Rrënojat e ushtrisë - material ndërtimi për godinën politike
Nga Gjeneralmajor Armand Vinçani*
Ngjarja tejet e hidhur e Gërdecit, dëshpërimi i njerëzve të thjeshtë e të ndershëm, zhgënjimi e pasiguria, paniku i qeverisë, lot ditën e dëfrim natën për hienat janë valët që emeton shoqëria shqiptare sot. Në këtë konglomerat interceptimesh është vështirë të deshifrosh mesazhe pozitive të cilat do të mund të tregonin maturi politike, seriozitet shtetëror, e opsione për të ardhmen. Kjo atmosferë e elektrizuar, e mbushur plot me debate, pasione, shkrime, intervista, deklarime, supozime, hetime, raportime, mashtrime etj, po i polarizon më tej ekstremet dhe për ironi të fatit po synon grumbullimin e kapitalit politik për të “blerë” një trampolinë magjike e cila do të mund të katapultojë të dëshiruarit e ethshëm tek pushteti. Por ngritja e baticës së entuziazmit për opozitën është thjesht rezultat i perceptimit të “momentum” të krijuar spontanisht dhe jo rezultat i aksionit politik. Jo më me pak dëshirë, pala tjetër aspiron një parashutim të butë nga lartësia ku ishte ngjitur qoftë kjo, edhe me ndonjë këmbë të thyer. Lufta për ekzistencë është simboli i evoluimit, por evoluim ka vetëm aty ku ekzistenca pranohet. Të pranosh ekzistencën në kushtet e vendit tonë do të thotë së pari të zhvishesh nga çdo lloj kulti, të kuptosh se liria jote mbaron aty ku fillon e imja, të kuptosh se tragjedia nuk mund të asimilohet si komedi, të realizosh se posti që ti mban të është dhënë por jo se të takon, e së fundi të respektosh parimin për të mos u tallur asnjëherë me fatkeqësinë e tjetrit.
Nga metaforizmi tek empirizmi
Do të duhen shumë vite për të qetësuar disi plagët sociale të Gërdecit. Në embrion ato do të vazhdojnë të jenë dëshmi e pakundërshtueshme e konceptit tonë të shtetit. Ky koncept në thelb buron nga patriarkizmi shqiptar që sintetizohet në thënien, “shteti jam unë”. Në të gjitha analizat apo komentet e kësaj ngjarjeje është fare lehtë të dallosh se forca argumentuese është e motivuar nga pozicione dhe interesa politike. Me sa duket në shoqërinë shqiptare është e pamundur të operosh në mënyrë të pavarur e të sinqertë. Kjo mënyrë pragmatiste por edhe e çoroditur mendimi fillon që nga kryeministri e reflektohet poshtë në strukturat e tjera shtetërore, jo-shtetërore, partiake etj. Është mungesë sinqeriteti dhe papërgjegjshmërie që analiza shtetërore nuk ka një bosht të caktuar, nuk ka sekuencë morale e aplikative në interpretimin e fakteve e nxjerrjen e konkluzioneve. Ajo ç’ka thuhet sot mohohet nesër. Presioni politik i opozitës nuk mund të përkthehet panik për pozitën. Si mundet që kryeministri krejt papritur braktis ministrin e tij të Mbrojtjes dhe hedh në treg idenë e reformimit të SHIK-ut e SHIU-t? Cila do të ishte përgjegjësia e dy institucioneve të fundit nëse ngjarja e Gërdecit nuk do të rezultojë e lidhur me elementë sabotues ose terroristë? Mos valle duhet SHIK-u dhe SHIU të përgjigjen për administrimin teknik të materialeve luftarake të ushtrisë apo për miratimin e ligjeve të dyshimta nga legjislativi? Apo duhet ministri i Mbrojtjes të përgjigjet për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik në menaxhimin e armëve dhe municioneve? Sigurisht përgjegjësia nuk mund të shmanget nga ministri apo Kryeministri, por edhe ajo ka një strukturë hierarkike. Në këtë strukturë vëmendja duhet të drejtohet në nxjerrjen e shkaqeve reale që çuan në tragjedinë makabre.
Është krejtësisht amoral debati i sotëm midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Që në përdorimin e këtyre termave ka amatorizëm e pasion. MM-ja dhe SHP-ja nuk janë dy njësi të ndara juridikisht. SHP-ja është hallkë përbërëse e MM-së. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është këshilltari kryesor i ministrit të Mbrojtjes në çështjet e përdorimit të forcave të armatosura në kohë paqe e lufte. Është e paarsyeshme që Shefi i SHP-së shmang përgjegjshmërinë në Gërdec. Le të pranojmë për një çast që kontratat e nënshkruara nuk përfillën mendimin e tij. Së pari kjo duhet të vërtetohet nëpërmjet dokumenteve. Korrespondenca për çështje të tilla delikate është gjithmonë e protokolluar dhe zyrtare. Dhe nëse kjo ndodhi a mundet që ta konsiderosh veten jashtë loje? Nga 1997 e deri më tani janë plot 10 vjet në “paqe”. A nuk mjaftoi kjo kohë për t’u marrë e zgjidhur një nga problemet më të mprehta të ushtrisë? Me ç’gjë tjetër u angazhua SHP-ja kur dihet se realisht nuk ka më armë/forca të organizuara në kuptimin konvencional të termave? Po nëse ministri i Mbrojtjes do t’i kish hequr makinën njërit nga drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm a do të kishte heshtur ky person? Atëherë përse Shefi i SHP-së nuk e ngriti zërin dhe të alarmohej nga fakti që nuk po kuptonte se ç’ndodhte me municionet e ushtrisë? Apo nuk e dinte që edhe depot po boshatiseshin dita-ditës? Edhe njeriu më i thjeshtë e di se Presidenti i Republikës është njëherazi Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Atëherë a u informua ai për mënyrën se si po procedohej? Shefi i SHP-së ka imunitet parlamentar, jo në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por në kuptimin që ai është i vetmi ushtarak që ka një term të caktuar kohor shërbimi dhe askush nuk e zëvendëson dot përveç rasteve të përcaktuara në ligj. Thuhet se SHP-ja kundërshtoi Bërzhitën si dislokim të mundshëm pasi ishte i vështirë furnizimi me energji elektrike. Ky fakt nuk përbën kundërshti në lidhje me mënyrën e operimit. Është e vërtetë se operacione të tilla nuk mund të kryhen në qendra të banuara, por kjo nuk do të thotë se në një vend tjetër kjo gjë nuk do të kishte ndodhur, e në këtë rast nuk do të kishte Gërdec por një emër tjetër. Premisat për Gërdec janë në të gjithë vendin. Shtypi për ditë e më tepër ka sjellë fakte nga gjendja e mjeruar dhe me rrezik të jashtëzakonshëm e depove të ushtrisë. Ushtarakë të huaj i kanë krahasuar ato me kazerma vdekjeje. Edhe për këto SHP-ja nuk di gjë? Apo përsëri duhet të fajësohet ministri i Mbrojtjes? Një qëndrim dinjitoz i SHP-së do të kishte qenë kundërshtimi i mënyrës së propozuar për eliminimin e municioneve të vjetra. Nëse SHP-ja do të kishte këmbëngulur në eliminimin fizik të tyre, nëse do të ishte bërë një studim i hollësishëm për shfrytëzimin e të gjitha resurseve njerëzore e materiale në vend sot do të ishte një pamje krejt tjetër. Vërtet nuk do të kishte përfitime ekonomike, por më mirë pa to se sa humbje jetësh e njerëzve të pafajshëm. Shkaqet dhe pasojat mund të rrjedhin njëlloj: si nga aktiviteti ashtu dhe nga pasiviteti. Të jesh jo aktiv në çështje themelore e përgjegjësitë që burojnë nga funksioni është krejt e patolerueshme. Nëse ministri i Mbrojtjes kishte shmangur SHP-në nga ushtrimi i funksioneve të tij, siç pretendohet tani, përse heshti ky shtab dhe përse shefi i tij nuk arriti deri në lënien e detyrës e t’ju bënte të ditur eprorëve të tij se ai refuzonte të qëndronte në këto kushte? Është vështirë të pranohet se Shefi i SHP-së u emërua në atë pozicion pa konsensusin edhe të F. Mediut. Atëherë pse kjo krisje kështu papritmas? Përgjegjësia e Shtabit të Përgjithshëm nuk qëndron në përzgjedhjen e kësaj apo asaj firme për kryerjen e demontimit, as për mënyrën e zbatimit të ligjeve e nënshkrimin e kontratave. Këto janë funksione të aparateve civilë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe prokurimi është detyrë e tyre. Nëse ligjet janë thyer, është abuzuar apo kryer krim janë organe të tjera ato që thonë fjalën e tyre. Por SHP-ja duhet të përgjigjet për pjesën që lidhet me aspektet që burojnë nga funksionet e tij.
