E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të bësh plazh me kredi

Autori i Lajmit: red.
Vera erdhi, por nuk ke para për të bërë pushime dinjitoze, brenda apo jashtë vendit? Kjo nuk është më një problem. Një kredi për pushime, që ofrohet nga të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend ta zgjidh menjëherë këtë shqetësim.
Për këtë kanë menduar shoqëritë turistike, si dhe bankat private, të cilat prej disa vitesh kanë programuar dhe aplikuar edhe ofrimin e kredive të vogla konsumatore për qytetarët që nuk i kanë mbledhur paratë për pushimet gjatë vitit. Këta individë i kanë tashmë të gjitha mundësitë që të marrin një hua në banka dhe të bëjnë pushime të mrekullueshme. Të gjitha bankat e nivelit të dytë e ofrojnë këtë mundësi, edhe pse në disa prej tyre kredia për pushime mund të gjendet edhe nën emërtimin “kredi personale”, apo “kredi konsumatore”. Në varësi të shumës që kërkoni të merrni, analistët e kredive llogarisin edhe shumën e parave që ju duhet të paguani çdo muaj (pasi të jeni kthyer nga pushimet). Ndërkaq, në procesin e kreditimit të individëve me kredi për konsum, bankat kanë ndjekur një politikë të moderuar shtrënguese. Sjellja e bankave në rastin e kredive për konsum ka qenë më e larmishme, megjithatë shtrëngimi i procedurave të kreditimit prej 3 bankave që zënë 42 për qind të tregut në këtë segment, ka përcaktuar kahun e balancës.
Kredia për pushime
Kreditë për pushime variojnë sipas nevojave të personit që kërkon të marrë kredi. Ato varen nga koha që ju kërkoni për t i shlyer pagesat mujore, si dhe nga mundësia që ju keni për ta paguar kredinë. Së pari, ju duhet të provoni në bankën që keni mundësi për të paguar, duke paraqitur një dokument që vërteton të ardhurat tuaja mujore. Përveç kësaj, ju duhet një garanci, që mund të jetë një pronë e paluajtshme, por edhe të ardhurat e një personi tjetër që del “dorëzanës” (garant) për ju. Afati i shlyerjes së kredive për pushime shkon deri në 36 muaj, ndërsa për kreditë personale deri në 7 vjet.
Në bazë të të ardhurave
Oficerët e kredisë sugjerojnë që kredia të merret në lekë, sepse kështu mund të shmangni fare mirë ndryshimet që pëson valuta. Nëse monedhat e huaja humbasin në kursin e këmbimit, kjo do të ndikojë edhe në pagesën tuaj, ose këstin mujor. Por bankat ofrojnë kredi në lek, dollar dhe euro. Nëse ju e merrni kredinë në euro do të jeni të detyruar ta shlyeni në euro. Interesi që kërkon banka në këmbim të parave që ju jep hua, varion nga 10-18 për qind në vit në banka të ndryshme. Oficerët e kredive ju llogarisin shumën që ju duhet të paguani sipas vlerës që kërkoni të merrni dhe kohës që planifikoni ta shlyeni. Sa më shumë ta zgjasni në kohë kredinë, aq më i vogël është edhe kësti mujor për t u paguar. Disa banka aplikojnë edhe një komision aplikimi për çdo kredi konsumatore, i cili shkon deri në 2 për qind të shumës së marrë.
Kredia konsumatore
Në disa banka kredia për pushime, apo për turizëm futet te kredia konsumatore. Shuma maksimale që ofrojnë këto banka për këtë lloj kredie shkon deri në 5 000 000 lekë dhe banka financon deri në 100 për qind të vlerës së investimit. Një klient që ka një llogari bankare mund ta përdorë një kredi konsumatore për mobilim të shtëpi, për blerje makine të re apo të përdorur, për blerje pajisjesh elektroshtëpiake, për rikonstruksion të ambienteve, për pajisje hidrosanitare, për turizëm, për studime apo kurse brenda dhe jashtë vendit, për organizime festash, për blerje më të vogla, si argjendari, orë, patentë, për bërje operacionesh kozmetike, okulistikë etj. Kredimarrësi mund të aplikojë për më shumë se një kredi konsumatore për qëllime të ndryshme, por kësti në total i kredive konsumatore nuk duhet të kalojë 35 për qind të të ardhurave neto të kredimarrësit.
Llogaria bankare
Në disa banka të nivelit të dytë është e nevojshme që lëvrimi i huas të bëhet në llogarinë e klientit. Pra, duhet që klienti, i cili aplikon për të marrë një kredi, të jetë klient i bankës. Një kusht i tillë është në favor të klientit, i cili në disa banka përfiton më shumë lehtësi dhe merr interesa më të mira, në disa këste mujore më të vogla dhe më të lehta për t u përballuar etj. Në disa banka nuk mbahet asnjë komision për procedurën e ndjekur, ndërsa disa të tjera kanë 1-2 për qind komision mirëmbajtjeje që paguhet që në fillim. Për plotësimin e dosjes shërben udhëzimi i procedurave të kredisë me gjithë dokumentacionin shtesë të nevojitur.
Dokumentet që duhen
Për të dhënë një kredi të çfarëdolloj tipi, bankat private kërkojnë dokumente si nga kredimarrësi ashtu dhe nga dorëzanësi (garanti) i tij. Për kredimarrësin kërkohen dokumentet e identifikimit, si letërnjoftimi, pasaporta, apo certifikata e muajve të fundit, certifikata familjare, një vërtetim vendbanimi që duhet të jetë origjinal, ose libreza e energjisë, ujit, telefonit. Një dokument që vërteton të ardhurat, në rastin e të punësuarit, është një vërtetim page ose kontratë pune. Ndërsa kur klienti ka një biznes të vogël duhet një kopje e vendimit të gjykatës, kopje e licencës, deklaratë noteriale e të ardhurave etj. Kur të ardhurat vijnë nga qiraja duhet një kopje e kontratës së qirasë dhe vërtetimin e pronësisë së pronës së dhënë me qira.

