E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akreditimi nis me Universitetin e Tiranës

 

Universiteti i Tiranës zgjedh agjencinë e njohur gjermane "Aquin", për akreditimin e tij. Nga sa sqarojnë zyrtarisht burime pranë tij përpara se të vendosej për monitorim nga një kompani e huaj vetë strukturat përkatëse të universitetit kanë bërë një auditim të brendshëm, i cili është drejt fundit. Pas mbylljes së këtij procesi firma "Aquin" mund të marrë përsipër nisjen e "sitës" që do të mundësojë më pas akreditimin. Universiteti i Tiranës është i pari që nis këtë proces mjaft të rëndësishëm për cilësinë e arsimit që ofrohet në vend. Nga sa bëhet me dije Rektorati i UT-së, në përputhje me standardet e sistemit të  Bolonjës, do t'i kërkojë zyrtarisht agjencisë "Aquin" të nisë procesin e akreditimit për tetë fakultetet e tij. Akreditimi i universiteteve në vend është një ndër proceset më të rëndësishme për t'u njohur me cilësinë e mësimdhënies, standardeve, kapaciteteve e infrastrukturës që ata ofrojnë sot. Nga sa përcakton ligji "Për arsimin e lartë" në këtë "sitë" do të futen të gjithë institucionet publike e private. Në përfundim, në bazë të vlerësimit ata do të renditen sipas një liste, e cila do të dëshmojë se cili është më i miri e cili i ka kushtet "përtokë". Por megjithëse do të ndërmerret ky hap, nuk do të ketë penalizime për asnjë universitet qoftë ky edhe privat. "Do të jetë vetë konkurrenca që do të veprojë në rastin e institucioneve private, ndërsa për publiket cilësia që ofrojnë do të ndikojë në fondet që do të thithin për investime. Pra do të jenë vetë universitetet të interesuara në këtë drejtim", kanë deklaruar disa muaj më parë këshilltarët e qeverisë për arsimin. Akreditimi i universiteteve do të ndikojë edhe në lehtësirat për të konvertuar diplomat tona me ato jashtë vendit. Deri tani diplomat shqiptare nuk njihen në asnjë vend të Evropës. Kryerja e këtij procesi më në fund do të vërë "me shpatulla për murit" të gjitha ato shkolla apo pseudo shkolla të larta, të cilat deri tani e kanë parë si ofrimin e arsimit universitar si një biznes mjaft fitimprurës dhe kaq. Pesë janë pikat kyçe ku do të përqendrohet kontrolli. Aty bëjnë pjesë kurrikulat e programeve lëndore, raporti pedagogë-studentë, mjediset universitare, infrastruktura e Universitetit, performanca e studenteve.

Kontrolli i brendshëm

Nga kontrolli i brendshëm, i cili pritet të përfundojë në shkurt janë evidentuar vetëm dy pika të dobëta. Stafi pedagogjik, ne dhe infrastruktura. Për të parën është zbutur disi raporti pas punësimit të pedagogëve të rinj. Ndërsa sa i përket infrastrukturës do të duhen edhe ca vite që t'i jepet zgjidhja përfundimtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›