E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi: Kartoni? Rashë pre i provokimit

Hamdi Salihi ka marrë të shtunën kartonin e parë të kuq në karrierën e tij, por goli i shënuar sikur e sfumon këtë të fundit, megjithëse sulmuesi përsëri është i mërzitur. Në ndeshjen Matersburg-Ried, pasi shënoi një gol spektakolar, shkodrani u ndëshkua në fundin e pjesës së parë. "E kam peshqesh nga një lojtar provokues, sic është maqedonasi Sedlovski,- tregon Salihi nëpërmjet linjës telefonike për "Sportin shqiptar". - Loja e nisi disi e acaruar dhe me ndërhyrje të rënda. Ishte një dyluftim me kokë në ajër, ku unë ngela i shtrirë në fushë, pas përplasjes me Sedlovskin. Prisja që gjyqtari të jepte faull, por ai vazhdoi lojën. Në momentin që isha i shtrirë lojtari maqedonas më vuri këmbët në fyt dhe më tha: "Cohu, se nuk të bëra gjë, pse simulon?" Unë reagova menjëherë, duke e shtyrë me këmbë dhe duar. Pas kësaj, Sedlovski u shtri në një mënyrë të shëmtuar, a thua sikur i kisha gjuajtur me grusht. Ndërkohë, gjyqtari kryesor ndërpreu lojën dhe shkoi direkt tek anësori për t'u sqaruar. Ai, i cili ka parë ndoshta vetëm momentin e fundit, i sugjeroi menjëherë që unë të ndëshkohesha me karton të kuq. Më erdhi shumë keq, sepse e nisëm lojën mirë dhe nuk e meritonim humbjen."
Salihi ka shënuar dy gola në dy ndeshje, por tani ka frikë se komisioni i disiplinës mund ta ndëshkojë. "Nesër (sot) do të jem në Vjenë për të bërë ballafaqimin në komisionin e disiplinës. Shpresoj që të mos dënohem, por gjithsesi pamjet filmike do të tregojnë gjithcka. Sedlovski njihet në kampionatin austriak si një lojtar provokues, pasi ka disa precedentë. Në ndeshjet e kaluara u jam shmangur provokimeve të tij, por në këtë të fundit nuk mund të durohej,"- thotë 24-vjecari, i cili shpreson se në fund të sezonit do të kurorëzohet si golashënuesi më i mirë në Austri. "E nisa mirë dhe besoj se kështu do ta përfundoj. Pavarësisht se ekipe si Salcburgu apo Rapidi i Vjenës shënojnë shumë gola, mendoj se i kam shanset për të qenë në krye të golashënuesve. Eshtë dëshira ime që ta mbyll në Austri me nder."
Ndërkohë, sulmuesi flet edhe për kombëtaren. "Do të luajmë në Armeni? Ou, si ka mundësi? Megjithatë, sa pa ndeshje, më mirë në Armeni. Duhet patjetër të luajmë, pasi trajneri do që të shikojë ekipin para ndeshjes me Suedinë,"- pohon shkodrani. Në miqësoren e fundit ai luajti titullar dhe tani beson që do të jetë i tillë edhe ndaj Suedisë, për ta nisur me gola, ashtu sic bëri te Riedi. "E kam thënë edhe më parë: Sa herë të aktivizohem për kombëtaren, do të mundohem të shfrytëzoj momentin. Deri më tani jo cdo gjë ka shkuar si duhet, megjithatë jam i bindur që do të vijë momenti im, pse jo që në ndeshjen me Suedinë. Golat për kombëtaren i ruaj vec."
Por si e mendon Suedinë e Zlatan Ibrahimovicit goleadori shqiptar?
"Nuk është ekip i lehtë, por as i frikshëm. Në kushtet e një loje të mirë tonën, jam i bindur që i mundim. Të shpresojmë." Në fund, dy fjalë edhe për Ari Hanin: "Eshtë shumë i komunikueshëm dhe i qartë në ato cka thotë. Ishalla e nisim me këmbë të mbarë."
Jorgis MEMO (Sporti shqiptar)

"Legjionarët"
Lika, vazhdon paraqitja e mirë te Tereku
Ilion Lika është kthyer në një titullar të padiskutueshëm te cecenët e Terekut të Groznit. Ekipi ku aktivizohet ish portieri i kombëtares barazoi dje në transfertë me FC Moskën, duke vazhduar serinë e rezultateve pozitive. Nisur nga kronika e lojës, portieri shqiptar kreu disa pritje decizive, duke e ruajtur të paprekur portën. Pas kësaj pike, Tereku i Likës mbetet në vendin e nëntë.

Lorik Cana, gol në testin me Ksamaksin
Futbolisti i kombëtares, Lorik Cana, i cili është kapiten i Olimpikut të Marsejës, ka shënuar dje në miqësoren ndaj Njushatëll Ksamaksit. Mesfushori kosovar realizoi në minutën e 45-të, pas një asisti të dhënë nga Ben Arfa. Loja e Canës ishte e një niveli të mirë, teksa gjatë gjithë 90-minutëshit ai lëvizi shumë dhe shërbeu disa herë për shokët. "Kapiteni shfaqi freski fizike, duke treguar se është gati për sezonin e ri,"- shkruhej në uebsajtin zyrtar të klubit, "om.net".

Kapllani, 9 gola në 6 miqësore
Edmond Kapllani ka shënuar përsëri në ndeshjet miqësore të Karlsruhes. Në fitoren 14-0 të kësaj të fundit ndaj inferiorëve të Bukenbronit, sulmuesi i kombëtares realizoi në minutën e 89 të, ndërkohë që në lojë u fut në fillimin e pjesës së dytë. Ky ishte goli i nëntë i Kapllanit në gjashtë miqësoret e zhvilluara deri më tani, cka tregon se durrsaku po kalon një formë shumë të mirë.

Curri nuk e "harron" vesin e golit
Një tjetër lojtar i kombëtares, Debatik Curri, bëhet protagonist i miqësoreve të ekipit të tij, Vorskla Polltava. Ai shënoi golin e parë ndaj polakëve të Legias së Gdanskit. Për Vorsklën u aktivizuan edhe Armend Dallku me Ahmet Jonuzin, ndërsa Robert Grizha u la pushim për shkak të një dëmtimi.

Bogdani nis stërvitjen me Kievon
Ashtu sic ishte parashikuar, dje sulmuesi shqiptar Erion Bogdani, iu bashkua Kievos, që nisi fazën përgatitore. "Në hotel "Leopardi", mes të tjerëve, binte në sy prania e "Princit të Epirit", i cili bashkohet me verdheblutë pas një vit aktivizim tek Livorno,"- shkruante gazeta veroneze "L'arena". Vetë Bogdani, në një prononcim të pak ditëve më parë, ka premtuar se do t'i cudisë të gjithë këtë sezon.

Skela "luan" me trajnerin e vet
Ervin Skela dhe trajneri slloven i Energia Kotbusit, Bojan Prasnikar, po shfrytëzojnë momentet e pushimit gjatë fazës përgatitore. Përvec stërvitjes me ngarkesë të lartë, trajneri i Kotbusit ka menduar që t'u japë "liri" futbollistëve. Pak ditë më parë Skela me futbollistët e tjerë të Kotbusit vizituan një nga galeritë e minierës së Altenbergut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›