PS: Janë 60 kompani monopole
ADI SHKEMBI
Partia Socialiste denoncon atë që e quan kapjen e shtetit nga rreth 60 kompani, të cilat sipas saj përfitojnë rreth 4 miliardë euro çdo vit. Në vijim të një raporti të publikuar në Këshillin Kombëtar Ekonomik, me referenca nga raporti i SHISH që u prezantua në Kuvend, deputeti i PS-së, Erjon Braçe, renditi disa prej fushave ku kompani të caktuara kanë vendosur monopolin ose situatën oligopol dhe diktojnë çmimet në treg. “Janë gati 4 miliardë euro që i xhirojnë e përfitojnë monopolet, pra rreth 60 kompani dhe që i paguajnë mbi 3 milionë shqiptarë! Kjo është kapja e shtetit! Monopolet po zhvatin çdo shqiptar, po pasurojnë çdo qeveritar! Ky është pushteti i tyre, nuk është pushteti i shqiptarëve. Monopolet dhe ekonomia kriminale është arsyeja pse në këtë vend ka krizë politike dhe nuk ka zgjidhje! Këta nuk lejojnë zgjidhje!”, tha deputeti i PS-së.
Tregjet monopol
Sipas Erjon Braçes, një prej tregjeve monopol dhe që u kushton rreth 600 milionë euro çdo vit qytetarëve shqiptarë është prodhimi, transmetimi, shpërndarja e shitja e energjisë elektrike. Duke analizuar çdo ndarje të këtij sistemi, ai tha se KESH dhe OST-ja janë monopol i Qeverisë, ndërsa OSSH është pronë e një kompanie, e cila është e privilegjuar nga Qeveria. Sipas deputetit socialist, çmimi i energjisë elektrike caktohet pikërisht nga Qeveria dhe kompania çeke dhe rritet për të përfituar ato maksimalisht. Një tjetër treg, i cili ndodhet në situatë monopol dhe oligop është ai i gazit. “Qeveria përgjithësisht ka hequr dorë nga kjo pasuri shqiptare dhe e ka lëshuar qëllimisht në duart e disa privatëve, të përzgjedhur politikisht, në mënyrë të korruptuar! çmimi i naftës dhe gazit caktohet nga këta, rritet prej tyre për të përfituar maksimalisht! Kjo pasuri shqiptare llogaritet në mbi 3.5 miliardë USD dhe nga kjo Shqipëria po përfiton 0 USD, klientët politikë dhe familjet në pushtet disa qindra miliona. Kjo është arsyeja që qytetarët, gjithnjë paguajnë më shtrenjtë naftën dhe gazin për konsum të përditshëm. Nuk janë pak, por 800 milionë euro të paguara në vit”, tha Braçe. Deputeti socialist analizoi edhe tregun e telefonisë celulare, e cila sipas tij, ndodhet në situatë monopol dhe oligopol si dhe përbëhet nga disa kompani të përzgjedhura politikisht me garë të korruptuar. “çmimi, tarifa e çdo bisede telefonike caktohet nga këta, ulet minimalisht, por edhe rritet për të përfituar maksimalisht. Kjo është arsyeja që qytetarët çdo ditë paguajnë më shtrenjtë se mesatarja e vendeve fqinje apo europiane, çdo tingull, çdo germë, çdo foto brenda një komunikimi që paraja e bën të pamundur. Nuk janë pak, por 550 milionë euro të paguara në vit”, tha më tej deputeti Braçe. Sipas tij, e njëjta situatë ndodhet edhe në ndërtimin e rrugëve, shkollave dhe spitaleve, të cilat u kushtojnë qytetarëve shqiptarë rreth 750 milionë euro në vit. “8 tregje të tjera, i importit të grurit/prodhimit dhe shitjes së miellit për bukë, i duhanit, i çimentos, i transportit ajror, i menaxhimit të aeroporteve, i shërbimit/kolaudimit të automjeteve, i menaxhimit të porteve detare, i pullave fiskale, i ilaçeve të rimbursueshme, makinave që kontrakton Qeveria, janë monopol, oligopol pa konkurrencë i disa privatëve, përgjithësisht të zgjedhur nga Qeveria politikisht, në gara të korruptuara ku sërish Qeveria ka pjesën e saj”, theksoi Braçe.