E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia, bie besimi i biznesit e konsumatorëve

 

Fabiola Çela

Ekonomia shqiptare nuk është në ditët e saj më të mira. Ekonomia informale, por dhe problemet me furnizimin me energji elektrike janë evidentuar si dy ndër faktorët më problematikë për biznesin. Për rrjedhojë, besimi i sipërmarrësve ka rënë, madje shumë prej tyre janë shprehur pesimistë për të ardhmen, pasi presin një tkurrje të aktivitetit të tyre. Por edhe besimi i konsumatorëve ka pësuar rënie. Shumë prej tyre janë të mendimit se niveli i papunësisë do të rritet edhe shumë. Ky është përfundimi i një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë.
Vrojtimi
Për herë të parë Banka e Shqipërisë ka publikuar indeksin e besimit të biznesit dhe të konsumatorit. Sipas këtij vrojtimi, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008 Treguesi i Tendencës Ekonomike ka rënë me 10 pikë përqindjeje, duke shënuar vlerën 105.3. Treguesi i tendencës, i cili shënoi rritje në tremujorin e dytë dhe atë të tretë të vitit të kaluar, respektivisht me 2 dhe 9 pikë përqindjeje, aktualisht qëndron 4 pikë përqindjeje më lart se sa mesatarja afatgjatë e tij. Ulja në treguesin e tendencës së ekonomisë në tremujorin e fundit të vitit 2008 është përcaktuar nga rënia në tre nga katër sektorët kryesorë. Në kontrast me sektorët e tjerë, treguesi i besimit të ndërtimit shënoi rritje, duke dhënë kontribut pozitiv në ecurinë e treguesit të përgjithshëm të ekonomisë. Aktualisht treguesit e besimit të industrisë dhe të konsumatorëve qëndrojnë poshtë mesatares së tyre afatgjatë. Konkretisht sipas vrojtimit të kryer nga Banka e Shqipërisë, rënia më e fortë është vënë re te bizneset e shërbimit, treguesi i besimit të të cilëve ra me 7 pikë përqindje, çka ka filluar sakaq të ndikojë dhe sjelljen e tyre.

b
Treguesit e besimit, të biznesit dhe konsumatorëve kanë gjetur një përdorim të gjerë në shumë vende të botës së zhvilluar, sidomos gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. "Këta tregues ndërtohen në bazë të informacionit që merret nga proceset e vrojtimeve, që në terminologjinë teknike njihen si Vrojtimet e Tendencës/Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit. Banka e Shqipërisë i realizon këto vrojtime në bashkëpunim me INSTAT-in", u shpreh dje kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Veçori e këtyre treguesve është se japin informacion për prirjen e treguesve të ndryshëm të ekonomisë, bazuar në opinione cilësore të marra pranë bizneseve dhe konsumatorëve. Banka e Shqipërisë ka punuar për disa vite në ndërtimin e këtyre treguesve, duke u mbështetur në rezultatet e vrojtimeve në shkallë të gjerë pranë rreth 720 bizneseve dhe 1200 konsumatorëve.

Rezultatet e Vrojtimit të Biznesit dhe të Konsumatorit

Vlerësimet e bizneseve për kërkesën e brendshme dhe për kërkesën për eksporte në tremujorin e katërt të '08-ës janë ulur krahasuar me një tremujor më parë. Gjendja e përgjithshme e biznesit dhe ecuria e ekonomisë në vend janë gjykuar në rënie nga bizneset e industrisë, në krahasim me vrojtimin e kaluar. Faktorët që kanë ndikuar negativisht aktivitetin e bizneseve janë kryesisht problemet që lidhen me praninë e ekonomisë informale dhe problemet me energjinë elektrike.

Kontratat e porositësve paraqiten negative dhe në rënie nga vrojtimi i kaluar. Kapaciteti aktual i prodhimit vlerësohet i mjaftueshëm, duke marrë parasysh kërkesën aktuale dhe pritjet për kontrata porositëse në tremujorin e ardhshëm.
Çmimet e prodhimit në sektorin e industrisë vijojnë prirjen rënëse të nisur që nga tremujori i dytë i '08-ës.

Pritjet e bizneseve për tremujorin e parë të '09-ës, në linjë me vlerësimet e bizneseve për situatën korente, janë në rënie; pritjet për situatën ekonomike dhe kërkesën për eksporte janë negative dhe në rënie. Kërkesa e brendshme e pritur, prodhimi dhe aktiviteti i pritshëm i biznesit, megjithëse në nivele pozitive, janë në rënie nga vrojtimi i kaluar.

Treguesi i besimit të ndërtimit u rrit me 4 pikë përqindjeje në T4-08 dhe aktualisht qëndron sipër mesatares së tij afatgjatë. Vlerësimet pozitive dhe në rritje të bizneseve ndërtuese për kërkesën dhe për prodhimin në tremujorin e katërt '08-ës, përcaktuan rritjen e treguesit të besimit. Për sa i përket vlerësimeve të bizneseve për situatën e punësimit, balanca përkatëse vijon të jetë negative që nga tremujori i kaluar.

Pritjet e bizneseve të sektorit të ndërtimit për kërkesën, gjendjen e përgjithshme të biznesit dhe prodhimin në tremujorin e parë të vitit 2009 janë optimiste, megjithëse klima e përgjithshme ekonomike pritet negative. Në tremujorin e parë të '09-ës pritet pakësim i inventarëve dhe përmirësim në situatën e punësimit. Niveli i përgjithshëm i çmimeve pritet të rritet pak, por gjithsesi mbetet në nivele të ulëta në krahasim me mesataren afatgjatë.

Treguesi i besimit të shërbimeve shënoi një rënie prej 7 pikësh përqindjeje në tremujorin e katërt të '08-ës. Megjithatë, ky tregues qëndron dukshëm mbi mesataren e tij afatgjatë. Rënia në treguesin e besimit u shkaktua nga një vlerësim më pak optimist për të tre treguesit përbërës; ecuria e përgjithshme ekonomike, situata e punësimit dhe situata financiare.

Pas dy tremujorësh rritjeje të njëpasnjëshme, në tremujorin e katërt të '08-ës Treguesi i Besimit të Konsumatorit pësoi rënie. Vlera e treguesit aktualisht qëndron më poshtë mesatares së tij afatgjatë. Rënia në treguesin e besimit u përcaktua nga pritjet pesimiste të konsumatorëve për situatën e tyre financiare dhe ekonomike për tremujorin e parë të '09-ës, si dhe vlerësimin negativ të situatës së blerjeve në shuma të mëdha dhe situatës së kursimit gjatë tremujorit të katërt të '08-ës.

Situata financiare dhe ekonomike në tremujorin e katërt të '08-ës është vlerësuar negativisht dhe në rënie nga konsumatorët. Kostoja e jetesës vlerësohet më e përmirësuar, megjithëse balanca përkatëse shënon vlera negative edhe për këtë vrojtim.

Konsumatorët presin rënie në nivelin e përgjithshëm të çmimeve pas një tremujori dhe pas një viti. Konsumatorët presin që në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009 niveli i papunësisë të rritet. 49% e konsumatorëve janë shprehur se papunësia do të rritet gjatë vitit në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›