Të ftuar në kongres, s’u jepet viza greke 5 mjekëve
• Ambasada greke u refuzon vizën 5 mjekëve shqiptarë me grada e tituj shkencorë.Ndonëse të ftuar në kongresin ndërkombëtar të kirurgjisë onkologjike, i përcaktuar për t’u mbajtur në datat 13, 14, 14 15 dhjetor në Athinë, përgjigjja për ta ka qenë negative. Delegacioni shqiptar i përbërë nga 10 mjekë, 5 prej të cilëve ishin pajisur më parë me vizë dhe nuk kanë aplikuar, ka marrë pjesë i cunguar në këtë kongres. Gazeta kontaktoi me disa prej këtyre mjekëve, të cilët edhe pse nuk duan të bëhen publikë, sqaruan se për refuzimin e vizës nuk u është dhënë asnjë argument. Ata pohuan gjithashtu se ftesa për pjesëmarrjen në kongres u ishte bërë nga organizatorët dhe mjekë të njohur grekë, të cilët kishin dhënë garanci për lehtësim të procedurave. Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë konfirmojnë dijeninë për pjesëmarrjen e këtij delegacioni në kongresin e onkologjisë, por tregohen të kujdesshëm në mbajtjen e një qëndrimi për këtë problem. “Për të tilla aktivitete e angazhime mjekësh, por edhe për pacientët e sëmurë, ambasada duhet të forcojë bashkëpunimin e saj në dhënien e vizave”, theksojnë burimet. Mes ankesave pa fund të emigrantëve që u është mohuar e drejta të takojnë të afërmit e tyre në Greqi, pacientëve të sëmurë që kanë rrezikuar jetën vetëm për një vizë, biznesmenëve apo edhe dhjetëra qytetarëve të tjerë, që kanë pritur për ditë të tëra në radhë për një përgjigje, shtohet dhe një tjetër precedent. Bluzave të bardha me grada e tituj shkencorë, të cilët nuk kanë asnjë motiv për të shkelur ligjet greke apo për të qëndruar ilegalisht në shtetin fqinj, u hiqet e drejta e pjesëmarrjes në kongrese ndërkombëtare me mjekë nga e gjithë bota. Arsyet as ata nuk kanë mundur t’i marrin vesh, i dinë vetëm drejtuesit dhe punonjësit e ambasadës, të cilëve nuk ua kanë mbushur syrin. E ndërsa ky institucion nuk i lëshon vizat në respekt të ftesave që vijnë nga shtetas grekë, nuk ka nevojë për koment për kalvarin që duhet të kalojë një qytetar që aplikon individualisht për vizë.