Të dashur shoqe dhe shokë, Ka shumë kohë që në Partinë Socialiste ne po bëjmë politikën e kunjave të dhëmbëve. Kunjat e dhëmbëve nuk shënohen në asnjë meny restoranti, por i servi
Të dashur shoqe dhe shokë,
Ka shumë kohë që në Partinë Socialiste ne po bëjmë politikën e kunjave të dhëmbëve. Kunjat e dhëmbëve nuk shënohen në asnjë meny restoranti, por i serviren klientit në cdo tavolinë. Ka shumë kohë që emërtojmë e klasifikojmë qëllime, objektiva dhe prioritete politike për të ndjekur, duke u kujdesur që të mos i shënojmë në menynë tonë politike me emrin e tyre të vërtetë. Për këtë shkak, edhe vetë politika në përgjithsi është shndërruar shpesh në një dhembje të bezdishme dhëmballe për publikun, që i kërkojmë të nisë të përdorë kështu po të njëjtat kunja dhëmbësh.
Pesë muaj më parë në Partinë tonë ka pasur një krizë të fortë besimi e orientimi, ka pasur një krizë të fortë vlerash. Pesë muaj më parë ju, të dashur shoqe dhe shokë, votuat për emrin tim si drejtues te ekzekutivit shqiptar. Pesë muaj më pas, besoj se kam të drejtën morale të pyes nëse kam ndikuar në zgjidhjen e krizës sonë apo kam demostruar ndokund se jam pjesë e tyre.
Natyrisht që do te isha i fundit mes jush në sallë që të numërotoja atë cka ka bërë qeveria shqiptare në këtë periudhë të shkurtër apo të shënoja arritje e objektiva të plotësuara. Ju keni mbajtur shënim e keni survejuar arritjen e marrëveshjes me FMN-në e Bankën Botërore, zgjidhjen e krizës energjitike, zhbllokimin e fondeve për financime në këtë sektor strategjik, arritjen në luftën kundër trafiqeve ilegale, kontrabandës e korrupsionit, ngjitjen e Shqipërisë në listën e vendeve të grupit të dytë të Departamentit Amerikan të Shtetit, goditjen e situatave monopolistike në treg dhe përpjekjet për të garantuar konkurencë të ndershme; ne të gjithë jemi pjesë e kontributit që tashmë Shqipëria ka plotësuar detyrimet e mbetura pezull për procesin e integrimit në BE, ashtu sic gjendet kontributi ynë i përbashkët në faktin se tashmë Shqipëria ka një strategji të shkruar për këtë proces.
Pesë muaj qeverisjeje nuk janë shumë për të përcaktuar fytyrën e një qeverie, por qeveria që unë kam nderin të kryesoj, që nga dita e parë e punës së saj nuk e ka shitur fytyrën e saj tek korrupsioni, trafiku i influencës, nuk e ka pajisur krimin me pasaportë politike dhe ka mbetur larg nga sëmundje të tjera të këtij lloji, për të cilat vet ne socialistet kemi kritikuar qeverisjet tona.
Fytyra e qeverisjes së sotme nuk ka qenë e shënjuar nga sindromi i përjashtimit dhe përplasjes, unë besoj se ajo ka reflektuar në përditshmërinë e saj bindjen tonë të përbashkët për domosdoshmërinë e stabilitetit polititik, ekonomik dhe social të vendit.
Të dashur shoqe dhe shokë,
Pesë muaj më parë ju votuat për mua si drejtues i qeverisë jo vetëm si zgjedhje, por edhe si zgjidhje. Sot ju prisni të dëgjoni prej meje vendimin tim për t'u dorëhequr nga besimi juaj apo për të qëndruar rishtaz. Dhe unë e kam këtë detyrim, jo vetëm si shprehje të mirënjohjes për besimin që ju më dëshmuat, jo vetëm për të respektuar kontratën morale dhe politike që kam firmosur me ju, por dhe për të nënvizuar bindjen time të thellë se politika dhe morali edhe në Shqipëri janë një binom që mund të thyhet dhe fyhet, që mund të tkurret dhe zbrapset, por që është i destinuar që pavarsisht cmimit e kohës te shndërrohet në kryefjalë të politikës sonë moderne. Ky është përcaktimi ynë, këtë kërkon dinjiteti ynë si mazhorance dy herë e votuar për të shërbyer e jo për t'u konsideruar e shërbyer.
