Të djathtët, puç në Bashkinë e Durrësit
Sezoni turistik, plazhe me pagesë dhe vendime “të çmendura”. Demokratët sfidojnë bashkinë, miratojnë projektvendimin e prezantuar nga deputeti Eduart Halimi për administrimin e plazhit publik në Durrës. Nëse prefektura do të pranojë miratimin e projektvendimit, atëherë 97 subjekteve që kanë marrë me qira brezin ranor në plazh do t’u anulohen kontratat pavarësisht shlyerjes së detyrimeve për pasjen e plazheve private. Një votim dhe miratim i pambështetur në rregulloren e brendshme të Bashkisë së Durrësit është realizuar mbrëmjen e kaluar në Këshillin Bashkiak të qytetit për një çështje tepër të ndjeshme për të gjithë qytetarët durrsakë dhe pushuesit që zgjedhin bregdetin e tij për të pushuar. Në bazë të nenit 80/1, që në të vërtetë nuk ekziston, të rregullores së brendshme të bashkisë që këshilltarët bashkiakë e kanë votuar me shumicë votash, kryetari i grupit të këshilltarëve bashkiakë të PD-së, Seit Kërtusha, ka kërkuar kalimin në votim të projektvendimit të hartuar nga deputeti Halimi dhe me shumicë votash të të djathtëve është miratuar.
Rregullorja përcakton qartë se askush tjetër përveç administratës bashkiake nuk mund të hartojë projektvendimet që i kalojnë për miratim Këshillit Bashkiak. Projektvendimi mban në fund të çdo faqeje faqen në internet të deputetit, si dhe adresën e tij elektronike, ndërsa ka adresën dhe stemën e bashkisë në krye të dokumentit. Projektvendimi ka ngjallur debate në këshill, madje gjatë njërit prej tyre me këshilltarin Eduart Ndreu, drejtor i Autoritetit Portual Durrës, kryebashkiaku Vangjush Dako ka braktisur sallën e Këshillit Bashkiak, duke u dhënë fund debateve dhe kërkesë-llogarisë për abuzimet me plazhet private dhe mungesën reale të plazheve publike në Durrës.
Kryebashkiaku Vangjush Dako u ka tërhequr vëmendjen këshilltarëve demokratë paraprakisht për këtë projektvendim që duhet të ishte propozuar që në fillim të vitit në kohën kur hartohet projektbuxheti dhe paketa fiskale dhe jo në sezon: “Jeni me vonesë”. Në përgjigje të kërkesës së këshilltarit Andi Lila për situatën dhe problematikën që mbart për pushuesit zaptimi i brezit të rërës, Dako tha se këtë vit u miratuan 97 plazhe private nga 120 kërkesa që mbërritën pranë bashkisë nga subjekte të ndryshme.
Batutat dhe kundërbatutat nuk kanë munguar në sallën e mbledhjeve të këshillit. Secili nga subjektet private ka paguar pranë Bashkisë së Durrësit 3,7 milionë lekë të vjetra për 200 metra katrorë plazh të marrë me qira. Kryetari i këshillit bashkiak, Zamir Ramadani, ngriti pikëpyetje mbi menaxhimin e brezit ranor dhe sipërfaqet e zaptuara nga privatët dhe përtej hapësirës së lejueshme. Tema ka qenë e nxehtë dhe tepër e ndjeshme, pasi në plazhin e madh të Durrësit është e vështirë të gjesh një vend ku të mund të bësh banja dielli pa pagesën që varion 300-500 lekë. është diskutuar dhe për vendosjen e standardeve dhe kritereve dhe se kush e ka kompetencën për to, si dhe për vendet që do të jenë plazhe publike. KRRT-ja apo KB-ja? Debati është zhvendosur në këtë pikë.
Këshilltarët demokratë kanë pretenduar se është kompetencë e KB-së të vendosë standardet dhe jo e kryebashkiakut. Gjithsesi, me shumicë votash, pa praninë e Dakos që është larguar më parë, është miratuar projektvendimi i propozuar nga deputeti demokrat, Halimi. Vendimi i mbrëmjes së kaluar vë në pikëpyetje kontratat aktuale të lidhura mes bashkisë dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në plazhin e Durrësit duke ofruar shërbime lehtësuese kundrejt pagesës për pushuesit. Do të jetë institucioni i prefektit që do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtij vendimi për t’i hapur ose jo rrugë zbatueshmërisë së tij në këtë sezon të nxehtë turistik, jo vetëm në temperaturë, por edhe në përplasjet mes krahëve të politikës. Rëndësi merr problematika dhe shqetësimi qytetar për të pasur më shumë hapësirë në plazhin që është pronë publike dhe duhet shfrytëzuar si i tillë duke ofruar edhe një konkurrencë dinjitoze në shërbime me plazhin privat.
#