E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjenë, negociatat mes qeverise dhe OSBE-së, 7 muaj të bllokuara



Habjon Hasani
Misioni i OSBE-së në Shqipëri, si rrallë ndonjëherë, prej shtatë muajsh qëndron pa u mbështetur në një mandat të miratuar nga Asambleja në Vjenë. Kjo anomali duket se ka për shkaktare vetë qeverinë shqiptare, e cila si rregull luan rolin e saj jo pak të rëndësishëm në rifreskimin e mandatit të këtij misioni në vendin tonë. Si rregull, pasi përfundon mandati, rinisin negociatat me qeverinë lidhur me detyrat specifike të misionit dhe drejtimet kryesore ku ky komision do të kontribuojë. Pasi arrihet marrëveshja në parim, atëherë kjo marrëveshje i kalon për miratim Asamblesë në Vjenë, e cila vendos me votat e të gjitha shteteve anëtare për ta ratifikuar ose jo. Por duket se në mënyrë të paprecedentë, qeveria shqiptare e ka neglizhuar deri në mospërfillje procesin e negociatave duke dhënë një mesazh të qartë me (mos)veprimin e saj për këtë mision. Këto shtatë muaj duket se qeveria shqiptare ka lënë të kuptohet se misioni i OSBE-së konsiderohet thuajse “i tepërt” prej saj.
Karta e NATO-s
Megjithëse qeveria shqiptare nuk gëzon reputacionin dhe autoritetin e nevojshëm për të shpallur pa komplekse synimin e saj për ta larguar këtë mision, duket se ka tentuar me metoda të tërthorta. Një prej “aseve nën mëngë” ka qenë ftesa që mori vendi për anëtarësimin në NATO. Duke qenë se kjo ftesë u arrit të merrej kryesisht edhe prej faktit se “Shqipëria prej katër vitesh ka arritur të implementojë zgjedhje të lira dhe demokratike”, qeveria ka menduar se kjo “arritje” mund të konvertohej në veprim edhe në lidhje me misionin e OSBE-së. Kësisoj, qeveria shqiptare, nëpërmjet ambasadorit shqiptar në OSBE, ka ngulur këmbë se monitorimi i zhvillimit të zgjedhjeve nga ana e OSBE-së nuk ishte i domosdoshëm si më parë, ndërsa në raundet e pakta të negociatave qeveria ka menduar se OSBE-ja mund të luante rol në hartimin e reformës zgjedhore, duke mos qenë nevoja që ky institucion të përfshihej dhe në procesin e monitorimit të votimeve. OSBE-ja e kryen monitorimin nëpërmjet ODIHR-it, ndërsa raportet e këtij institucioni për zgjedhjet në Shqipëri janë “manuali” që i referohet dhe Bashkimi Europian dhe vendet e Atlantikut të Veriut lidhur me standardin e zgjedhjeve.
Skadimi i afatit
Që prej 31 dhjetorit të vitit 2007, mandati i misionit të OSBE-së në Shqipëri ka skaduar. Teksa Parlamenti shqiptar ka dështuar me Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore, paralelisht qeveria në këtë kohë ka përshkallëzuar mungesën e negociatave dhe të gjetjes së një kompromisi me OSBE-në. Ndonëse OSBE-ja merret dhe mbikëqyr shumë aspekte administrativo-financiare (reforma në Drejtësi, Policinë, privatizimet etj.), në vendin tonë roli i saj në mbikëqyrjen e zgjedhjeve është ai më i rëndësishmi dhe më kryesori. Por duket se qeveria shqiptare “është lodhur” me këtë rol, ndërsa ka lënë të kuptohet se Shqipëria nuk ka më nevojë për këtë mision, në një kohë që ende nuk ekziston asnjë garanci për prodhimin e kartave të identitetit (element vendimtar për fatin e zgjedhjeve) para zhvillimit të zgjedhjeve. Skadimi i afatit të misionit, zgjatja me shtatë muaj i rinovimit të afatit dhe raundet e pakta të negociatave tregojnë për veprime të “tërhequra” nga ana e qeverisë, edhe pse kryeministri nuk e ka për gjë që të deklarojë publikisht se “qeveria nuk ka për qëllim largimin e OSBE-së nga vendi”.

OSBE-ja reziston, e mohon kategorikisht largimin

OSBE-ja ka reaguar dy ditë më parë, pas debateve më të fundit në lidhje me praninë e saj në Shqipëri. Ajo ka bërë të ditur se po ndjek nga afër debatin rreth mandatit të saj në Shqipëri. “OSBE-ja është një partner afatgjatë në Shqipëri dhe se ka dhënë ndihmë të vazhdueshme për ecurinë e reformave”, - thuhet në reagimin e zyrës së OSBE-së në Tiranë. Të njëjtin reagim OSBE-ja ka përcjellë për autoritetet shqiptare edhe në një letër që kreu i radhës, Aleksandër Stuub, i ka dërguar ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, që mban datën e 14 korrikut. Shefi i OSBE-së gjithashtu thekson se OSBE-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare në përputhje me mandatin e saj. Sipas Stuub, prezenca e OSBE-së në Shqipëri është në të mirë të popullit shqiptar. Debati për praninë e OSBE-së lindi pas deklaratave të një diplomati amerikan, sipas të cilit qeveria “Berisha” kishte kërkuar largimin e prezencës së OSBE-së nga Shqipëria. Menjëherë pas kësaj deklarate pati reagim si nga kryeministri Berisha, ashtu dhe nga Ministria e Jashtme, që hodhën poshtë faktin se kanë kërkuar largimin e OSBE-së nga vendi për zgjedhjet e vitit 2009. Por vetëm një muaj më parë sinjalet u dhanë edhe nga ambasadori shqiptar në OSBE.

Largimi
Ministri Basha dha sinjalin më 14 korrik
Ministri i Jashtëm Lulzim Basha i ka paraqitur më 14 korrik kryetarit të radhës së OSBE-së arsyet e rishikimit të mandatit të prezencës në Shqipëri pas gjashtë vjet kontribut, veçanërisht në proceset zgjedhore. "Nisur nga fakti që mandati aktual i pranisë është miratuar para gjashtë vjetësh, si dhe bazuar në tendencat e qarta të progresit demokratik të vendit, si marrja e ftesës në Samitin e Bukureshtit dhe përmbushja e procedurave vijuese për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, nënshkrimi i MSA me BE dhe arritjet e pamohueshme në realizimin e aspiratave tona integruese, gjykojmë se Shqipëria është në stadin kur duhet të marrë gradualisht pronësinë gjithnjë e më të madhe të proceseve, përmes kapaciteteve të rritura profesionale dhe drejtuese të institucioneve shqiptare", shprehet ministri Basha në këtë letër. Në përgjigjen e tij, kryetari i radhës i OSBE-së, ministri i Jashtëm finlandez, Stubb, shprehet se roli i këtij misioni është ai i një partneri afatgjatë në Shqipëri. "OSBE luan rolin e një partneri afatgjatë në asistimin e Shqipërisë në përpjekjet e saj për vazhdimin e reformave demokratike, forcimin e shtetit ligjor dhe përpiqet të bashkëpunojë me Shqipërinë për realizimin e një sërë projektesh në përputhje me mandatin e pranisë së OSBE-së.

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›