E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te dhenat e BSH-se tregojne nje rritje te lehte kreditimit ne leke

Shfaqen shenjat e para të reflektimit për përdorim sa më të lartë të lekut në ekonomi.

Ky fakt evidentohet në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, kur në tremujorin e parë të këtij viti vërehet një balancë në masën 50 me 50%, të përdorimit të lekut ndaj valutës, për pasuritë e paluajtshme.

Një vit më parë, për tremujorin e parë 2010, kredia për blerje pasurish të paluajtshme jepej në masën 63% në valutë.

Sipas statistikave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, për tre muajt e parë të këtij viti kredia e re për blerje pasurish të paluajtshme kishte vlerën e 4.5 miliard lekëve, me një rritje prej 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e kredisë për blerje pronash përkon me një gjallërim të lehtë të tregut të pasurive të paluajtshme.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se çmimet e banesave në Tiranë u rritën me 1.5% mbi bazë vjetore dhe vlerësoi se lehtësimi në kushtet e kreditimit tregon për një rritje të kërkesës, që mund të ketë shkaktuar rritjen e lehtë të çmimeve.

Megjithatë, në daljet e tij publike, guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka lëshuar deklarata se zhvillimet në kredinë për individë, vazhdojnë të diktohen nga kërkesa e ulët për kredi.

Kjo si pasojë e pasigurisë për të ardhmen dhe problematikave të tregut të pasurive të paluajtshme.

Për këtë arsye, guvernatori Fullani ka kërkuar nga sektori bankar, i cili aktualisht është i mirëkapitalizuar, të japë më tepër kredi si ndaj konsumatorëve, ashtu edhe ndaj bizneseve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›