Insinuata nga më të ndryshmet përfliten sot lidhur me implikimin në krim ekonomik e politik të drejtuesve të lartë të shtetit. Unë nuk mund të përjashtoj asnjë opsion të mundshëm, e aq më tepër kur njihet fare mirë “produktiviteti” i akrobatëve tanë të vetëquajtur politikanë e “fertilitetin” e botëkuptimit të tyre. Por nga ana tjetër nuk mund të fajësoj askënd për aq kohë sa organet e destinuara nuk kanë thënë fjalën e tyre.
Është ligji më themelor në drejtësi që nuk mund të quhet fajtor dikush për aq kohë sa nuk është provuar fajësia e tij. Në këtë aspekt sulmi i egër ndaj F. Mediut duket se mbart edhe mjaft prapaskena. Ndoshta kjo sepse Ministria e Mbrojtjes me aktivitetin e saj politik ishte një nga shtyllat më të forta të pushtetit të sotëm. E rrëzimi i kësaj shtylle mendohet se do ta bëjë më të lehtë rrënimin. Nxitimi i opozitës për të kapur momentin nuk ka të bëjë fare me vendosjen e drejtësisë. Kjo për vetë faktin e thjeshtë, se për 8 vjet rresht drejtuesit e tyre e kthyen korrupsionin në sistem.
Sigurisht, nëse insinuatat e bëra do të rezultonin të vërteta pushteti aktual nuk do të meritonte ekzistencën e mëtejshme. Por nga ana tjetër do t’i takonte forcave të tjera politike për ta synuar atë. Nuk mund të besohet se 2 vjet janë të mjaftueshme si vite “edukimi” për vjedhësit e djeshëm
Nga divergjenca në konvergjim
Pavarësisht nga gjykimi i mësipërm dhe shikimi i përgjegjësive në frymën e profesionit në fund bashkohem plotësisht me pretendimin se SHP-ja nuk mund të fajësohet për Gërdecin. Veçse rrugët në arritjen e këtij përfundimi janë krejtësisht të ndryshme.
SHP-ja dhe ushtarakët në përgjithësi janë mbajtur e vazhdojnë të mbeten peng i politikës. Nga koha e diktaturës në kohën e demokracisë vetëm metodat kanë ndryshuar, por jo përmbajtja. Në evenimente kyçe ku klasa politike ka kërkuar ndryshim statusi sytë janë hedhur nga ushtria. Babëzia vazhdon të jetë aq e madhe edhe sot kur asaj i kanë mbetur vetëm kockat. Si në 97-tën, kur flamurtarët e revolucionit me dhunë, disa prej tyre edhe në parlamentin e sotëm, ju përveshën ushtrisë deri në rrënimin e saj edhe sot vazhdojnë ta ushqejnë ushtrinë me frymën e militantizmit partiak. Fatkeqësisht për disa politikanë është tejet e vështirë të kuptojnë nocionin bazë dhe rolin e ushtrisë në një sistem demokratik. Nga fjalët tek veprat e tyre ka një diferencë aq të madhe, që interferon negativisht në jetën e ushtrisë e misionin e saj. Rezultat i këtij interferimi është sjellja sot e oficerëve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm. Dalja në shtyp e tyre, intervista me median, konferenca shtypi në emër të SHP-së etj., janë elemente që tregojnë se pak është kuptuar roli dhe vendi i ushtrisë në një sistem demokratik. Kjo është absolutisht e rrezikshme dhe e dënueshme. Të krijohet ideja se kemi me vete me një Shtab të Përgjithshëm dhe një ministri të Mbrojtjes. Shtabi i Përgjithshëm është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Ushtaraku nuk mban pozicione elektive ku të jetë zgjedhur nga votat e konstituentëve. Ai emërohet dhe shkarkohet nga ekzekutivi. Prandaj nuk i shërben askujt nxitimi i tyre për t’iu bashkuar korit të politikës. Ndryshe nga Shtab i Përgjithshëm kthehet në shtab arabeckash. Por edhe këtu është përsëri ndikimi negativ i partive. Faktet tregojnë se disa ushtarakë okupuan vendet që mbajnë