E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Të bësh art në Izraelin e luftës"

Ndërsa mediat botërore lajmërojnë vazhdimisht për sulme ushtarake, të plagosur e të vrarë, dy artistë izraelitë kanë udhëtuar drejt Tiranës me një mision arti. Bashkëshortët Nissim Tal dhe Raya Zommer-Tal, drejtues muzesh në vendin e tyre, kanë qenë anëtarët e jurisë që vlerësoi punët e konkursit ndërkombëtar të arteve pamore "Onufri 2008" në Galerinë Kombëtare të Arteve. Për Raya Zommer (kryetare e jurisë), drejtuese e "Janco-Dada Museum" dhe Nissim Tal, drejtor i përgjithshëm i muzeve të Haifas, të dy të përkushtuar ndaj artit bashkëkohor izraelit, ishte kontakti i parë me artin shqiptar. Ata qëndruan vetëm pak ditë në Tiranë, po nga aq sa panë, më së shumti në "Onufri", theksojnë se karakteristikë e artistëve shqiptarë është ikja nga vetja dhe fokusimi në atë që i rrethon: qyteti, jeta dhe problemet sociale të saj. Ata besojnë se ky orientim vjen edhe si pasojë e mjedisit ku kultivohet një artist. Kështu ndodh edhe me ////////ata izraelitë. Konfliktet që zgjatin me vite në Izrael, të intensifikuara javët e fundit, kanë kushtëzuar deri diku edhe shprehjen artistike. "Artistët janë të ndjeshëm. Si pjesë e shoqërisë ata reagojnë me punët e tyre ndaj zhvillimeve politike. Më shumë se nacionalistë, janë kritikues të shoqërisë dhe veprimeve ushtarake", shprehet Nissim Tal. Shembull i këtij reflektimi është ekspozita që hapet vetëm pas dy ditësh në Muzeun e Artit të Haifas, e cila titullohet "Historia e dhunës". Ndonëse Tal shpjegon se koncepti nuk ndalet vetëm në aspektin politik të saj, e veçanërisht në konfliktin më të fundit, vetë zgjedhja e kësaj teme shpjegon qëndrimin e artistëve ndaj realitetit që përjetojnë. Gjithsesi, Nissim Tal shpjegon se këto kohë, lufta ka përfshirë vetëm disa qytete të vogla dhe zona të banuara rreth Gazës, ndërsa artistët janë të lirë të shprehen pa asnjë lloj censure. "Muzetë te ne kanë pavarësinë e tyre artistike dhe lejojnë çdokënd që është artist të thotë gjithçka që ndien pa censurë", thekson Tal. Vizita e tyre e parë në Tiranë do të pasohet me projekte të përbashkëta. Gjatë qëndrimit të tyre u përfol për një ekspozitë shqiptare në Izrael dhe një tjetër e artit izraelit në Tiranë. Veç kësaj, të dy artistët dëshirojnë të rikthehen për t‘u njohur më shumë me artin në vendin tonë.

Pjesëmarrja në jurinë e konkursit ndërkombëtar të arteve pamore "Onufri" ishte udhëtimi juaj i parë në Shqipëri. Gjatë këtyre ditëve qëndrimi, cila ishte përshtypja që ju morët për artin bashkëkohor shqiptar?

Raya Zommer-Tal: Koha e qëndrimit ishte e shkurtër dhe idenë për artin bashkëkohor shqiptar e kemi krijuar më së shumti nga ato që pamë tek "Onufri". Përgjithësisht arti flet në një gjuhë ndërkombëtare, por, nga ana tjetër, ka karakteristikat e tij të veçanta. Nga punët pjesëmarrëse që pamë në ekspozitë, kam idenë se arti shqiptar fokusohet sidomos te jeta urbane. Karakteristike e këtij arti është që artistët nuk fokusohen te vetja, por tek ajo që e rrethon. Në këtë rast jeta, qyteti.

Nissim Tal: Punët e ekspozuara tek "Onufri" janë delikate. Në to kombinohet forca shprehëse me jetën sociale. Një gjë të tillë e vura re sidomos në punën e Alban Hajdinajt të quajtur "Sara dhe Alisa". Artistët përqendrohen te jeta sociale dhe japin opinionin, apo mendimet e tyre për zhvillimet sociale.

Është e zakonshme që në vizita të tilla të lindin bashkëpunime mes palëve. Edhe në këtë rast u fol për një ekspozitë shqiptare në Izrael. Diçka më shumë për këtë projekt, ku do të realizohet, çfarë do të ekspozohet?

Raya Zommer-Tal: Pas vizitës sonë dhe njohjes deri diku me artin shqiptar, sigurisht që do të kisha dëshiruar të zhvillohej një projekt i përbashkët. Mendoj se diçka do të ndodhë në muajin shtator, por për detajet i takon drejtorit të Galerisë së Arteve, Rubens Shimës, që të vendosë. Ai do të vendosë mbi ç‘kritere do të organizohet kjo ekspozitë dhe çfarë do të ekspozohet. Unë do të kisha zgjedhur shumë nga punët që janë në këtë ekspozitë.

