E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dhënat personale, Komisioneri ndëshkon kompanitë celulare

SHKRUAN: Blerina Hoxha 20-04-2011 15:17

Mbrojtja e të dhënave personale, sidomos prej kompanive celulare, ka çuar dje në nënshkrimin e një marrëveshje ndërmjet Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave personale dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Kur regjistrojmë numrin celular, kur presim një biletë avioni apo edhe thjesht kur marrim një kartë anëtarësie të një supermarketi, plotësojmë formularë ku vendosim të dhëna personale. Mirëpo rrallëherë shqetësohemi për mënyrën sesi do të përdoren të dhënat tona personale. Në fakt, subjektet që i administrojnë këto të dhëna jo gjithnjë i ruajnë dhe i përdorin sipas përcaktimeve të ligjit. Për këtë arsye, Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave Personale madje edhe ka gjobitur së fundmi njërën nga kompanitë celulare. Komisioneri, Flora Çabej shprehu shqetësimin e saj në lidhje me përparimin e teknologjisë së informacionit, e cila çdo ditë e më shumë rrezikon të cenojë privatësinë e individëve. Pikërisht falë kësaj marrëveshjeje të iniciuar midis dy autoriteteve do të mundësohet bashkëpunimi më i ngushtë në rregullimin e kuadrit ligjor, inspektimeve të përbashkëta si dhe fushatës së ndërgjegjësimit për sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale dhe komunikimit elektronik. Nga ana e tij, Pirro Xhixho, Kryetar i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare theksoi prioritetin që institucioni që ai përfaqëson, i jep të Drejtës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe bashkëpunimit konkret me Zyrën e Komisionerit, duke u angazhuar në inspektime të përbashkëta, të cilat do të japin rezultate më efektive, në mënyrë që të plotësohen të gjitha standardet e Bashkimit Europian. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mori pjesë dhe ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, i cili në fjalën e tij theksoi mbështetjen e qeverisë në lidhje me krijimin dhe promovimin e kulturës së sigurisë në komunikimet elektronike dhe mundësimin e një komunikimi më të sigurt.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›