Orientimi

Këshillat e agjencive turistike për të kaluar pushimet

Para së të vendosni se ku doni të kaloni pushimet është më mirë që në fillim të konsultoheni me guidat dhe paketat e shërbimeve të ofruara nga operatorët turistike që veprojnë në vend. Specialistët e agjencive të udhëtimit që marrin përsipër ofrimin e pushimeve në pikat turistike të ndryshme të globit, këshillojnë pushuesit që më parë të shikojnë paketat e shërbimeve dhe më pas të vendosin se cilën prej tyre do të zgjedhin. Kjo gjë bëhet me qëllim që turistët të shijojnë sa më mirë pushimet dhe argëtimet relaksuese pranë vendeve të tyre të preferuara. Në bazë të këtyre këshillave pushuesit mund të përfitojnë dhe nga uljet e parashikuara për koston financiare të ofruar sipas paketave përkatëse, të cilat në pjesën më të madhe përcaktohen në bazë të afateve në të cilat janë bërë prenotimet përkatëse. Njëkohësisht shumë prej agjencive konkurrojnë mes tyre për tërheqjen e klientëve, duke ofruar jo vetëm shërbime plus në paketat turistike, por dhe duke përfshirë zbritjet e çmimeve në përqindje të caktuar jo vetëm për fëmijët e vegjël, por dhe ndaj të rriturve.

1. Kredia konsumatore

Shuma Afati Interesi

100.000-1.000.000 Lekë 3 vjet 19 % në vit

1.000-10.000 USD 3 vjet 11 % në vit

800-8.000 Euro 3 vjet 12 % në vit

1.000.000-5.000.000 Lekë 5 vjet 18 % në vit

10.000-50.000 USD 5 vjet 10 % në vit

8.000- 40.000 Euro 5 vjet 11 % në vit

Për çdo kredi konsumatore paguhet një komision aplikimi 2% e shumës së marrë

2. Kredia personale

Shuma Afati

100.000-1.000.000 Lekë 7 vjet

Financimi i kredisë 100% e shumës së investimit

3. Kredi për pushime

Shuma Afati Interesi

1.00.0 Lekë 12 muaj 18% për lekë
Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›