Portëz, gjysma e fshatit, tokat pa tapi
Dhjetëra fermerë të Komunës Portëz në rrethin e Fierit, edhe pas 20 viteve të shpërndarjes së tokës bujqësore në bazë të ligjit 7501, nuk kanë në dorë tapitë apo aktin e pronësisë së tokës që në fakt administrojnë dhe kanë pronën. Kjo ka shkaktuar përplasje mes fermerëve, të cilët nuk po gjejnë zgjidhje për problemin në fjalë as në gjykatë. Kryetari i Komunës Portëz, Azem Shatëri, është shprehur lidhur me mospasjen e tapive të dhjetëra fermerëve. Shatëri ka thënë se pothuajse gjysma e fshatit Portëz apo rreth 150 familje kanë të pavulosura aktin e marrjes së tokës në pronësi. Kjo ka shkaktuar moslejimin e hipotekimit të këtyre sipërfaqeve edhe në kadastër. Kryetari i Komunës Portëz, Azem Shatëri, ka thënë gjithashtu se edhe pas depozitimit të kësaj çështje në Drejtorinë e Komisionit të Verifikimit dhe Vlerësimit të Njohjes së Titujve të Pronësisë në Prefekturën e Fierit nuk është gjetur një zgjidhje. “Ka shumë familje të fshatit Portëz në komunën me të njëjtën emër që nuk i kanë të regjistruar tokat e tyre në kadastër. Me një vendim të viteve 1990, gjysma e fshatit ka mbetur pa tapi. Banorët kanë konflikte me njëri-tjetrin dhe një pjesë e tyre do të duhet ta zgjidhin në gjykatë, pasi nuk mund të zgjidhen në organet e tjera. Mirëpo çdo lloj mënyre që do të zgjedhin fermerët do të hasë në vështirësi, pasi fermerët nuk kanë tapi dhe hipotekë”, ka thënë kryekomunari Azem Shatëri.
#