Ne jemi të hapur ta zhvillojmë këtë projekt së bashku. Njëkohësisht ne kemi edhe një projekt më të hershëm. Është menduar që unë të kthehem sërish në Tiranë si kuratore e një ekspozite arti izraelit në Shqipëri.

Ju jetoni dhe drejtoni muze arti në Izrael, i cili pushton titujt kryesorë të mediave ndërkombëtare për sulme ushtarake. Si është jeta e përditshme?

Nissim Tal: Nëse e sheh nga jashtë situatën në Izrael të duket sikur i gjithë vendi është përfshirë në luftë. Por në të vërtetë gjendja nuk është e tillë. Vetëm disa qytete të vogla dhe zonat e banuara rreth e qark Gazës janë ato të përfshira në luftë. Pjesa tjetër e Izraelit nuk është prekur shumë nga sulmet e fundit, përveçse marrin edhe ata lajmet përmes edicioneve televizive, apo gazetave.

Po situata artistike si është?

Nissim Tal: Sigurisht që situatat e konflikteve reflektojnë edhe në atë artistike. Në datën 24 janar, në Muzeun e Artit në Haifa do të hapet një ekspozitë e titulluar "Historia e dhunës" (History of Violence). Që nga titulli i kësaj ekspozite kuptohet që përqendrohet mbi vetë situatën politike. Kjo situatë nuk është diçka e re që ka filluar tri javë më parë. Kjo gjendje zgjat prej vitesh dhe artistët, si pjesë e shoqërisë, e reflektojnë në punët e tyre situatën në të cilën gjendet Izraeli sot.

Është një ekspozitë e përqendruar në konfliktin e fundit dhe në pikëpamjen sociale të tij?

Nassim Tal: Janë punë të mbështetura në të dyja aspektet: atë social dhe përshkrimor. Por ekspozita më së shumti i kapërcen barrierat nacionale. Dhuna është një fenomen ndërkombëtar. Gjysma e artistëve që ekspozojnë janë izraelitë dhe gjysma janë artistë të ftuar nga jashtë, posaçërisht për këtë aktivitet. Disa nga artistët janë arabë dhe ata vetë tregojnë se si e përjetojnë pushtimin. Bëhet fjalë për përfaqësime artistike të dhunës, që nuk është e lidhur vetëm me aspektin politik të saj. Flasim për dhunën në familje, në shoqëri, në të gjitha aspektet.

Si ndihet një artist në Izrael?

Natyrisht që artistët janë shumë të ndjeshëm ndaj zhvillimeve që ndodhin në vend. Pikëpamjet e tyre janë shumë majtiste dhe jo shumë nacionaliste. Ata kritikojnë qeverinë, apo ushtrinë. Muzetë te ne kanë pavarësinë e tyre artistike dhe lejojnë çdokënd që është artist të thotë gjithçka që ndien pa censurë.

Që të dy jeni drejtues muzesh arti. Në çfarë politikash janë orientuar këto institucione?

Raya Zommer-Tal: Në muzeun që unë drejtoj, "Janco-Dada", fokusohemi në artin e mirë e të vlefshëm kontemporan. Muzeu im ka si specifikë të tij të fokusohet te dadaizmi dhe arti avangard.

Nissim Tal: "Haifa museums" i dedikohet artit kontemporan izraelit dhe ndërkombëtar, ndërsa si kategori e veçantë fokusohemi tek artistët e rinj të artit kontemporan izraelit dhe atij ndërkombëtar.

Në kalendarin e vitit 2009 të muzeve tuaj ka një mori ekspozitash që presin të çelen. Si është raporti mes ekspozitave të artit bashkëkohor dhe të atyre të traditës?

Raya Zommer-Tal: Nuk mund ta kuptosh artin kontemporan pa pasur një ide të qartë mbi gjenezën dhe prejardhjen. Për ta ilustruar këtë ne hapëm një ekspozitë tradicionale mbi dadaizmin dhe surealizmin. Por, njëkohësisht, në të njëjtin muze çelëm edhe një ekspozitë me video bashkëkohore të artistëve të rinj për të nënvizuar vazhdimësinë.

Nissim Tal: Në muzeun tonë ka një vazhdimësi të punëve të viteve ‘60-‘70-‘80. Disa nga artistët jetojnë e punojnë akoma dhe prezantohen në ekspozita ndërkombëtare të artit kontemporan. Vetëm pak kohë më parë instaluam një ekspozitë që fokusohej në zhvillimet historike të artit në vitet ‘80.

Pas kësaj vizite të parë, do të donit të ktheheshit për të njohur më shumë art shqiptar?

Natyrisht. Besoj se kemi ende shumë për të parë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›