Zgjedhjet në Kosovë, rregull, dëshirë apo nevojë?
Afatet e bartjes së pushtetit janë afate që kanë një matematikë, janë ato që kanë afatin e skadencës së brumit të pushtetit politik. Brumi i pushtetit politik në Kosovë herë prishet e herë bënë edhe për nesër e herë për mbase tre ose katër vite. Nuk është me rëndësi se kush çfarë motivi shfrytëzon për të kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve. Është me rëndësi se në Kosovë do duhet të respektohet diçka. Dikur në një letër që quhej “Korniza Kushtetuese” përcaktohej koha e destinuar për zgjedhje dhe ishte e paraparë logjika e të vepruarit në zgjedhje dhe pas tyre. Në të njëjtin kuptim, është një paketë që ka shumë risi, ka një përcaktim kohor për zgjedhjet. Tërë kjo pako e presidentit Ahtisari është me kuota që hynë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pse pra të mos respektohet edhe kërkesa për zgjedhje te reja pas definimit të statusit politik të Kosovës. E potencoj këtë sepse në Kosovë shumë gjëra më shumë janë marrëveshje e boss-ëve në politikë sesa respektim i ligjeve dhe akteve kushtetuese. Mos të frikësohet askush nga dalja në zgjedhje por le të frikësohen ata që i thonë vetës pozitë dhe abuzojnë me pushtetin dhe me ecjen në politikë. Nëse në komentet se opozita po kërkon zgjedhjet sipas një kandari dhe mase kohore, është kërkesë legjitime e saj, sepse gara në politikë është garë për pushtetin dhe aplikim i politikës së partisë që fiton zgjedhjet e nuk është dëshira e tyre që ata duan zgjedhjet, ku në bazë të kësaj kërkese ato “duhet” mbajtur. Nëse pozita ka bërë mirë në politikën e kohës, është stabile, është e logjikshme për hapat e saj që ka bërë në Kosovë, ka fuqinë e votës edhe më, ka imunitetin e mbajtjes së pushtetit, le të dalë pra në zgjedhje dhe të masë vetën më fuqinë e votës me ata që rrinë sot në opozitë. Kjo është rregulla dhe parimi i votës demokratike.
Përmes këtyre zgjedhjeve në Kosovë nuk do kërkohet ndërrimi i figurave të politikës së njëjtë, por krijimi i kushteve për një politikë të faktorit politik pas definimit të statusit.
Nëse zgjedhjet merren si element negativ në Kosovë, le të merret edhe e arsyeshme edhe mbajtja e pushtetit dhunshëm në Kosovë, pa asnjë respekt në akte shtetërore që i kemi hartuar vetë.
Këtu do ndeshemi me dy gjëra: dëshirën dhe nevojën
Ata që besojnë se është dëshirë, janë pushteti i rrejshëm i instaluar në Kosovë dhe janë lobet e keqpërdorimit të pozitës së tyre. Ata që besojnë se është nevojë, është ruajtja e parimit politik për të mësuar se Kosova duhet respektuar aktet e veta juridiko kushtetuese.
Në shumë media në Kosovë flitet dhe trumpetohet se “Opozita është e lodhur”, por nuk është definuar saktë a është e lodhur nga (mos) funksioni i sistemit politik, apo është e lodhur në përzierjen e akteve juridike që sa herë i duhet pozitës të mbajë pushtetin shfrytëzon akte dhe paketa normative juridike që vetëm e vetëm të jenë ato që nuk e shporrin nga pozita dhe nga pushteti dhe ushtrimi i tij.
Zgjedhjet janë çelësi i funksionit demokratik. Frika dhe lufta për pushtetin janë garat e partive politike. Historia e të bërit shtet nuk fillon dhe nuk mbaron me asnjë parti në Kosovë. Dallojnë aktet dhe momentet historike dhe aty lind historia e një shteti që duhet rrugëtuar me shumë sfida për t’u formësuar, për t’u idealizuar në kuptim të funksionit shtetëror dhe jo për t’u mitizuar se ishin dhe mbetën të pandryshuar se hyrja në histori i takoi një grupi politik se shpalli shtetin dhe formësimin e tij. Kjo është një logjikë e shëndoshë nëse shpallja i takon popullit që ka bërë luftën për shtetin duhet edhe zgjedhjet t’i takojnë po ashtu popullit. Historia shënon figura që rrugëtuan historikisht ndër shekuj, e ky është populli, e jo individi. Individi është merita e kohës që populli ia dha besimin edhe veproi me të dhe nuk është miti i popullit se është i paprekshmi. Nëse historia ka një koncept të këtillë do dijë t’i sistemojë në kronologjinë e historisë së popullit prapë, e nëse është miti ju garantojmë se në shekullin XXI, miti është diçka abstrakte.
Zgjedhjet nëse janë të popullit të Kosovës janë logjika e ndryshimeve të tij, nuk janë frika e individit se po rrëzohen nga pushteti. Po të falin respekt dhe besim populli le të rrugëtojnë të zgjedhurit e zgjedhjeve, në politikë, ata të zgjedhur që punojnë për këtë popull dhe dalin në zgjedhje nga ky popull. Zgjedhjet e popullit nuk i frikësojnë bijtë e vet që dalin në garën e përgjegjësisë së shtetit dhe luftojnë për të mirën e shtetit.