritur bizneset”. Duke iu referuar deklaratave të kreut të PS-së për heqjen e taksës për 95% të shqiptarëve, Kryeministri tha se “para nesh qëndron një analfabet për taksat, por kjo është përgjegjësi e shoqërisë, jo e imja që të mësoj Kryetarin e PS-së për taksat. Një ditë vjen para kryeministrisë e proteston pse ula taksat, ndërsa ditën tjetër thotë që 95 % e shqiptarëve nuk do paguajnë taksa”. Duke iu referuar projektit të ri të Doganave, shefi i qeverisë vlerësoi se ky projekt shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimit tonë doganor, rritjen e transparencës, shkurtimin e kohës në pagesë si edhe renditjen e doganave te vendit në nivele të shërbimeve të larta teknologjike. “Shqipëria dixhitale është sot projekt real, i cili bëri të mundur anëtarësime të mëdha të qeverisë në qindra projekte, shtrirjen e internetit në të katër anët e vendit dhe ky vrap nuk do të ndalet”, theksoi ai. Duke inkurajuar që të bëhet gjithçka për të aplikuar shkallën më të lartë të teknologjisë së informacionit, të sotëm dhe asaj që vjen, shefi i qeverisë kërkoi një marrëdhënie me transparente me biznesin. “Platforma jonë është klima më miqësore e mundshme ndaj biznesit dhe kërkesat e tyre duhet të shqyrtohen me seriozitetin më të madh”, deklaroi Berisha. Gjithashtu, kryeministri i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave që të bashkëbisedojë me Shoqatën e Transportuesve, pasi sipas tij, “ata janë burra që mbajnë Shqipërinë mbi supe dhe ne duhet të dëgjojmë kërkesat e tyre dhe tu krijojmë kushtet më optimale”.