Të gjitha gratë e presidentit
Valerie Pecresse, 39 vjeç, është një grua e mësuar me kundërshtitë. Kur Presidenti Sarkozi e ftoi në kabinet në postin e ministres së Arsimit të Lartë, një vit më parë, pati shumë zëra kundër. Kur paraqiti një projektligj në të cilin u jepeshin universiteteve më shumë kompetenca në menaxhimin e buxhetit, studentët dolën në rrugë duke hedhur parulla kundërshtuese. Kritikat më të mëdha i ka marrë, deri tani, nga socialistët, që e kanë cilësuar madje edhe "ekstremiste të djathtë". Por për ministren, këto situata nuk janë aspak të paparashikueshme e madje të pritshme. Atë që ajo nuk mundi ta parashikonte ishte një peticion i nënshkruar nga disa anëtarë të stafit të saj, të cilët i kërkonin që herë pas here të vishte edhe fund, sepse me pantallona dukej shumë pedante? Në fakt, në Francë, vendin e gustove të stërholluara, njerëzit u kushtojnë shumë rëndësi veshjeve. Kjo vlen edhe për zyrtarët dhe zyrtaret e larta që përmes gardërobës së tyre përfaqësojnë edhe shpirtin e Francës. "Ka raste kur edhe një shofer taksie të bën vërejtje për veshjen, ndaj duhet të gjesh një stil që të përshtatet. Unë ndihem mirë me pantallona, sepse me to nuk më duhet të mendoj se çfarë këpucësh duhet të vesh. Pastaj me pantallona burrat nuk të shohin nga këmbët, por drejt e në sy", thotë vetë ministrja. Pavarësisht veshjes, apo edhe kritikave të tjera, ajo ishte ndër ministret e para të qeverisë së Sarkozisë, i cili synoi në përzgjedhjen e tij gjithëpërfshirjen. Kur Sarkozi mori majin e kaluar 53% të votës së francezëve, u betua për shtimin e barazisë mes meshkujve dhe femrave dhe për këtë qëllim emëroi menjëherë 7 femra ministre në kabinetin e ri me 15 anëtarë. Në të përfshihen edhe Rachida Dati, ministrja e Drejtësisë, Christine Lagarde, ministrja e Financave dhe Michele AlliotMarie, ministre e Brendshme. Ato janë të gjitha si Valerie Pecresse, të zgjuara, të mprehta dhe shumë…fotozhenike. Gazetarët francezë, të ndërgjegjshëm për fiksimin e Sarkozisë për t‘u rrethuar nga femra të bukura i kanë quajtur ministret "sarkozeta". Por nuk bëhet fjalë aspak për gra pa përvojë dhe të pazonjat, përkundrazi. Secila ka një përvojë shumë të madhe dhe aftësi për të realizuar disa nga reformat më të rëndësishme të qeverisë. Kështu, Lagarde, një ish-juriste korporate, e cila dikur renditej në listën e revistës "Forbes" për gratë më të fuqishme të botës zinte vendin e 88-të, është duke u marrë me ndreqjen e deficitit buxhetor. Dati, nga ana e saj, 42-vjeçarja bijë e një muratori maroken dhe një algjerianeje analfabete po kryen reforma kaq të rëndësishme në sistemin gjyqësor të vendit sa shumë shpejt do të përballet me protesta të mëdha. Sipas Valerie Pecresse, mbështetja fillestare e Sarkozisë nuk do të ishte e mjaftueshme sikur zonjat e kabinetit të tij të mos ta provonin zotësinë e tyre për ditë me "peshat e rënda" mashkullore të politikës e financës së vendit, të cilët nuk duan t‘ia dinë nëse ato veç të tjerash janë edhe femra delikate që u pëlqen të vishen. "Sa për Sarkozinë, pavarësisht mbështetjes që na dha në fillim, ai është një person shumë tradicional. Fillimisht na vuri në provë për të parë nëse ishim të afta sa edhe meshkujt", thotë Pecresse. Por shtypi si gjithmonë fiksohet më shumë pas detajeve dhe sipërfaqes. Kështu, "grave të Presidentit" gjithmonë u vihet në dukje se shpesh e teprojnë me veshjen dhe me mënyrën se si mbahen. Në një pritje të fundit të organizuar me rastin e ardhjes së Presidentit izraelit, Simon Peres, ministret franceze ngjanin të tëra njëra më e bukur dhe më e mbajtur se tjetra. Dati kishte veshur një fustan të gjatë e të hapur ngjyrë blu. Alliot-Marie gjithashtu, por me një ngjyrë krem. 31-vjeçarja bukuroshe, Rama Yade, ministre e Punëve të Jashtme, kishte veshur një tunikë gotike dhe pati një sukses shumë më të madh nga Gëyneth Paltroë gjatë mbrëmjes së "Oskarëve" të vitit 2002. Ndikimi që ato patën te të gjithë me paraqitjen e tyre ishte aq i madh, saqë vetë gruaja e Presidentit, një profesioniste në punët