Të gjithë kundër Gaddafit
Teksa presidenti amerikan, Barack Obama kërkoi largimin e menjëhershëm të udhëheqësit të Libisë Muammar Gaddafit, ministri i Jashtëm rus dënoi ashpër përdorimin e dhunës kundër popullsisë.
Obama deklaroi se Gaddafi duhet të "largohet menjëherë", sepse ai kishte humbur legjitimitetin për të qëndruar në pushtet.
Ndërkohë, edhe Rusia ka dënuar ashpër përdorimin e forcës kundër protestuesve.
''Rusia dënon dhe konsideron të papranueshme përdorimin e forcës kundër popullsisë civile në Libi", i deklaroi ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, homologut të tij libian Musa Kusa, gjatë një bisede telefonike.
Rusia ka mirëpritur gjithashtu edhe rezolutën e re të Kombeve të Bashkuara, e cila vendos sanksione mbi autoritetet libiane, për shkak të shtypjes së dhunshme të protestuesve.
Lavrov, u ka bërë thirrje zyrtarëve “të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare”.
Rezoluta e OKB-së, e miratuar unanimisht nga Këshilli i Sigurimit, parasheh ndalesë udhëtimi dhe ngrirje të pasurisë së Gaddafit, të rrethit të tij të brendshëm dhe të anëtarëve të familjes.
Ajo i bën thirrje Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të hetojë shtypjen ndaj protestuesve antiqeveritarë dhe të ndjekë penalisht përgjegjësit për vrasjen e civilëve. Rezoluta po ashtu përfshin embargo të armëve.
Edhe shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka paralajmëruar “pasoja” Gaddafin.