E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA kërkon armën e "Xupit" në ujërat e Lanës

Palombarët e RENEA-s kanë kryer
kërkime gjatë dy ditëve në lumin
e Lanës, duke shpresuar në
gjetjen e armës së krimit të "Xupit". Por,
me gjithë kërkimet intensive deri dje
nuk është gjetur arma, që i arrestuari
Fatmir Avdillari, i njohur me nofkën e
lartpërmendur, ka përdorur për vrasjen
e Ardian Tahirit. Sipas të dhënave të
policisë, kërkimet e forcave RENEA
kanë zgjatur për disa orë gjatë ditës së
mërkurë dhe paraditen e djeshme, por
pa sjellë ndonjë rezultat. Madje, policia
tha se kërkimet i ka përqendruar në
rrugën "Irfan Tomini", ku i arrestuari, i
cili ka pranuar krimin, ka deklaruar se
kishte hedhur armën pas vrasjes së Tahirit.
Palombarët kanë tërhequr edhe
vëmendjen e kalimtarëve për disa orë
radhazi, ndërkohë që mesditën e
djeshme kërkimet janë ndërprerë. Policia
tha se "Xupi" u arrestua në një bunker
te kodrat e Yzberishtit, ku qëndronte
i fshehur. Madje, për kapjen e tij ishte
negociuar edhe nëpërmjet një
punonjësi policie që kishte njohje me
të. Siç dihet, "Xupi" ka qenë një ndër
anëtarët kryesorë të Bandës së Selitës
dhe sapo kishte dalë nga burgu për një
sërë vrasjesh në vitet ‘90. Ai ka kryer një
dënim prej 12 vjetësh heqje lirie, por
vetëm dy muaj më vonë, kreu një tjetër
vrasje. Rreth orës 23:00 të mbrëmjes të
së shtunës, forcat policore të Komisariatit
Nr. 2 dhe specialistët e seksionit
kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit
morën njoftim se në hyrje të zonës
së Selitës kishte ndodhur një plagosje e
dyfishtë. Të mbërritur në vendin e ngjarjes,
agjentët transportuan për në spital
të dëmtuarin Ardian Tahiri, emigrant
i sapokthyer nga shteti grek dhe Roland
Cakën dhe nisën këqyrjet dhe hetimet
në vendin e ngjarjes. "Xupi" deklaroi se
e kishte vrarë Tahirin që të merrte hak
për vëllain e vrarë dhe të djegur në Greqi,
më 12 janar të vitit 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›