E Diel, 1 Nëntor 2026

Të drejtat e njeriut, KSHH, monitorim zbatimit te ligjit

 

TIRANË- Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) dhe Agjencia Holandeze e Institucioneve të Korrektimit, (AHIK), me finacim të Komisionit Evropian në Tiranë nisi sot nga zbatimi i një projekti që ka si qëllim promovimin e të drejtave të personave të privuar nga liria në Shqipëri.
Burime zyrtare nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit bënë të ditur sot se, projekti: "Së bashku për një respektim më të mirë të të drejtave të personave të privuar nga liria", synon të promovojë të drejtat e këtyre personave dhe të grupeve në nevojë në veçanti, duke advokuar për rritjen e ndërgjegjësimit dhe profesionalizmin e strukturave të Policisë së Shtetit si dhe personelit të institucioneve penitenciare.
Kjo nismë do të përqëndrohet në përmirësimin e zbatimit të ligjit nga ana e punonjësve të institucioneve shtetërore si komisariateve të policisë, të paraburgimit dhe burgjeve, për një respektim dhe trajtim me të mirë të personave në kontakt me to.
Gjithashtu ajo do të rrisë ndërgjegjësimin dhe njohjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e ligjit nga punonjësit e policisë dhe institucionet penale në trajtimin e personave në kontakt me këto institucione si dhe të japë ndihmesë psikologëve dhe punonjësve të kujdesit social për bërë të mundur ofrimin e një trajtimi të veçantë për personat e privuar nga liria, me fokus të veçantë në grupet në nevojë në institucionet e paraburgimit dhe burgjet.
Agjencia Holandeze e Institucioneve të Korrektimit (AHIK) do të marrë pjesë në zbatimin e aktiviteteve të programit si agjenci e asociuar dhe do të mundësojë ardhjen e ekspertëve me përvojë në fushën e ngritjes së kapaciteteve të stafit në fushën penitenciare. Ndërsa autoritetet shqiptare në fushë do të jenë pjesë e proceseve dhe aktiviteteve.
Ky program do të zbatohet për një periudhe 18 mujore dhe mundësohet financiarisht nga Delegacioni i Komisionit Evropian në Tiranë. Kostoja e programit është rreth 124 mijë euro, nga të cilat mbi 99 mijë euro janë akorduar nga Komisioni Evropian dhe 24 mijë euro janë kontribut i KSHH-së.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›