Olli Rehn: Qeveria dhe opozita të bëjnë zgjedhje me standarde
Edhe një herë tjetër standardet e zgjedhjeve do të jenë një tregues për integrimin e vendit drejt BE-së. Komisioneri Evropian për zgjerim e BE-së, Oli Rehn gjatë një takimi me ministrin e jashtëm të Shqipërisë Lulëzim Basha në Bruksel i bëri thirrje qeverisë, opozitës dhe të gjithë aktorëve të tjerë në Shqipëri për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standarteve më të larta. Ai pranoi se “Shqipëria ka bërë përparim në çështjet e demokracisë dhe shtetit ligjor, por më shumë punë ka përpara, veçanërisht në çështjen e kulturës demokratike dhe pavarësisë së institucioneve”, por shtoi se Shqipërinë e presin sfida të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nga ana e tij, Ministri Basha siguroi komisionerin Rehn se qeveria e Shqipërisë është plotësisht e angazhuar për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standarteve më të larta, duke përfshirë edhe angazhimin se çdo parti politike do ketë mundësi të marrë pjesë në zgjedhje pavarësisht pozicionit dhe përmasave që ka. Përmbyllja e procesit të ratifikimit të MSA-së, përparimi në zbatimin e plotë të marrëveshjes së ndërmjetme, reformat, si dhe roli stabilizues i Shqipërisë në rajon janë arritje të pamohueshme dhe tregues i qartë se Shqipëria është gati të hedhë hapin tjetër në drejtim të integrimit të saj në BE. Këtë i vuri në dukje ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, komisionerit për Zgjerimin në Komisionin Evropian, z. Oli Ren, gjatë takimit të djeshëm në Bruksel. Ministri Basha bëri një ekspoze të zhvillimeve të fundit dhe situatës politike në vend, si dhe hapat e mëtejshëm që po ndërmerr qeveria shqiptare në drejtim të përparimit të mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Bashkëbiseduesit vlerësuan raportin e progresit të Shqipërisë, si objektiv dhe pozitiv. Ndërkaq, Ministri Basha u ndal në hapat që qeveria shqiptare po ndërmerr për përmbushjen e objektivave të detajuara në progres-raport, duke u ndalur gjerësisht në plan-veprimin që po hartohet sipas direktivës së dhënë nga KM Berisha në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror të integrimit. Më tej, bashkëbiseduesit diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke u ndalur gjerësisht në miratimin e Kodit të ri Zgjedhor nga Kuvendi i Shqipërisë dhe në angazhimin e gjithanshëm të qeverisë shqiptare për të garantuar standardet evropiane në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në këtë proces, Shqipëria do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare. Vendosja e EULEX-it në Kosovë ishte një çështje tjetër që u trajtua nga Ministri Basha gjatë takimit me komisionerin Ren. Ai theksoi se Shqipëria i përmbahet qëndrimit se vendosja e EULEX-it në Kosovë duhet të bëhet në përputhje dhe duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e miratuara në zbatim të Planit Ahtisari dhe me mbështetjen e autoriteteve zyrtare të Kosovës. Në këtë kuadër, ministri Basha përsëriti mbështetjen e plotë për autoritetet e Republikës së Kosovës dhe vlerësoi gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për vendosjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës.