E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riza, gjuhëtari i dënuar nga tre regjime

 

Alma Mile

Ai ishte i vetmi që nuk e pranoi se marksizmi kishte lidhje me gjuhën. Shkencëtari dhe poligloti i shikonte këto parulla tërësisht pavend. Ishte kjo arsyeja pse gjuhëtari Selman Riza do të shihej shtrembër nga regjimi komunist. Diktatori nuk mund t'ia falte Rizës, jo vetëm këtë dalje ballazi, por as gjeninë e tij. Njohës i 12 gjuhëve të huaja dhe zotërues i disa diplomave në universitete franceze, Selman Riza, i bënte hije formimit arsimor të Enver Hoxhës, që me një të rënë të lapsit i mohoi të drejtën e mësimdhënies, të botimit, madje dhe të leximit në bibliotekë. Këtë vit bëhen plot 100 vjet nga lindja e gjuhëtarit të njohur, ndërsa sot 21 vjet nga vdekja e Selma Rizës, që bashkë me Eqrem Çabejn, vunë themelet e gjuhësisë shqipe. Gjatë këtij viti parashikohen disa aktivitete nga Instituti i Gjuhësisë, edhe pse do të qe e udhës që i gjithë viti të mbante emrin e Selman Rizës, i cili themeloi kritikën gjuhësore dhe të tekstologjisë, studioi morfologjinë dhe na la si trashëgim të pashlyeshëm pesë studime me karakter kritik mbi pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe: Gjon Buzuku, Lekë Matrënga, Pjetër Budi, Frank Bardhi dhe Pjetër Bogdani. Të tjera vepra janë "Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore", "Historiku e kritika e trajtimeve të deritanishme të nyjeve të shqipes nga gramatikanët përshkues", "Diletantizmi dhe mjeshtëria", etj. Në Kosovë janë botuar 4 vëllime me veprat e Rizës. Pavarësisht meritave në lëmin shkencor, Riza është dënuar tre herë nga fashistët, jugosllavët e diktatura shqiptare. Tanimë nuk ka më diktatura, megjithatë emri Rizës, meriton më shumë nga ç'është bërë sot për të. Selman Riza lindi në Gjakovë më 25 dhjetor të vitit 1909. Kreu shkollën plotore "Naim Frashëri" në Tiranë. Të gjashtë vitet e shkollës plotore ai i përfundoi në tre vjet dhe me rezultate të shkëlqyera. Si i tillë i lindi e drejta për bursë shteti. Më 1925 Selman Riza nis studimet në Liceun Kombëtar të Korçës ku mbaron po me rezultate të shkëlqyera, në gjashtë vjet të nëntë klasat e Liceut. Ministria e Arsimit i siguroi një bursë për të ndjekur studimet në Universitetin e Tuluzës në Francë, ku për tre vjet kreu fakultetin e gjuhës dhe letërsisë franceze, fakultetin e drejtësisë si dhe u specializua për gjuhën gjermane në Heidelberg të Gjermanisë. Menjëherë pas kthimit në atdhe u emërua pedagog në Liceun e Korçës. Në shkurt të vitit 1940 Selman Riza bashkë me profesorët Abaz Ermenji, Masar Shehu, Stavri Skendi e te tjere, internohen për një periudhë tre vjeçare në Ventotone të Italisë. Edhe në internim Selman Riza vazhdoi të studionte. Në tetor të vitit 1941 lirohet nga internimi dhe kthehet në atdhe. Punoi për pak kohë në Durrës e më pas shkoi në Kosovë, ku krahas studimeve në lëmin e gjuhësisë, u angazhua në veprimtari politike. Në studimet shkencore ai synonte, të vërtetonte shkencërisht tezën shqiptare e autoktonisë së pandërprerë të kosovarëve në trojet e tyre. Por emri i tij do të lakohej edhe si themelues i Partisë së irredentistëve, që synonte bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Synimet e Lëvizjes Antifashiste Irredentiste argumentohen dhe propagandohen në traktatin programatik "Manifesti i Irredentizmit Antifashist" të cilin Selman Riza e botoi në Tiranë, në dhjetor të vitit 1943. Një vit më vonë përgatiti për të botuar në Tiranë një punim prej 200 faqesh, me titull "Për dokumentarin e kundërtezës shqiptare" në të cilin, me argumente bindëse hidhen poshtë pretendimet e serbëve rreth përkatësisë së Kosovës. Ky dokument u zhduk dhe nuk është gjendur as sot. Edhe pse tërësisht i angazhuar në lëvizjen antifashiste, Riza nuk do të pozicionohej me asnjë forcë politike të asaj kohe, as me komunistët, por as me ballistët. Është pikërisht shprehja "As bisht i Ballit, as shtojcë e Frontit", që shpreh qëndrimin e tij. Për veprimtarinë e tij politike Selman Riza burgoset në vitin 1945 në Tiranë, vetëm disa ditë pas kthimit në Shqipëri, ku kishte ardhur për t'i shpëtuar përndjekjes serbe. Pas burgosjes dhe internimin nga fashistët italianë, provoi burgun e bashkatdhetarëve të tij. Qëndroi vetëm tre muaj në burgun e Tiranës dhe me kërkesën e jugosllavëve u transferua në burgjet titiste në Prishtinë "si kosovar antijugosllav" për t'u gjykuar. Mbasi shpëtoi nga dërgimi në Jugosllavi në 1945, falë ndërhyrjes së Manol Konomit, atëherë ministër i Drejtësisë, kjo nuk u shmang në vitin 1948. Selman Riza qëndroi për tre vjet e gjysmë në burgjet jugosllave. Lirohet në gusht të vitit 1951, sepse ishte i sëmurë rendë. Edhe gjatë kohës së dënimit nuk u shkëput nga puna shkencore, duke shkruar disa nga veprat e tij më të rëndësishme. Rikthehet në Shqipëri dhe bashkohet me familjen e tij në Tiranë në vitin 1955. Fillon punën menjëherë në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë si punonjës shkencor dhe në Fakultetin e Filologjisë ku, si pedagog i jashtëm, jepte lëndën "Historia e gjuhës së shkruar shqipe". Vitet 1956-1967 qenë periudha më frytdhënëse në veprimtarinë shkencore të Selman Rizës, që shënoi një hop cilësor në lëmin e gjuhësisë. Ndryshe nga kolegët e tij, ai nuk u pajtua me dogmat komuniste, që donin ta bënin edhe gjuhën "vepër" të marksizëm-leninizmit. Ai u shpreh se drejtuesit e institucioneve shkencore nuk duhet të kenë disa funksione dhe se filozofia marksiste nuk mund të zbatohej në gjuhësi. Për këto mendime në prill të vitit 1967 pas fletërrufeve të shumta dhe gjyqeve kolektive në kuadrin e luftës kundër "mbeturinave borgjeze", e largojnë nga Instituti i Gjuhësisë dhe çojnë në Berat, si ciceron në muzeun e qytetit dhe më vonë në Bibliotekën e qytetit. Në vitin 1970 del në pension të parakohshëm dhe kthehet pranë familjes së tij në Tiranë, i survejuar dhe i ndjekur në çdo hap nga sigurimi i shtetit. Iu mohua e drejta për t`u kthyer në punë në Institut, nuk pati më mundësi të botonte. Vdiq pas një sëmundjeje të rëndë në vitin 1988. Fatkeqësisht vdekja e tij kaloi në një heshtje të plotë. Udhëheqja e asaj kohe nuk lejoi të mbaheshin as fjalime në ceremoninë e varrimit. Ishte Aleks Buda, atëherë, kryetar u Akademisë së Shkencave, i cili mbajti një fjalim të shkurtër.

