E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të çaftë ujku o Laver Bariu”

Ditën e enjte në Përmet shfaqet premiera e dokumentarit “Ustai i fundit”, kushtuar klarinetistit Laver Bariu. Me skenar dhe regji të Donika Mustafajt, dokumentari sjell për herë të parë portretin e një mjeshtri, i cilësuar si një nga më të kualifikuarit instrumentist popullor. Dimensioni i një talenti, zbërthimi i botës së brendshme së një personazhi që jetoi me lavdinë e tij, të lidhur me qytetin e lindjes

“Të çaftë ujku o Laver Bariu”

Është krejt e rrallë dhe e çuditshme të dëgjosh një gjeni se si klith për veten, për lavdinë e tij. “Të çaftë ujku o Laver Bariu”, “Rrufjani si ka dalë”, - nuk është aspak rasti narcist i një artisti. Klarinetistin Laver Bariun vetëm duke i vënë veten përballë mundi ta ngacmojë, e ta bëjë të flasë, skenaristja dhe regjisorja e dokumentarit, Donika Mustafaj.

Kabaja në klarinetë, në dokumentarin “Magjia e klarinetës”, e rivënë mu në shtëpinë e Laver Bariut, në Përmet- e zbërtheu njeriun e ashpër, të huqit burrëror. Donika tregon se pas dokumentarit të saj të dytë, që lidhej me ikonat e klarinetës në Shqipëri, radha për Laver Bariun nuk ishte një sirtar. Por fakti se për këtë gjeni të muzikës popullore polifonike të jugut nuk kishte asnjë dokument televiziv, e shtyu të shkonte në Përmet. Aty ku klarinetisti kishte lidhur dhe ndarë lavdinë e tij. Krejt i sigurtë, në një krenari të pashembullt për çfarë talenti kishte, Laver Bariu kërkonte jo sfidën, por vendin e parë. Është sërish në ato raste të rralla që e ka shumë të qartë se çfarë ka brenda tij, duke mbërritur deri në moshën 82-vjeçare me brengën se kush do të jetë trashëgimtari i kabasë së tij. Por për pasurinë tonë, trashëgiminë jomateriale, zëri i Laver Bariut përbën nga ato ekzemplarë që duhet thënë e përmbush në portretizimin që i bëhet për herë të parë në dokumentarin që do të jepet premierë në Përmet, “Ustai i fundit”. “S’humbet muzika ime. Atë që kam bërë është e pavdekshme dhe pikë”, është kjo koshiencë e dalë nga goja e Laver Bariut që sigurisht të lë pa mend, në një dokumentar të ndërtuar thjeshtësisht për një ikonë. Për Mustafajn, realizimi i një portreti, përveç në vështirësinë që paraqet, si ajo e Laver Bariut ka brenda sfidën psikologjike. Të zbulohet çka bluan një botë e brendshme e panjohur, sa shpirtërore dhe psikologjike, se si ka mbijetuar, si u “përkëdhel” në komunizëm, dhe si rrojti në ditët e sotme për Mustafajn ka qenë një sprovë pasioni. Dokumentari është produksioni i RTSH, departamenti i programeve satelitore dhe i financuar njëkohësisht dhe nga Ministria e Kulturës, me producent Ferdinand Sulën, operator Adrian Kamberin, montazhi Gjergj Pano.

Në dokumentar përfshihen direkt njerëzit profesionistë në fushë të muzikës dhe veçohen sidomos kompozitori Aleksandër Peçi që tregon “sekretin” e mjeshtrit të lindur, në eksperiencën e tij me Laver Bariun në muzikën e filmit “Gjeneral gramafon”, ndërsa muzikologu Sokol Shupo e shtrin dimensionit e klarinetistit në një hapësirë të mjeshtërisë më të shquar, më të kualifikuar instrumentist popullor.

Ju sapo keni nxjerrë nga duart dokumentarin e tretë të karrierës suaj si gazetare në RTVSH, që i kushtohet klarinetistit Laver Bariu. Para se të hyjmë në nxitjen e këtij dokumentari, pse gjendeni në këtë lëmë, mos ishte një rastësi?

Jo, për mendimin tim pak gjëra në jetë i detyrohen rastësisë. Vendimin për t’ju futur rrugës së dokumentarit e mora e shtyra nga pasioni i madh për të treguar histori njerëzore, për të bërë të mundur kuptimin dhe tregimin sa më realist të jetës së personazheve dhe mendoj se kisha eksperiencën e duhur dhe pasionin për t’i dalë në krye. Me sa duket paska qenë brenda meje dhe priste momentin.

Hera e fundit që ju pamë ishte “Magjia e klarinetës”, sërish në fushë të muzikës, por këtë herë me portretin e Laver Bariut. Si ju lindi ideja?

Gjatë kërkimeve të mia për dokumentarin “Magjia e klarinetës” njoha ustain Laver Bariun, personaliteti i të cilit më bëri përshtypje, një personalitet i pazakontë, dhe një gjeni i lojës në klarinetë. Ishin bërë shumë shkrime nëpër media të ndryshme dhe ka dy libra, por asnjë dokumentar. Atëherë mendova se realizimi i një dokumentari ishte tejet i nevojshëm për të lënë gjurmët e këtij personazhi kaq kompleks, ku të gjitha ishin me tepër edhe virtytet edhe huqet.

Ishte thjesht një 82-vjeçar me huqe, e patët të lehtë intervistën me të?

