Të gjithë të çmendur pas Kapelos
Fabio Kapelo? Një garanci suksesi. Ai që e thotë është Masimo Morati, i cili jo rastësisht ka individualizuar te trajneri i Anglisë zëvendësin perfekt të Zhoze Murinjos. Por tashmë fama dhe mirënjohja për të është e pranishme edhe në Britaninë e Madhe. Edhe Frenk Lampard, i cili merr vesh nga trajnerët fitues, ngaqë në të kaluarën është stërvitur nga njerëz si Luiz Felipe Skolari, Murinjo e Karlo Ançeloti, është i dashuruar pas trajnerit italian të “Tre Luanëve”. Vërtet, në kurrikulumin e mesfushorit shfaqet edhe një lloj Stiv MekKlaren, i cili nuk ka ecur edhe aq mirë në drejtimin e Anglisë (edhe pse ka fituar kampionatin holandez me Tventen dhe ka kaluar te Volfsburgu, trajnerit ende nuk ia kanë falur mungesën e kualifikimit në Europianin 2008). Por ajo ishte një periudhë jo e mirë për anglezët. Ndërsa tani, falë “fab Fab”, janë rikthyer luanët dhe janë gati të bëjnë hapa gjigantë. “Dihej që nga fillimi që Kapelo kishte një personalitet shumë të fortë, ka shpjeguar Lampard për ‘Mirror Sports’, dhe se ishte një trajner që imponon kudo disiplinë teknike dhe taktike. Ishte personi i duhur për të cilin kishim nevojë. Të punosh me të është vërtet fantastike, sepse ai shikon gjëra që të tjerët nuk i llogarisin fare dhe nëse nuk i pëlqen një lëvizje, të ndalon menjëherë dhe ta thotë”. Edhe në marrëdhënie me lojtarët, kontrasti mes Kapelos dhe atyre që kanë qenë para tij nuk mund të jetë i zymtë. Në fakt, nëse me Sven Goran Erikson mbante në fuqi rregullin “liri për të gjithë” (dhe qarkullimi i bukurosheve në Botërorin 2006 është një nga shembujt e shumtë) dhe MekKlaren synonte të bënte “mikun”, trajneri aktual bën atë për të cilën është punësuar. “Mënyra e tij e të menduarit është e thjeshtë, ka thënë në mbyllje Lampard: ai është trajneri dhe ne jemi lojtarët”. është pikërisht ky respekt i rigjetur, ai që i ka dhënë Anglisë transformimin për të rëndësishëm. Dikur në Kombëtare kishte shumë frikë dhe hezitim, tani ka bindje dhe pasion, aq sa Kombëtarja angleze kuotohet si favoritja e tretë për të fituar botërorin. Një gjykim që nuk vjen vetëm nga bastexhinjtë apo nga nëpunësit përreth Madhërisë së Saj (krejtësisht “të sëmurë nga futbolli”, mendojnë, flasin, lexojnë 11 orë e 12 minuta në ditë, sipas një sondazhi të Heineken të botuar nga “Daily Star”, ndërsa “The Sun” publikon një tjetër sondazh, sipas të cilit për 24% të anglezëve, skuadra do të arrijë të paktën deri në gjysmëfinale). Anglia konsiderohet favorite edhe nga Lionel Mesi. Sipas argjentinasit, skuadra e Kapelos është mes tri fituesve të mundshëm të Kupës së Botës, njëlloj si Brazili dhe Spanja. Për sa i përket Spanjës, vjen nga Fernando (nëpërmjet “Daily Mail”) këshilla e fundit për Fabio Kapelon: e thënë më saktë, ai sugjeron të luajnë bashkë Stiven Xherrard me Uejn Runin, ngaqë, sipas bomberit të Liverpulit, kapiteni i tij është një nga pesë lojtarët e aftë të fitojë një ndeshje i vetëm dhe është futbollist i të njëjtit nivel me Kristiano Ronaldon dhe Mesin. Po Xherrard duket se po shqetëson Anglinë, pasi ai ka pësuar një dëmtim dhe nuk ka marrë pjesë në stërvitjet e fundit.
#