Të dashur nxënës dhe mësues! Ju uroj sinqersisht një vit të mbarë dhe dalçi më kampionë se Vllaznia! Duke qënë edhe vetë mësues dhe prind më lejoni të ndaj me ju emocionet hyjnor
Të dashur nxënës dhe mësues!
Ju uroj sinqersisht një vit të mbarë dhe dalçi më kampionë se Vllaznia!
Duke qënë edhe vetë mësues dhe prind më lejoni të ndaj me ju emocionet hyjnore edhe për mua, që mbart kjo ditë, ditë e fillimit të shkollës. Në kohë apo rrethana të ndryshme dhe pavarësisht prej tyre, për ne shqiptarët dita e parë e shkollës, është bërë një festë popullore dhe besoj se kjo është ngjarja më e qëndrueshme që nxjerr në pah dashurinë e pashterur të popullit tonë për dijen dhe kulturën.
Kur më propozuan, sipas një tradite që lidh edhe angazhimet e shtetit me arsimin dhe me sistemin e shkollave, të përuroja këtë fillim viti shkollor, këtë festë popullore në njërën nga shkollat e rrethit, unë e zgjodha vetë, jo rastësisht, shkollën tuaj për disa arësye. E para për nder të Shkodrës, që ka qënë dhe mbetet një qëndër nga më të rëndësishmet në shkallë kombëtare dhe më gjerë sesa kaq për arsimin, dijen, kulturën, pra për Shqipërinë, por dhe e njohur në të gjithë rajonin ku jetojmë. E dyta për të prekur me dorë produktet e para të një nisme që unë ndërmora në mirëkuptim me kompani të ligjshme dhe konkuruese të biznesit shqiptar, pra e cila risolli sërish në vëmendjen e opinionit publik profilin human të sipërmarrjes së vendit, sipas së cilës 96 shkolla në të gjithë pjesën Veri dhe Verilindore të Shqipërisë rikonstruktohen dhe lidhen në patronazh me kompani sipërmarrëse vendase për të gjitha nevojat që kanë gjatë gjithë ciklit të gjenerimit të brezave dhe të transmetimit të dijes në to.
Kam kënaqësinë të theksoj se 35 prej këtyre shkollave rikonstruktohen plotësisht, 25 të tjera do të bëjnë një rikonstruksion të thellë. Në këtë listë janë përfshirë 83 kompani të mëdha private, 14 banka vendase dhe të huaja dhe 13 kompani shtetërore. Jam shumë i gëzuar që kjo nismë po i jep tashmë frytet e para. Shkolla juaj dhe gjëndja e saj është vetëm njëri prej produkteve.
Ta gëzoni!
Unë nuk besoj se kjo do të thotë se ju do të pini Birra Tirana që sot e tutje. Me këtë desha të përshëndes kompaninë e sukseshme shqiptare të Birrës së njohur të Tiranës, e cila mbi baza vullnetare ka nisur rindërtimin e shkollës suaj dhe do ta ndjekë njëlloj si shitjen e produkteve të saj në tregun kombëtar.
Pas më pak do të shkojmë edhe tek Shkolla "Oso Kuka", që është marrë në patronazh dhe ka filluar të zbukurohet dhe të rindërtohet nga një kompani tjetër e dëgjuar "Astir"-i, i cili me bojrat e veta po i ndryshon pamjen edhe shumë gjërave të tjera. Më lejoni pra që në emrin tim dhe të Qeverisë Shqiptare, tuajin dhe të familjarëve tuaj, t'u shpreh këtyre sipërmarrësve mirënjohje të thellë dhe nxitje për më shumë akoma.
Të dashur nxënës dhe mësues,
Iniciativa si kjo janë dëshmi e një realiteti të ri që po jetojmë. Natyrisht, paratë që harxhohen kanë vlerën e tyre, por harxhimi i tyre mbi baza vullnetare për të përmirësuar kushtet e shkollimit, është një nga investimet më të qëndrueshme për të ardhmen tonë të përbashkët. Kjo është provë se sipërmarrja shqiptare është forcuar, dhe po bëhet e ndërgjegjshme, me orientim qytetar dhe po mbështet dijen, pra rritjen e cilësisë së resurseve për zhvillim në të ardhmen gjithashtu. Pra edhe vetë biznesi ynë me këtë patronazh ndaj shkollave dhe resurseve të reja që kualifikohen në to garanton më mirë të ardhmen e vet.
Shkolla juaj do të ishte sjellë në këtë gjendje edhe duke harxhuar paratë e buxhetit të shtetit, natyrisht, por unë desha të përgëzoj vullnetarizmin si shprehje të sipërmarrjes, të sipërmarrjes për progres dhe modernizim të Shqipërisë dhe të sistemit arsimor të saj, desha të përshëndes pronarët e këtyre kompanive dhe dhjetëra të tjerave që po punojnë me shkolla të tjera në Veri, si dëshmi e një faze të re bashkëpunimi dhe një dimensioni të ri që po aktivizohet në shoqërinë tonë, një tipar që ekziston sidomos në shoqëritë e zhvilluara të Perëndimit, të Europës, pra të principit të vullnetarizmit dhe solidaritetit për zhvillim.