Nuk kishte huqe në kuptimin e zakonshëm të njerëzve. Ai ishte një personalitet që të shokonte për mënyrën se si e kishte ndërtuar jetën e tij me klarinetën. Sigurisht që në këtë kontekst, në këtë zbulim personaliteti nuk ishte dhe aq e lehtë por arrita t’ia dal mbanë dhe në fund u bëmë miq.

Si e përjetoi ai këtë?

Pranoi me vështirësi që të intervistohej, por dhe gjatë intervistës kishte raste që revoltohej po aq sa kishte raste që ishte i kënaqur. Ndodhte që ai nuk fliste dhe më duhej të ndërprisja bisedën. Unë e kuptoja gjendjen e tij. Kishte raste kur më dukej se ndërronim rolet. Është një njeri i zgjuar dhe i talentuar.

Keni ndonjë moment të veçantë që ju ka mbetur në mendje gjatë xhirimeve të këtij filmi dokumentar që kishte të bënte sidomos me ndjeshmërinë e klarinetistit?

Po, shumë. Mund të përmend vetëm dy raste: Ishte shumë i ndjeshëm sa herë përmendej gruaja e tij, Kano, e cila ka ndërruar jetë para disa vjetësh apo nipi i tij, Soliani, i cili humbi jetën në një moshë fare të njomë. Me sa kuptova, ky burrë e kishte adhuruar gruan e tij, shoqërinë e saj, ka jetuar me të duke shfaqur një ndjenjë që mund të përkufizohet si një farë nevoje dhe varësie ndaj saj. Ndërsa tek nipi i tij Soliani, ai shihte trashëgimtarin e tij të ardhshëm, “bile do të bëhej më i mirë se unë...”, shprehet usta Laveri. Këto ishin dhe plagët më të mëdha të tij nga të cilat ai nuk gjeti kurrë shërim.

Është interesante të dimë se si në këtë portretizim Laver Bariu e sheh lavdinë e tij, si e sheh veten përballë klarinetës?

Ai është shumë i vetëdijshëm për talentin dhe aftësinë e tij. Ka fituar gjithnjë çmime të para duke qenë i vetëdijshëm që po merrte diçka që natyrshëm i takon. Marrëdhëniet me lavdinë ai i ka pasur e vazhdon t’i ketë fare të sinqerta, pa asnjë modesti të shtirur.

Për ju kush është Laver Bariu?

Njeriu i ashpër në punë, burri i butë me të shoqen, veset dhe virtytet me të cilat u mbrujt gjenia e tij muzikore.

Ju jeni skenariste dhe regjisore e dokumentarëve tuaj. Si shkon procesi i punës në raportin midis tekstit të shkruar dhe xhirimit, si përmbysen ato me njëra-tjetrën?

Përpara se të filloj realizimin e një dokumentari përgatitem shumë. Por kjo nuk do të thotë që ky skenar nuk ndryshohet gjatë xhirimeve. E rëndësishme është se duhet të jesh nga ana teknike shumë e përgatitur, duhet të dish çfarë të përdorësh në çfarë situatash do të hasësh dhe si t’i përballosh. Por gjithmonë ndodhin ngjarje të paparashikuara, që të mundësojnë të përmirësosh skenarin ose të detyrojnë ta përshtatësh atë.

Në përgjithësi, dokumentarët shqiptarë ende nuk po njohin “çlirimin” nga klishetë e traditës. Ju si i jeni shmangur kësaj, a ndjeni frikën e “dështimit”?

Të pëlqyerit e filmit është një zgjedhje personale dhe shumë subjektive. Pëlqimi apo jo i një filmi nga publiku nuk nënkupton dështim. Mundem shumë lehtë të shkëputem nga filmat e mi. Por mendoj se jam një tregueses e drejtë e historive. Shpërblimi im i vetëm është kënaqësia që më japin këto filma të realizuar me pasion dhe dashuri.

Sa për argumentin tjetër, sa i shmangem klisheve të traditës mund të them se përpara se të bëja dokumentarin tim, kam parë shumë pak filma dokumentarë shqiptarë. Ndaj kjo nuk më jep të drejtën e gjykimit. E vetmja gjë që mund të them dhe që e konstatoj gjatë punës sime në dokumentar është se dokumentari pengohet shumë nga kinemaja. Jepen financime për kinemanë, por është thuajse e pamundur për një dokumentar.

Cilat janë burimet, arkivat që keni shfrytëzuar për këtë dokumentar?

Për të realizuar këtë dokumentar përveç qytetit të Përmetit ku është përqendruar i gjithë ekipi, pasi Laver Bariu është nga të paktët njerëz që e lidh gjithë jetën e tij dhe karrierën me këtë qytet, kam shfrytëzuar arkivin e RTSH-së, familjes si dhe Bibliotekën Kombëtare.

Jam munduar të shfrytëzoj gjithë këto burime për të zbërthyer personazhin dhe të tregoj se ky klarinetist jeton me këtë lavdi, ky është me të mira dhe të këqija, me virtyte dhe vese.

Pse keni zgjedhur të realizoni në Përmet premierën e dokumentarit?

Kjo është e thjeshtë. Ai atje jeton, është formuar si klarinetist dhe ka vendosur të vdesë në atë vend. Njihen lidhjet e artistëve me vendlindjen dhe doja ta respektoja tek ai këtë idil për Përmetin. Ai nuk është larguar kurrë nga ai vend. Ai e përjeton lavdinë e tij vetëm në këtë qytet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›