e veshjes dhe sfilatave u duk si një fillestare. Reagimi i shtypit, pas kësaj "sfilate" ishte i ndryshëm. Kishte nga ato media konservatore që e cilësuan paraqitjen e ministrave një triumf të formës mbi përmbajtjen. Madje, një gjykatës e quajti Datin si "kukullën" e Presidentit. Për të tjerë me një tendencë më liberale, një veshje e bukur në një rast solemn nuk kishte përse të vihej në shënjestër të kritikës. Vetë ministret janë të një mendjeje për sa u takon veshjeve. Ato thonë se duke qenë se përfaqësojnë një vend si Franca, duhet të kenë një paraqitje të jashtme të denjë për një perandori mode, kulture dhe elegance. Sipas vetë fjalëve të ministres së Drejtësisë në një intervistë të fundit dhënë për "Paris Match" ajo që e vogël kishte pasur një shije të veçantë për veshjen, për të qenë e veshur mirë dhe sipas saj kjo është një shenjë respekti edhe për të tjerët. Por përpjekja e Sarkozisë për të pasqyruar përpjekjen e tij për barazi gjinore në kabinet nuk mbetet vetëm me aq. Përveçse femra, ministret e Sarkozisë janë edhe persona me prejardhje të ndryshme etnike, nga shtresa të ulëta të popullsisë, nga emigrantë dhe qenia e tyre në kabinet përfaqëson edhe një politikë të re. Këto gra janë shndërruar në anëtarët më interesantë të kabinetit. Ato nuk vijnë nga bota elitare e mashkullore e bardhë që ka "prodhuar" gjithmonë politikanët francezë. Ato janë gjithashtu të afta dhe të padrojtura për të thënë e shprehur atë që mendojnë, pa pasur frikë. Për ata që mendojnë se Sarkozi është thjesht një mashkull që i pëlqejnë femrat e bukura, duke pasur parasysh episodin me Karla Brunin, gratë e kabinetit mund t‘ua ndryshojnë mendimin. Sarkozisë i pëlqen bukuria dhe mençuria e mprehtësia njëherazi. Në rastin e tyre ka shumë të bëjë edhe prejardhja dhe përvoja e gjatë në politikë. Kështu, për shembull, sekretarja e Shtetit për politikat e familjes, Famela Adara është një aktiviste e pamposhtur, e rritur nga prindër emigrantë algjerianë në një lagje të varfër. Ajo ka marrë edhe kërcënime për jetën pas themelimit të një organizate myslimane feministe "Nuk jemi as kurva, as gra të nënshtruara", madje ka kritikuar edhe vetë Sarkozinë për mënyrën e sjelljes në rastin e revoltave të periferive të qyteteve kryesore franceze. Rama Yade, një myslimane senegaleze punonte si administratore në një ndërmarrje qeveritare dhe jetonte në papafingo me të dashurin e saj, kur Sarkozia vendosi për t‘i shtuar më shumë ngjyra kabinetit të tij ta bënte ministre. Roselyne Bachelot-Narquin, ministrja e Shëndetësisë, Rinisë dhe Sportit, thotë se Sarkozi ka një veti të lindur për të përcaktuar e nuhatur tendencat e reja, tendencat e së ardhmes. Sipas saj, ai e kuptoi më shpejt se të tjerët se grave u duhet dhënë më shumë pushtet. Për këtë qëllim, qeveria e parë e Sarkozisë ishte shumë më e ndryshme nga të gjitha llojet e qeverive të deriatëhershme për sa i përket gjinisë dhe shtresës së ministreve femra. Në Francë, gratë kanë ushtruar feminilitetin e tyre vetëm në sferën shtëpiake, por është merita e këmbënguljes së kësaj breznie të re zonjash të forta të politikës që gjërat po ndryshojnë dhe bashkë me to edhe bindja se të qenurit me ngjyrë, ose të qenurit femër, apo me prejardhje jo elitare nuk pengon aspak aftësinë dhe zotësinë personale të të kryerit të detyrave. Për dhjetëvjeçarë të tërë, femrat politikane kanë përdorur shpesh brishtësinë e tyre për të marrë maksimumin e votave. Margaret Thatcher parapëlqente që ta paraqiste veten si pjesë e shtresës së shtëpiakeve të periferive. Në një fjalim elektoral, ajo u shpreh: "Jam këtu para jush veshur me fustanin tim të gjelbër, me makijazh në fytyrë dhe me flokët të bëra permanent. Thonë se jam Zonja e Hekurt e Perëndimit. Vërtet mund të jetë një Zonjë e Hekurt kështu si unë?". Në fillim të vitit, kandidatja presidenciale, Hilari Klinton, është përlotur disa herë gjatë fushatës për të treguar brishtësi femërore. Edhe "sarkozetat" kanë mënyrat e tyre pragmatiste. Ato në vend që t‘i mbulojnë e t‘i fshehin, mundohen t‘i