E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo gati njëlloj si CR9, operacioni kushton 70 milionë

Sport/financë Trajneri kampion Europe konsiderohet një Kristiano Ronaldo i vitit 2010

Përveç se është i bindur se ka marrë Zhoze Murinjon me një çmim të ulët, Florentino Perez është gjithashtu i sigurt se i ka garantuar vetes dhe skuadrës një të ardhme të shpejtë mes sukseseve të njëpasnjëshme. Për momentin nuk i vijnë në mbështetje bastexhinjtë anglezë, të cilët nuk e shikojnë të lehtë arritjen e një triplete, “bis” për “Special One”. Ndërkohë ka diçka që mund të jetë edhe më e rëndë për Perezin: as tifozët e Realit nuk duken në qiellin e shtatë. Shumë nga ata i konsiderojnë imorale kostot e operacionit për të sjellë Murinjon në Madrid. Kosto që mes rrogës së portugezit dhe stafit të tij, penalizmit për t’i shlyer Interit dhe likuidimin në formë dëmshpërblimi për Pelegrinin, të gjitha së bashku kapin një shifër afërsisht shtatëdhjetë milionë euro. Pastaj nëse mendon edhe për listën e blerjeve të Murinjos, atëherë kuptohet mirë se tifozët e Realit, që në shtatë sezonet e fundit kanë parë të ndërrohen plot nëntë trajnerë, mund të ndihen paksa të zhgënjyer për shkak të shifrave milionere të hedhura tutje me lehtësinë më të madhe. Një blerje e madhe mund të jetë për shembull Uejn Runi, lojtari që i pëlqen të gjithë botës dhe natyrisht edhe Murinjos. Kjo blerje mendohet se do të mund të kushtojë jo më pak se 100 milionë euro. Për të bërë të njohur listën që tashmë i është dorëzuar Perezit, në të bëjnë pjesë jo vetëm interisti Maikon, por edhe lojtarë të kalibrit si Tevez, Xherrard, De Rosi, David Silva. Në një kontekst të tillë, gjithçka tingëllon gati tallje, mungesë takti, sipas “As”. Ndërkohë që Interi po bën një sondazh pikërisht me Manuel Pelegrinin si zëvendësuesin e “Special One”, hipotezë që duket si fantazi kur mendohet se kiliani i shkarkuar vlerësohet si “shumë interesant”. Tashmë e sigurt është që Murinjo do të prezantohet të hënën në “Santiago Bernabeu”, ceremoni, e cila për kërkesë të tij, nuk duhet të jetë shumë galaktike. Duke parë sforcimin e presidentit, vështirë të mendosh se prezantimi i trajnerit të saposhpallur kampion bote të mos jetë një festë e madhe luksi.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›