Basha, strukturës së re rrugore: Reduktoni aksidentet!
Kreu i Ministrisë së Brendshme u kërkon drejtuesve të strukturës së re të Policisë Rrugore një përmirësim të shpejtë dhe radikal të treguesve të qarkullimit rrugor. “Objektivi është i qartë: Reduktim i shpejtë i fataliteteve në inventarin rrugor anembanë vendit! Në fund të sezonit turistik pres që krijimi dhe vënia në eficiencë e kësaj strukture dhe bashkëpunimi i saj i ngushtë me drejtorët e policisë në qarqe të sjellë një përmirësim thelbësor, i cili natyrisht mund dhe do të matet vetëm me krahasimin e statistikave të këtij viti me vitin e shkuar dhe vitet e tjera pararendëse”, është shprehur ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në takimin e parë që ka pasur me drejtuesit e strukturës së re të policisë rrugore, e cila hyn në fuqi sot. Në takimin me drejtuesit e sapoemëruar të strukturës së re të Policisë Rrugore dhe drejtuesit e policisë në qarqe, ministri Basha u shpreh se krijimi i Task-Forcave të përhershme, pajisja me mjetet më të fundit të teknologjisë, si dhe përzgjedhja e punonjësve me përvojë kanë si qëllim të vetëm, përmirësimin radikal të rezultateve në qarkullimin rrugor dhe zbritjen e menjëhershme të numrit të aksidenteve dhe të fataliteteve që shkaktohen anembanë territorit të Republikës. “Struktura e re do të marrë përsipër në çdo cep të territorit me vëmendje të veçantë në arteriet kryesore rrugore, autostradat dhe superstradat e vendit, territorin e bashkive të mëdha e të mesme, një vëzhgim jashtëzakonisht të hollësishëm të situatës, marrjen e të gjitha masave parandaluese brenda kompetencave ligjore të policisë, si dhe identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë me zero tolerancë të çdo shkelësi sado minor apo madhor të ligjeve të vendit dhe në veçanti të Kodit Rrugor”, theksoi ministri i Brendshëm. Duke u ndalur te fakti se korrupsioni përbën një problem për policinë rrugore për shkak të kontaktit të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me qytetarin, ai tha se evidentimi i ankesave të qytetarëve do të jetë në qendër të vëmendjes së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. “Transparenca, llogaridhënia, zbatimi i Kodit të Etikës dhe i standardeve profesionale dhe toleranca zero ndaj abuzuesve me uniformën e Policisë së Shtetit, janë qëllim parësor i kësaj strukture të re”, deklaroi Basha. Ai u kërkoi në takim drejtuesve të strukturës së re të Policisë Rrugore të bashkëpunojnë me organet e pushtetit qendror dhe vendor në çdo qark, dhe në këtë kuadër bashkëpunimi do të fillojë menjëherë me zbatimin e planit të masave për çështjet e sigurisë gjatë sezonit turistik, i cili do të monitorohet dhe raportohet në shtabet e ngritura në nivel qarku nga prefektët.
#