Nuk jam unë sot njeriu i partisë socialiste që duhet të deklaroj nëse iki apo qëndroj në krye të ekzekutivit shqiptar. Këtë dilemë e kam zgjidhur më së pari me ndërgjegjen time, por dhe me emrin që ju kam shërbyer dhe që është e vetmja pasuri imja. Unë pres që këtë përgjigje t'a jepni ju, të dashur shoqe dhe shokë.
Më lejoni t'ju kërkoj që të mos e konsideroni këtë deklarim si pragmatizëm politik. Edhe pse ne e kemi tepruar me argumentime politike të këtij lloji në rastin më të mirë apo kemi nxituar të konsiderojmë si qëndrime pragmatiste gjithë ato politika që pak kanë pasur të bëjnë me moralin.
Pesë muaj më parë ju nuk votuat thjesht për një qeveri Majko. Dhe gjatë këtyre pesë muajve nuk ka pasur thjesht një qeveri Majko, ashtu sic nuk ka gjasa të këtë dhe nesër një qeveri të mundshme thjesht Nano. Kjo sepse unë gjykoj se do te ishte një lluks i panevojshëm mtimi i pushtetit si qëllim në vetvete. Sepse në këtë mënyrë ne po afrojmë erërat që fryjnë daljen tonë në opozitë. Është ende herët që t'a kujtojmë një gjë të tillë, por nuk është gabim nëse e ndjejmë rrëshkitjen dhe cmontimin gradual të pushtetit tonë. Në kurrikulumin e politikës nuk harrohet të shënohet cdo detaj dhe nesër publiku, po mbi këto detaje, do të presë faturën tonë elektorale. Përballë tij ne jemi produkte të së shkuarës sonë dhe në asnjë rast produkte të një të nesërmeje hipotetike, ndonëse e shkuara e secilit prej nesh përcakton pa dyshim edhe atë cka ne potencialisht mund të bejmë në të ardhmen.
Të dashur shoqe dhe shokë,
Ne sot jemi përpara një sprove të rradhës, një sprovë që nuk prêt thjesht një votim të rradhës, por që duhet të shihet dhe si penalizim i të dëmshmes që jo rrallë ka infektuar edhe partinë tonë.
Une e shoh votimin tonë të sotëm si një dëshmi që ne socialistet i afrojmë vetes dhe publikut në të mirë të bindjes se për ne, vec qeverisjes së premtimeve të mbajtura, respektimit të votës dhe transparencës maksimale në marrëdhëniet mes pushteteve dhe përballë publikut, një rëndësi të posacme ka largimi i politikës nga rruga e skemat e politikës së rrugës, nxjerrja e saj nga ngurtësia e tipit ballkanas, largimi nga llogaritë cinike për pushtet si qëllim në vetvete dhe ridimensionimi i saj mbi bazën e debatit e respektit reciprok dhe shtimi i presionit të moralit për hir të politikës së moralshme.
Pesë muaj më parë nëse do të bëja hesape private mund të kisha hezituar në marrjen e përgjegjsisë së kryeministrit. Por bëra të kundërtën. Si gladiator vendosa të qëndroj me shpatë dhe shpirt. Dhe sot, rishtaz përtej hesapeve private kërkoj të kujtoj se ika nga e njëjta detyrë tre vjet më parë sepse duhej ndarë posti i kryetarit të mazhorancës nga ai i drejtuesit të ekzekutivit; sot shkak për ikjen i bie të jetë bashkimi i këtyre dy posteve.
Unë besoj se sot jemi përpara provës dhe dëshmisë së emancipimit të gjithë politikës shqiptare, të besimit se ajo mund të prodhojë moral dhe debat të përjashtuar nga stilemat "Cfarë thua ti e kundërshtoj unë sepse e ke thënë ti".
Ndaj të dashur shoqe dhe shokë, me lejoni të pres nga ju të ndikohem nga vendimi juaj nëse duhet të iki apo të qendroj.
Ju faleminderit!