E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të gatshëm për bashkëpunim me opozitën, por jo me kushte që mbajnë peng Shqipërinë”

01-10-2011 / Gazeta 55

Edi Paloka: Edi Rama e shpalli se kush do jetë kandidati i tij për President të Republikës


Nënkryetari i grupit Kuvendor demokrat Edi Paloka tha se mazhoranca është e hapur për bashkëpunim me opozitën, por jo të negociojë kushte që marrin peng zhvillimet në vend, siç edhe i cilësoi ai propozimet me 10 pika të lidershipit socialist. “Ne jemi gati të negociojmë për çdo çështje që duket e nevojshme dhe e mundshme për të zgjidhur, por sigurisht që s’mund të hyjmë në diskutime me kushte absurde si ato të Ramës. Për mua, Rama vazhdon të ketë filozofinë e një pengmarrësi, njësoj si ata pengmarrësit që të rrëmbejnë fëmijën dhe të marrin në telefon dhe të thonë nëse do fëmijën na jep kaq para. Edhe Rama bën të njëjtën gjë, veçse në këtë rast është Shqipëria. Rama ka marrë peng, sipas tij gjithmonë, integrimin e Shqipërisë dhe thotë nëse nuk më jepni mua këto pushtete atëherë nuk iu jap integrimin. Gjë që është absurde dhe nuk mund të bëhet. Ne e kemi thënë, pazare të tilla nuk mund t’i bëjë askush”, u shpreh deputeti demokrat. Për deputetin Paloka kushtet e socialistëve nuk janë veçse qëllimi i kryetarit Edi Rama, për të kontrolluar disa institucione të rëndësishme kushtetuese, mes tyre edhe atë të kryetarit të shtetit. Madje, sipas deputetit Paloka, Edi Rama ka gati edhe emrin e kandidatit për president që kërkon të zgjedhë jo sipas procedurës që parasheh kushtetuta për emërimin në këtë funksion. “Të gjitha pretendimet, edhe ato të shkruara dhe ato të pa-shkruara, në 10 kushtet e tij, duket qartë që ai kërkon të ketë influencë mbi prokurorin e Përgjithshëm, të vendosë për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, për Guvernatorin e Bankës dhe sigurisht nesër kur t’i vijë koha presidentit ai do të kërkojë me të njëjtën formë, me konsensus, edhe Presidentin. Përveç kësaj, janë të tjerë që e kanë shprehur këtë ambicie të Edi Ramës dhe gati-gati po del dhe kandidati i Edi Ramës se kush do jetë nesër konsensual. Pra, janë kërkesa për pushtet, pushtet i cili s’mund të vijë në këtë formë. Është absurde, e përsëris, pasi pushteti merret me zgjedhje dhe jo në tavolinë apo me pengmarrje”, tha më tej ai.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›