Këto cilësi me vlerë që i shpërdoroi diktatura në të kaluarën, duke i shndërruar në kategori të dhunshme, sot po shfaqen si kategori të vullnetit të lirë, pra po marrin vlerat dhe dimensionet e tyre të vërteta.
Për këtë arësye më lejoni të ndaj me ju bindjen se jo vetëm kjo iniciativë do të përfundojë me sukses, por edhe të tjera si kjo do të lindin vazhdimisht në shoqërinë shqiptare.
Ka nisur të lëvrijë edhe në gjirin e sipërmarrjes, në kontakt me ne gjithashtu, ideja për të kaluar në një iniciativë motër me këtë: një shkollë, një bibliotekë, me kontribute gjithashtu edhe të qytetarëve. Pra vullnetarizmi po vjen gjithnjë e më mirë në mbështetje të konsolidimit të arsimit, të dijes sonë kombëtare dhe të mbështetjes së progresit të saj në raport me standartet bashkëkohore.
Të dashur nxënës, të dashur mësues,
mësova se shumë prej jush që jeni në këtë sallë, jeni maturantë sivjet. Së shpejti shumë nga ju do të drejtohen në bankat e Universiteteve të vendit këtu në Shkodër, në Tiranë, apo edhe jashtë vendit. Të tjerë do të futen në jetë sipas dëshirës. Pas kësaj do të bëheni gjithçka nga mësues apo inxhinierë, në menaxherë apo njerëz të informatikës. Shumë prej jush besoj se i kanë rënë ato emocione të adoleshencës së parë dhe me siguri mendojnë që tani që të bëhen biznesmenë. Pra edhe ju po vini më të përgatitur në një realitet konkurues. Konkurimi me dije dhe për dije është arma më e sigurtë e suksesit. Nesër ju do të ndesheni me nje konkurencë edhe më të fortë. Shteti po ndërhyn me rregulla që i kërkon edhe biznesi dhe sipërmarrja e ligjshme për të ndaluar konkurencën e pandershme apo të egër, dhe për këtë arësye ju duhet të përgatiteni mirë. Duhet të konkuroni që t'i zini vendin, apo që të zini vendin tuaj në këtë shoqëri të hapur në këtë treg që edhe në qoftë se nuk duket i madh nga pikëpamja e dimensioneve fizike, besomëni mua, është shumë i thellë. Ka vend për të gjithë nëse respektohet iniciativa e lirë dhe ajo mbrohet me ligj dhe me principe të tilla të solidaritetit tradicional për shqiptarët dhe të modernizuar sipas tipareve të shoqërive perëndimore.
Shteti do të vazhdojë t'i kushtojë vëmendje gjithnjë e më të madhe përmirësimit të nivelit të mësimdhënies dhe kushteve për këtë qëllim.
Dua t'ju sjell në vëmendje se sivjet me një vendim të Qeverisë Shqiptare të mbështetur edhe mbi një program të Bankës Botërore, tekstet shkollorë për arsimin e detyrueshëm jepen falas dhe kështu do të vazhdojë. Këto masa, dhe besoj se nuk ka nevojë t'i mbrojmë ndryshe nga sharje laraskash që mbjellin panik, janë të barazvlefshme me ndalimin e dhunimit të shkollave apo të mjediseve të tyre që kanë ndodhur disa vjet më parë, që shkatërrojnë edhe shkollat edhe mjediset publike që janë të shenjta për vazhdimin e hyrjes dhe të kalimit për kualifikim të brezave të rinj njëri pas tjetrit. Këto janë prova konkrete edhe të agresionit tonë të programuar ndaj varfërisë, si dhe të orientimit më të mirë të buxhetit të shtetit në funksion të krijimit të hapësirave të reja që kurojnë dhe plagët e një shoqërie në tranzicion.
Po e mbyll sepse jeni të rinj dhe e di që nuk i keni shumë qejf fjalimet. Mezi prisni të takoni jo vetëm njëri-tjetrin por edhe miq të tjerë të cilët nuk ia tregoni njëri-tjetrit. Mezi prisni të uleni në bankat e mësimit dhe të konkuroni krahas ngacmimit pozitiv që ju çon përpara.
Nuk po zgjatem më. Gëzuar ditën e parë të shkollës, mësoni sa më shumë për veten, për familjet dhe për të gjithë të dashurit tuaj. Mësoni që Shqipëria, ashtu si Shkodra, të ecë përpara dhe të përshpejtojmë ritmet e afrimit, të integrimit dhe të konkurimit me vëndet më të zhvilluara se ne ende, për t'u bërë realisht rini qytetare njëlloj si në Europën e Bashkuar.
Ju shkoftë mbarë!