Burgaj: Arsyet pse i ndryshuam strukturat
Pas ndryshimeve të strukturave të policisë, kreu i saj, Hysni Burgaj, ka zhvilluar takimin e parë me drejtuesit më të lartë, për të shpjeguar krijimin e disa drejtorive të reja. Duke prezantuar riorganizimin e strukturave, siç janë krijimi i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorisë për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve, si dhe të sektorit për hetimin e aseteve kriminale, drejtori i Përgjithshëm theksoi se ky riorganizim erdhi si një domosdoshmëri e parashikuar në objektivat e qeverisë për të luftuar me tolerance zero krimin e organizuar. Në vijim të takimit, Burgaj theksoi se ky është vetëm fillimi i një procesi dhe tashmë këto struktura duhet të vihen në punë me eficiencë të plotë, në mënyrë që të arrihet ai ndryshim dhe rezultat që pritet nga të gjithë. Burgaj shpjegoi se në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale janë përqendruar gjithë burimet njerëzore, financiare e materiale dhe pritet që ky përqendrim të sjellë një aktivizim më me eficencë të personelit për veprime të kualifikuara gjatë përdorimit të teknikave speciale të hetimit, një nivel shumë më të lartë të integritetit dhe konfidencialitetit se deri më sot të personelit të kësaj strukture, një trajnim të vazhdueshëm dhe të specializuar për veprimet dhe ndërhyrjet taktike gjatë operacioneve policore. Për këtë qëllim pranë kësaj strukture janë përfshirë edhe specialistë për ndërhyrjet taktike, për shërbimet psikologjike dhe ato mbështetëse e logjistike. Ndërkohë, duke u ndalur te Drejtoria kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në përgjegjësinë e të cilit është sektori për hetimin e aseteve të krimit, Burgaj vuri në dukje faktin që kjo strukturë pritet të japë shumë rezultate pozitive në identifikimin e aseteve kriminale për çështjet në hetim, bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë gjatë procesit hetimor me qëllim sigurimin e prove të plota për asetet kriminale dhe bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit e Pastrimit të Parave për verifikimin dhe vërtetimin e informacioneve për asete që dyshohen se janë me prejardhje kriminale. Gjatë këtij takimi, Burgaj prezantoi dhe Drejtorinë për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve, një tjetër strukturë e re, veprimtaria e së cilës ndikon drejtpërsëdrejti në sigurinë e cilësinë e jetës së komunitetit, pavarësisht nga veprat penale që ka në kompetencë.
#