E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Petrovci lë Kosovën, shpërngulet në Tiranë

Do të kalojë edhe ditët e fundit të këtij muaji në Kosovë, para se të shpërngulet në Tiranë. Aktori i njohur kosovar, Enver Petrovci, ka vendosur që të vijë të jetojë dhe të punojë në kryeqytetin shqiptar. Vetë aktori, përveç shumë arsyeve të tjera, e shpjegon këtë shpërngulje me synimin për të përmbushur ambiciet e tij artistike. Në prononcimin e tij për mediat kosovare, Petrovci ka thënë se "gjendja në skenën tonë kulturore është arsyeja më e madhe. Tani, kur jam në moshën më të mirë artistike, unë këtu jam pa punë. Nuk jam duke parë ndonjë perspektivë në Kosovë, shpresoj se në Shqipëri do të përmbushen ambiciet e mia artistike". Artisti ka bërë të ditur se nga Teatri Kombëtar i Tiranës fillimisht i është mundësuar realizimi i një shfaqjeje.

Ndërsa është shprehur më tej se ka kërkuar nga rektorati i Akademisë së Arteve në Tiranë që t‘i mundësohet punësimi si pedagog, ndërsa, sipas tij, zëvendësministri i Kulturës në Shqipëri i ka ofruar hapjen e një shkolle private këtu. Petrovci ka bërë të ditur se fillimisht do të shkojë vetëm dhe më pas nëse do të realizohen të gjitha, do të zhvendoset edhe familja e tij. Aktori Enver Petrovci vitet e fundit ka qenë i pranishëm me disa prodhime artistike për publikun shqiptar. Qoftë kjo në teatër, ku është vlerësuar edhe me çmimin e aktorit më të mirë protagonist në festivalin e aktrimit "Apolon ‘07", por edhe në film. Regjisori Spartak Pecani i ofroi një rol në filmin "Sekretet", ndërkohë që së fundmi është protagonist edhe i serialit "Familjet", një prodhim i "DigitAlb" që do të shfaqet së shpejti me skenar të Haqif Mulliqit dhe regji të Sunaj Racës. Edhe në intervista të mëparshme në shtypin shqiptar, Enver Petrovci ishte shprehur i pakënaqur për vlerësimin që i bëhej si aktor në Kosovë. "Në Kosovë kam përshtypjen sikur nuk është pritur mirë nisma ime për krijimin e kompanisë private "Teatri i Babës". Më ngroh vlerësimi i Tiranës, //////////teksa nga xhelozia, inate, mllefe... apo nuk e di çka t‘i cilësoj tjetër, në Prishtinë kjo më ka munguar", është shprehur Petrovci pas çmimit "Apolon ‘07". Shpeshherë ai ka theksuar se nuk ndihej artist. Mbetet për t‘u parë se sa aktori do t‘i përmbushë ambiciet e tij artistike në Tiranë, ku kolegët e tij flasin vazhdimisht për situatë të vështirë artistike. Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Është një aktor dhe regjisor shqiptar. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e Aktrimit, më pas mbaroi studimet universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd. Ka arritur një karrierë shumë të suksesshme në teatër nëpër mbarë ish-Jugosllavinë, duke u vlerësuar një nga aktorët më të famshëm të asaj kohe. Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura, duke arritur famë mjaft të madhe në kinematografinë ish-jugosllave, kosovare e ndërkombëtare. Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të dhënë lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë. Vitet e fundit, Petrovci provoi edhe të ishte i angazhuar në politikën kosovare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›