E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumb Kulla rikthehet me një variete në Fier

 

Fier-Rikthehet më në fund tradita e hershme e humorit në qytetin e Fierit. Aktorët e Teatrit "Bylis" shfaqën si premierë në ditën e Shën Valentinit një vepër të shkruar nga autori Pëllumb Kulla. "Kolltuku amerikan" është titulli i shfaqjes, e cila sjell jo vetëm ritmet e festës për të dashuruarit, por edhe për të ngjallur ato kujtime dhe emocione, që vetëm trupa e estradës fierake dinte të transmetonte me aq mjeshtëri. Autori Pëllumb Kulla, i cili aktualisht jeton në Amerikë ka dërguar krijimin e tij më të fundit, të cilën e mori përsipër për ta realizuar regjisori Klajd Marku. Është realiteti shqiptar në këto kohë tranzicioni, ai që e ka bërë autorin të frymëzohet për realizimin e kësaj vepre. Siç është shprehur edhe vetë Kulla, një ndikim ka pasur edhe jeta në Amerikë, vend të cilin ai e njeh prej shumë vitesh. "Tematika dhe motivi i humorit të Pëllumb Kullës nuk mund të mos shkëputet nga dyshtetësia e tij, ajo amerikane dhe ajo shqiptare. Në veprën e tij, kuptohet fare mirë botëkuptimi shqiptar në mendjen e një amerikani si dhe anasjelltas, Amerika në botëkuptimin shqiptar. Jeta e ndërsjellët e këtyre dy shteteve dhe dy botëve me një sarkazëm të theksuar dhe një stil të mrekullueshëm artistik, është shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe me një fjalor sa popullor aq edhe tundues. Gjithçka nga Kulla vjen këndshëm, urtë dhe me humor",- thotë regjisori Klajd Marku. Përsa i përket shtrirjes episodike të varietesë, ka shumë sekuenca që të serivirin humorin e pastër fierak dhe publiku do të befasohet. Në qendër të varietesë është një veteran, i cili rrëfen çdo zhvillim të ngjarjes. Ky personazh është marrë përsipër nga aktori Fatmir Xhelili. Aktorët e tjerë pjesëmarrës në varietenë e Pëllumb Kullës, janë edhe profesionistët e trupës së "Portokalli"-së si Salsano Rrapi, Romir Zalla apo Ervina Kotolloshi, si dhe aktorët e trupës së teatrit të Fierit Todi Llupi, Hajrie Rondo, Hateme Ruzhdia, Fuat Boçi, Doriana Çaushaj, të cilët interpretojnë në këtë variete.                             m.r.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›