Të drejtat e mohuara të kristianëve në Gjykatën Europiane
Angli
Katër vetë besojnë se u është mohuar e drejta për të besuar dhe shprehur besimin e vet
Katër kristianë nga Britania e Madhe, të cilët besojnë se kanë humbur vendet e tyre të punës dhe janë diskriminuar për shkak të besimit të vet, vendosën ti drejtohen Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe gjykata ka pranuar të dëgjojë ankesat e tyre. Rastet e tyre përfshijnë një punëtore aeroporti, e cila u ndalua të mbante kryq si dhe punonjës që refuzuan ti shërbenin çifteve të homoseksualëve. Të katërt kanë humbur çështje gjyqësore të ngritura para drejtësisë së Britanisë së Madhe.
Kritikët laikë thonë se nëse Gjykata Europiane merr ndonjë vendim pro tyre, atëherë ligjet për barazinë të Britanisë së Madhe mund të dëmtohen rëndë. Vendimi pritet të merret pas disa javësh.
Nadia Eweida, një kristiane pentekostale, u dërgua në shtëpi nga punëdhënësi i saj, British Airways në vitin 2006 kur refuzoi të hiqte nga qafa një varëse me një kryq. Ajo punonte te pritja e klientëve në aeroport.
Shirley Chaplin, një infermiere, u transferua në një punë zyre pasi drejtuesit e spitalit nuk toleruan simbolet kristiane që mbante në trup. Gary McFarlane qe një këshilltar social, i cili u pushua nga puna pasi refuzoi të këshillojë një çift homoseksualësh pasi argumentoi se kjo gjë binte ndesh me besimin e vet. Lilian Ladele, një punonjëse bashkie, u pushua nga puna, pasi nuk pranoi të celebronte martesën e një çifti homoseksualësh.
Secili prej tyre iu drejtua Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut veçmas, por gjykata vendosi ti shqyrtojë rastet së bashku. Vendimet e kësaj gjykate janë të detyrueshme për tu zbatuar nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Ankimuesit pretendojnë se ligjet britanike nuk qenë të mjaftueshme për të mbrojtur të drejtën e tyre për të shpallur publikisht bindjet fetare, një gjë kjo që bie ndesh me nenin 9 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ky nen garanton të drejtën e besimit, duke përfshirë lutjen, propagandimin, praktikimin dhe respektimin e elementëve fetarë. Ata pretendojnë gjithashtu se Britania ka shkelur nenin 14 të konventës, ku shpallet e paligjshme diskriminimi mbi bazë fetare.
Një organizatë e rëndësishme britanike që monitoron problemin e barazisë para ligjit, mendon se gjykatat kanë marrë vendimin e duhur në rastin e dy punonjësve që i refuzuan shërbimin çifteve LGBT, por për dy rastet e simboleve fetare, ndoshta neni 9 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut mund të jetë shkelur.
Ndërkohë, një shoqatë kristiane që ka asistuar ankuesit thotë se për sa kohë të drejtat e kristianëve mund të respektoheshin pa shkaktuar shkelje për të drejtat e grupimeve të tjera, gjykatat britanike e kanë shkelur të drejtën e ushtrimit të lirë dhe pa pengesa të fesë.
Të drejtat e mohuara të kristianëve në Gjykatën Europiane burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip