E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ultimatum pronarëve të varrezave të makinave

Inspektorët janë shpërndarë në Elbasan dhe katër nënprefekturat e qarkut, dhe kanë evidentuar në detaje këtë aktivitet

ELBASAN Agjencia Rajonale e Mjedisit në Elbasan u ka dhënë ultimatum pronarëve të varrezave që brenda datës 7 tetor, ose të kenë larguar këtë aktivitet 1 km larg rrugës automobilistike, ose t’i kenë dërguar ato për skrap. Drejtori Adi Madhi u shpreh se në bazë të udhëzimeve të marra nga Ministria e Mjedisit për heqjen e mjeteve motorike, rimorkiove dhe pjesëve të ndryshme të dala jashtë përdorimit pranë rrugëve kombëtare, menjëherë janë marra masa për identifikimin dhe regjistrimin e tyre. Inspektorët janë shpërndarë në Elbasan dhe katër nënprefekturat e qarkut, ku kanë evidentuar në detaje këtë aktivitet. Në shkallë prefekture janë identifikuar 52 subjekte që ushtrojnë aktivitet duke shfrytëzuar varrezat e makinave. Numrin më të madh të varrezave e zë Elbasani, me 42 varreza makinash, të cilat ndodhen në afërsi të qytetit dhe në anë të akseve rrugore Elbasan- Librazhd, Elbasan –Gramsh, Elbasan-Cërrik, Elbasan-Peqin, Elbasan-Tiranë. Në nënprefekturën Librazhd janë identifikuar 8 varreza makinash dhe në Peqin, 2 të tilla. Adi Madhi pohoi se “shumica e subjekteve kanë filluar evadimin e makinave të vjetra duke çmontuar pjesët e këmbimit e duke i dërguar ato për skrap. Pronarëve iu dhanë sqarimet e nevojshme dhe iu la detyrë që brenda datës shtatë tetor ky aktivitet duhet të zhvendoset 1 km larg rrugëve nacionale, ose duhet të dërgohen për skrap”.

ARM Elbasan bën të ditur se mbeten vetëm dy ditë nga vendimi për largimin e varrezave dhe se pas kësaj date do veprohet bazuar në ligj. “Nëse pronarët nuk kanë larguar makinat dhe vjetërsirat e hekurit, atëherë pas datës 7 ne do të ndërhyjmë duke i sekuestruar varrezat dhe duke dërguar në metalurgji për skrap makineritë e tyre”, - ka kërcënuar drejtori Adi Madhi. F.Salliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›