Nis zgjerimi i rrugës Durrës-Rrogozhinë
Ka nisur zgjerimi i rrugës Durrës-Rrogozhinë. Sipas burimeve nga Ministria e Transportit rruga e re do të ketë katër korsi dhe do të lehtësojë ndjeshëm trafikun e makinave në këtë aks rrugor. Punimet për zgjerimin e këtij aksi rrugor pritet të përfundojnë në qershor të këtij viti. Fondi i akorduar nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit për rehabilitimin e aksit rrugor prej 35 kilometrash të gjatë, kap vlerën e rreth 460 milionë lekëve. Projekti që përfshin zgjerimin e rrugës është ndarë në 3 lote, ku puna ka nisur nga të tria firmat realizuese njëkohësisht. Rruga pritet të ketë parametrat e një superstrade me një gjerësi prej 24-55 deri në 26-55 metrash, ndërsa zgjerimi do të bëhet në të dy kahet, në atë të majtë dhe në atë djathtë. Aktualisht segmenti rrugor funksionon me dy korsi, por me vënien në zbatim të projektit do të funksionojë me katër korsi. Këtë vit janë parashikuar të përfundojnë edhe disa akse të rëndësishme në zonën e jugut. Konkretisht mësohet të ketë nisur puna në aksin Qeparo-Sarandë, i cili ka një gjatësi prej 39 km me një vlerë financimi prej 2.1 miliardë lekë. Gjithsej janë 5 lote, 3 prej të cilave kanë përfunduar, ndërsa loti 1 dhe loti 2 përfundojnë në 15 qershor 2009. Ndërtimi i këtij segmentit Dhërmi-Qeparo-Sarandë do të përmirësojë dhe lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve gjatë sezonit turistik, duke i dhënë një mbështetje të fuqishme zhvillimit të turizmit në këto zona. Ndërkohë qeveria ka vendosur që ndërtimi i disa akseve rrugore të kryhet përmes koncesionit. Aktualisht e vetmja rrugë që është kërkuar për t'u ndërtuar me koncesion është autostrada Thumanë-Rrogozhinë. Për këtë mësohet të ketë nisur procedura dhe aktualisht është në fazën e hartimit të dokumenteve për t'i publikuar ato për tender.