Sami Frashërit mbi unifikimin e shqipes
Fushatën e afrimit të dy kryedialekteve të shqipes e ndërmori Kristoforidhi, duke u orvatur që të rimëkëmbë në Shqipërinë Veriore traditën letrare të gegërishtes së vjetër. Mirëpo e njëjta frymë e afrimit maksimal e mundësisht e unifikimit të krejtshëm të shqipes së shkruar frymëzoi të gjithë bartësit e rilindjes sonë kulturore kombëtare. Në lidhje me këtë çështje ja se ç'i shkruante më 1881 Samiu De Radës: "Kemi shumë nevojë për një fletë në gjuhët shqip, shprehim e besojmë se për së afri do të sjellë puna që të nxjerrim në Shqipëri, nuk me gjuhëra shumë, por vetëm në gjuhët shqip të njëjtë, sikundër duhet të jet dhe Shqipëria se shumë gjuhë e dialekta sjellin ndarje e mërgim... me të mbledhurë të gjithë këtyre fjalëve e traseve bashkë. Edhe gjuha shqip do të bëhet e begatë e gjerë e do të shpëtonjë nga të pasurit nevojë me fjalë të huaja, edhe gjithë dialektat do të gjëndenë të gjitha të bashkuara e të përzjera". "E përsa u takon divergjencave leksikore midis dy kryedialekteve t'anë, kjo dëshirë e Samiut mund të mbahet si tashi e realizuar, kurse divergjencat gramatikore, akoma ekzistuese po vazhdojnë, me një ritëm të shpejtësuar, të reduktohen në minimumin e mundshëm".
Tiranë më 13. 1. '58  Selman Riza

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›