pikërisht si rezultat i partishmërisë së treguar dhe manovrave të tjera jo të ndershme. Dhe kjo eksperiencë negative krijon premisë për t’u kthyer në forcë motivuese për të tjerët. Shumë nga ushtarakët e lartë të Shtabit të Përgjithshëm, përfshirë edhe Shefin e tij unë i njoh personalisht. Ata kanë qenë shokët e mi dhe të tillë do të mbeten për mua. Kjo sepse kemi ndarë së bashku shumë vite pune e vështirësie e së bashku aspiruam për të ndërtuar një ushtri bashkëkohore e në shërbim vetëm të interesave të popullit. Ata janë ushtarakë të aftë, njerëz të sakrificave e plotësisht në gjendje t’ju përgjigjen kërkesave të kohës. Populli kontribuoi në edukimin e tyre dhe ata duhet t’i shërbejnë atij. Vendi ynë ka nevojë për ta dhe asnjëri nuk duhet të humbet. Kurrë nuk duhet të ndodhë më ajo që ndodhi në 8 vitet e qeverisjes së shkuar, ku u spastruan nga ish-ushtarakët e lartë deri tek pastrueset e ministrisë së Mbrojtjes. Edhe pse Kryeministri i sotëm dhe ish Presidenti i djeshëm nuk denjuan të korrigjojnë atë çka mund të korrigjohej, edhe pse detyrimi i tyre kushtëzohej nga shumë faktorë, përsëri personalisht unë e konsideroj arritje faktin që kornizës së sotme ushtarake nuk ju bë as kozmetika më e vogël nga forca politike që mori pushtetin dy vjet më parë. Por nga ana tjetër duhet të kuptohet mirë nga të sotmit, se ata që u sakrifikuan ishin jo më pak të zotët se ata, ndoshta dhe më tepër. Prandaj apeli im për drejtuesit e sotëm të SHP-së do të ishte të shkëputen plotësisht nga bindjet e lidhjet partiake. Ministrat, Kryeministrat, partiakët do të vijnë e do të shkojnë, por ata do të mbeten aty. Ata duhet të ndërgjegjësohen e të kuptojnë se nuk janë pjesë e lojës politike. Ata duhet të kenë kurajën të vihen në krye të punëve si profesionistë e jo si shërbëtorë të politikës. Sa e dëmshme është thyerja e besimit në raportet Ministër-Shef i Shtabit të Përgjithshëm, po aq e dëmshme është edhe shmangia e këtij të fundit e marrja e rolit përsipër nga zëvendësi i tij siç ndodhi në vitet e fundit të qeverisë paraardhëse. Preferencat varen nga politikani, por ushtaraku duhet të gjejë vendin e tij në rresht, ndryshe lindin dyshime e keqinterpretime. Ata duhet të jenë në gjendje të kuptojnë se sot forca të caktuara politike po përpiqen me çdo kusht të rindërtojnë shtëpitë e tyre me materialin e Gërdecit. Por këto shtëpi nuk do të kenë kapacitetet e mjaftueshme e themele të qëndrueshme, sepse ato po ngrihen mbi fatkeqësitë e njerëzve e jo me investime politike të besueshme. Le të kthejnë sytë nga ushtria dhe do të shohin se sa shumë kanë për të bërë. Jo krekosje e frazeologji boshe, jo justifikime foshnjore por dedikim në profesion. Kjo është e vetmja rrugë që do ti çojë ata në fitimin e besimit të popullit që është sovrani i vetëm në atë mbretëri që të gjithë e quajmë nëna Shqipëri. Pranimi në NATO, aq i dëshiruar nga çdo shqiptar, fatkeqësisht nuk do të nënkuptojë aq arritjet ushtarake se sa ato në fushat e tjera. Ajo do ti dedikohet në radhë të parë mbështetjes totale të SHBA-së, dhe kjo mbështetje nuk është për politikanë individualë por mbështetje për popullin tonë, mbështetje për ushtrinë shqiptare, mbështetje për traditat më të mira të kombit tonë që konstituojnë një faktor të rëndësishëm paqeje në rajon e më gjerë.
*Ish Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
3 Prill 2008