nxjerrin në pah dallimet e ndryshimet që kanë me meshkujt. Miqësia e Datit me Presidentin, pas divorcit të tij, u komentua gjatë në shtyp. Yade, në një intervistë të saj u shpreh se Presidentin e konsideron si një baba, si një mentor e dashamirës dhe mbrojtës njëherazi. Ndërsa Sarkozi vetë ka thënë për të: "Unë dua dhe do ta mbroj ministren time. Sikur unë të mos isha këtu, ajo do të shkatërrohej në ambientin e rëndë të politikës". Sipas ministreve, Sarkozi është shumë më i ashpër me burrat e qeverisë, sesa me to. Por me gjithë ndryshimet që janë bërë, femrat në politikën franceze ende ndeshen me "mure" e paragjykime seksiste. Një nga sukseset e "sarkozetave" është se në këtë përpjekje e përballje të vazhdueshme me botën mashkullore në vend që ta fshehin feminilitetin e tyre, ato e nxjerrin më shumë në pah, pa pasur asnjë lloj ndrojtjeje apo turpi. Sipas Noelle Lenoir, gruas së parë që ishte në krye të Këshillit Kushtetues Francez dhe ministre për Evropën në periudhën 2002-2004 nëse nuk do të shfaqësh feminilitetin tënd në botën mashkullore rrezikon që të shndërrohesh në një hibrid të shëmtuar që nuk është as mashkull dhe as femër. Edhe pse Franca ka një histori të gjatë dhe fisnike femrash revolucionare si për shembull Louise Michel, që luftoi në barrikada gjatë Komunës së Parisit të vitit 1871, ato kanë përbërë më shumë përjashtimin sesa rregullin. Vota për të gjithë u vendos në Francë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore dhe në Asamblenë Kombëtare (dhoma e ulët e parlamentit francez) vetëm 18% e deputetëve janë femra,çka e rendit Francën në vendin e 57-të në botë për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e femrave në politikë. Madje edhe Afganistani dhe Iraku kanë një përfaqësim më të madh. Paradoksalisht me këtë fakt, emblema e vlerave të Republikës franceze, emblema e lirisë dhe e arsyes është Mariana, një grua-simbol, pamja e së cilës ndodhet në të gjitha ambientet zyrtare të vendit. E megjithatë francezët me votën e tyre të fundit presidenciale treguan se nuk ishin ende gati për një "marianë" reale në krye të Elizesë, duke qenë se në vend të socialistes, Royal, preferuan Sarkozinë. Rruga drejt lirisë, barazisë dhe "motërsisë" në Francë është një rrugë e vështirë gjatë së cilës ka pasur edhe viktima. Edith Creson, e para grua kryeministre e vendit, qëndroi në atë detyrë për 11 muaj gjatë viteve 1991-92. Ndaj asaj u ngrit një fushatë shumë e egër. Pati nga ata që e cilësuan si "Zonja e re Pompadur", për shkak të thashethemeve se ajo ishte e dashura e Presidentit të atëhershëm francez, François Miterand. Në vitin 1995, Kryeministri Alain Jupe përfshiu 12 gra në qevrinë e tij. Në atë kohë shtypi i quajti "gratë" e Jupesë "Jupeiste" dhe ndaj të gjithave u shpall një luftë e ashpër kryesisht për sa i përket profesionalizmit dhe mungesës së përvojës politike. Kishte nga ata që gratë ministre i quajtën thjesht dekore zbukuruese. Fatkeqësisht kjo përshtypje u përforcua 8 muaj pas emërimit të kabinetit, kur Jupe pushoi nga detyra 8 nga femrat e kabinetit të tij. Ky ishte një poshtërim, shija e të cilit nuk është zhdukur ende. Ai qëndron si rrezik i madh edhe për gratë e qeverisë së Sarkozisë. Për kritikët e rrymave anti-feministe termi i përdorur nga shtypi "sarkozeta" është një ofendim që nuk do të përdorej kurrë në rastin e meshkujve dhe se seksizimi në botën politike nuk është zhdukur aspak. Por të gjitha gratë, ndryshe nga Presidenti të cilit i pëlqen që të shfaqë jetën e tij në publik janë shumë të rezervuara. Ato i ruajnë lidhjet e tyre personale e romantike me shumë fanatizëm, ndërkohë që ndonjëherë luajnë edhe me vetë thashethemet. Por nga ana tjetër gratë e kabinetit të Sarkozisë janë kundërshtare të përkryera: elokuente, inteligjente, tepër të informuara dhe me kurajon për të thënë pikërisht atë që mendojnë. Ato janë fillesa e një rendi të ri, janë gra që dinë të bëjnë bashkë inteligjencën me sharmin femëror. Pavarësisht se parapëlqejnë fustanet, mund t‘i quash pa frikë "gra me pantallona"